E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fryhet Vjosa, përmbytje në Fier e Vlorë

Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati rreth orës 02:00 të mëngjesit të së hënës, duke përmbytur disa dhjetëra banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore në Vlorë dhe Fier. Alarmi për daljen e lumit nga shtrati është dhënë nga Shtabi i Emergjencave në Prefekturën e Fierit gjatë mbrëmjes së të dielës, duke bërë që banorët e zonave përreth këtij lumi të braktisin banesat. Shumë njerëz janë strehuar te të afërmit e tyre, ndërsa të tjerë e kanë kaluar natën në tarraca, edhe pse temperaturat kanë qenë më të ulëtat e këtij muaji. Pasditen e djeshme, zona e përmbytur është vizituar nga ministrat Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha. Pasi kanë parë situatën nga afër, anëtarët e kabinetit qeveritar kanë premtuar zhdëmtim dhe investime për të parandaluar përmbytje të tjera.

Fier
Dalja e lumit Vjosë ka shkaktuar përmbytje jo vetëm në toka bujqësore, por dhe në mbi 25 banesa të fshatrave Ferras, Kafaraj, Cerven, Mifol dhe Boçovë. Banorët, të cilët janë paralajmëruar që në orët e vona të ditës së të dielës nga Shtabi i Emergjencave në Prefekturën e Fierit për një rrezik të mundshëm të përmbytjes, kanë mundur të largojnë bagëtitë e tyre, por jo shpezët. Sipas tyre mësohet se dhjetëra shpezë kanë humbur ose janë mbytur ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Ndërkaq, dhjetëra banorë të këtyre zonave kanë preferuar të qëndrojnë në banesat e tyre, edhe pse rreziku i përmbytjes ka qenë shumë afër. Edhe gjatë paradites së të hënës ata kanë qenë të bllokuar në banesat e tyre, në pritje të largimit të ujërave nga oborret. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes janë përqendruar gjatë natës forca të policisë dhe zjarrfikësit. Prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, gjatë gjithë natës dhe ditës së hënë ka qenë në vendin e përmbytjes, së bashku me Shtabin e Emergjencave. Prefekti tha se "situata është shqetësuese. Por janë marrë të gjitha masat, sidomos për ata banorë që janë prekur ose janë dëmtuar nga kjo përmbytje".

Vlorë
Ndërkaq, në Qarkun e Vlorës, dalja nga shtrati e lumit Vjosë ka bërë që rreth 100 metra të rrugës nacionale Fier-Vlorë, pranë urës së Mifolit, të jenë nën pushtetin e ujit, duke vështirësuar gjatë gjithë paradites së të hënës qarkullimin e automjeteve. Është dashur orientimi i policisë rrugore që lëvizja e automjeteve të vazhdonte normalisht dhe të mos shkaktohej ndonjë incident apo bllokim qarkullimi. Ndërkaq, ditën e djeshme, shumë fshatra të Komunës Novoselë janë gdhirë të përmbytura nga dalja e lumit Vjosë prej shtratit të tij. Rreth 70 banesa në fshatrat: Bishan, Fitore dhe Novoselë janë përmbytur nga prurjet e shumta që Vjosa solli gjatë natës. Sipas banorëve të zonës së Bishanit, Vjosa ka përmbytur pothuajse të gjitha shtëpitë, ku uji ka arritur në rreth 2 metra lartësi. Sipas prefektit të Vlorës, Hasan Halili, ende nuk mund të flitet për përllogaritje të dëmeve, pasi pritet qetësimi i situatës. Po ashtu dhe rruga që lidh qytezën e Selenicës me Vlorën është e pakalueshme nga dalja e Vjosës. Një aks rrugor rreth 6 km që të çon në këtë qytezë është bllokuar totalisht nga uji, duke e izoluar krejt zonën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›