E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Vendimet e KQZ-së po deformojnë vullnetin e zgjedhësve

Një ditë pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryesuesi i listës së PS-së për Qarkun e Beratit, Erion Braçe, deklaroi se është Sali Berisha ai që po drejton institucionin menaxhues të zgjedhjeve. Ndaj, siç u shpreh Braçe, pikërisht Berisha, është ai që po shkel gjithë garancitë ligjore që garantojnë transparencës e leximit të votës. "15 ditë larg nga dita e zgjedhjeve, Sali Berisha në rolin e drejtuesit real, por të paligjshëm të KQZ po çmonton ligjin zgjedhor, duke shfuqizuar me dhunë të gjithë garantët ligjorë që i japin të drejtën opozitës për të bërë transparencë mbi çdo votë dhe korrigjuar ligjërisht çdo veprim të paligjshëm që ka deformuar votën e numëruar dhe vlerësuar në të zezë", tha ai. Zyrtari i lartë i Partisë Socialiste akuzoi direkt kryetarin e Partisë Demokratike se po vonon shpalljen e rezultatit zgjedhor, e aq më shumë shpalljen e një rezultati të drejtë sipas vullnetit të shqiptarëve. "15 ditë larg nga dita e zgjedhjeve, Sali Berisha në rolin e dhunuesit të tyre, po u mohon shqiptarëve një rezultat përfundimtar, të drejtë, në përputhje me vullnetin e shprehur nga shqiptarët me votë. 15 ditë larg nga dita e zgjedhjeve, Sali Berisha në rolin e grabitësit përsëritës, po u mohon shqiptarëve transparencën për çdo votë të numëruar dhe vlerësuar në të zezë apo errësirë", shtoi më tej Braçe. Pjesë e deklaratës së Braçes ishin edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që votuan "pro" rrëzimit të ankimit të PS-së për Qarkun e Beratit. Braçe deklaroi se KQZ tanimë është në dorën e Berishës, ndërsa është e përbërë nga katër anëtarë me të shkuar problematike. Duke renditur pikërisht këto probleme që vëren selia rozë, Braçe arriti në përfundimin se zgjedhjet tashmë janë shkatërruar dhe standardi i tyre po e rendit Shqipërinë edhe poshtë Ganës. Duke u rikthyer sërish te çështja e Beratit, zyrtari i selisë rozë, konsideroi deformim të vullnetit të shqiptarëve vendimin e KQZ-së për të mos pranuar rivlerësimin dhe rinumërimin në këtë qark. Ai vlerësoi se kërkesa e dy anëtarëve për të marrë materialin zgjedhor të kësaj zone, është e detyrueshme për t‘u zbatuar, ndërsa shpjegoi se sanksionimi i atyre neneve që e përcaktojnë këtë detyrim është bërë pikërisht që të shpëtohet pakica nga vendimet e shumicës. Edhe një herë ai konfirmoi ankimin e vendimit të KQZ në Kolegjin zgjedhor, si dhe nismën për të bërë padi penale për katër anëtare të KQZ-së. "Ndaj përfundimisht, duam të themi se ne jemi të vendosur të mos njohim rezultatin e këtyre zgjedhjeve pa u bërë transparente çdo votë e hedhur në Berat, Tiranë e Shkodër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›