E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Rama po u jep urdhra politikë militantëve në KQZ

Partia Demokratike i ktheu përgjigje Partisë Socialiste për pakënaqësitë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, theksoi dje se "ka kërcënime të Edi Ramës dhe zëdhënësve të tij, si dhe urdhrat politikë që u jep militantëve të vet në KQZ, të cilët në shkelje të betimit të bërë para Kuvendit, veprojnë si një celulë e cila nuk njeh ligje dhe procedura". E gjithë vëmendja e politikës në këtë periudhë është e përqendruar në punën dhe rezultatet përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas zëdhënëses së selisë së demokratëve, Partia Demokratike është e vendosur të respektojë institucionet e ngarkuara për nxjerrjen e rezultateve. Lidhur me çështjen se PS-ja nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, zëdhënësja Mëhilli bëri me dije se "komisionerët dhe vëzhguesit e PS-së kanë qenë me shumicë në qendrat e numërimit dhe kanë vendosur firmat në të gjitha procesverbalet dhe protokollet". Mëhilli e cilësoi si betim të përditshëm, qëndrimin e PS-së se nuk do të njohë zgjedhjet. "PD u bën me dije të gjithë shqiptarëve se zoti Rama nuk mund të njohë zgjedhjet dhe është i aftë dhe i gatshëm të bëjë çdo gjë tjetër përveç njohjes së tyre, sepse kërkon me çdo kusht të mos pajtohet me humbjen, dështimin dhe pasojat e humbjes së këtyre zgjedhjeve", tha Mëhilli. Zëdhënësja Mëhilli kërkoi nga Rama që "të lërë shpifjet dhe trillimet ndaj KQZ-së, ndaj veprimtarisë transparente të këtij komisioni". Po të njëjtën kërkesë pala e PD-së e ka edhe për nënkryetaren e KQZ-së, Dëshira Subashi. "PD i bën thirrje Dëshira Subashit, të cilën edhe mazhoranca e ka votuar për të qenë anëtare e këtij komisioni dhe që në 2007 kjo zonjë votoi kundër numërimit të votave në Bashkinë e Durrësit dhe në rastin analog më 2009 votoi pro numërimit të votave të Beratit", tha Mëhilli. Zëdhënësja e PD-së duke iu drejtuar nënkryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, shtroi pyetjen nëse do të ishte dakord ajo për numërimin e fletëve të pavlefshme të Lezhës, të Qarkut të Fierit në tërësi apo të Durrësit? Duke pasur parasysh që ne Lezhë e në Durrës përqindja e fletëve të pavlefshme është shumë më e lartë se në Berat".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›