Ankohen mësuesit: 3 milionë lekë, një vend pune në arsim
Edhe pse shënon pothuajse gjysma e vitit shkollor, Ministria e Arsimit kohët e fundit duket se ka vënë gërshërën në shkollat e kryeqytetit duke pushuar kështu një pjesë të konsiderueshme të mësuesve. Në lidhje me këtë disa prej këtyre mësuesve të pushuar të cilët ditën e djeshme kërkonin në dyert e Drejtorisë Arsimore arsyen se përse ishin larguar nga puna
thanë për gazetën SOT se kohët e fundit të punësohesh në arsim kushton shumë, madje plot 3 milion lekë të vjetra. Mësuesit e pushuar të cilët nuk ishin të paktë në numër e që kërkonin pas dyerve një sqarim përsa i përket motivacionit të largimit nga puna deklaruan gjithashtu se ndërhyrjet për punësimin e mësuesve zëvendësues ishin nga vetë punonjësit e Drejtorisë Arsimore të cilët kërkonin ryshfet në këmbim të një vendi si mësues në çfarëdo shkolle në Tiranë. Të pushuarit janë kryesisht mësues të vjetër rreth 40 deri 50 vjeç të cilët kanë mbi supet e tyre vite të tëra përkushtim ndaj profesionit më të vjetër në botë por edhe një jetë të tërë kushtuar nxënësve të tyre. Mësuesit e vjetër janë zëvendësuar me të rinj të cilët në shumë raste janë edhe pa diplomë. Drejtoria Arsimore është i vetmi institucion që ka të drejtën për të punësuar apo pushuar mësuesit duke marrë edhe sinjalizimet për këta të fundit nga Ministria e Arsimit. Në një vëzhgim të kryer nga gazeta SOT ditën e djeshme ky institucion dukej sikur ishte zaptuar nga mësuesit e pushuar nga puna që prisnin me orë të tëra për të kërkuar një sqarim apo motivacion se përse janë larguar nga puna.
Të pyetur nga gazeta disa prej mësuesve të pushuar nga puna deklaruan se ndaj tyre është bërë një padrejtësi nga Drejtoria Arsimore e Tiranës por edhe nga ministria e Arsimit pasi janë pushuar pa asnjë motivacion dhe urdhri për largimin nga puna ka qenë i menjëhershëm e pa asnjë paralajmërim. Përveç kësaj një prej mësueseve ka deklaruar ditën e djeshme për gazetën se kishte rreth 10 vjet që punonte në një shkollë në periferi të Tiranës dhe urdhri për pushimin nga puna i kishte ardhur krejt papritur. Kam punuar në disa shkolla të Kryeqytetit dhe ndihem shume e fyer që vendim tim e ka zënë një mësuese e re që për më tepër nuk ka marrë as diplomën Sipas saj si ky rast është flagrant që i bëhet me pa të drejtë jo vetëm asaj por edhe shumë mësueseve të tjera që kanë punuar një jetë të tërë në arsim.
Lëvizjet
Lëvizja pa kriter profesional e mësuesve është shndërruar në një nga problemet më shqetësuese jo vetëm për mësuesit që tashmë gjenden të papunë por edhe për Sindikatën e Arsimit. Për këtë arsye, kreu i Sindikatës së Arsimit, është shprehur pak kohë më parë se kjo organizatë ka në fokus përcaktimin rigoroz të kushteve të emërimeve për mësuesit apo punonjësit në sektorin ndihmës të arsimit. Po kështu dhe për lëvizjet ose transferimet e tyre. Sipas tij kjo sindikatë është duke negociuar me Ministrinë e Arsimit për të ndërtuar një tjetër kontratë kolektive për tu përpjekur që këtë problem ta zgjidhin të gjitha palët mbi bazën e legjislacionit shqiptar. Në të gjithë piramidën arsimore të Shqipërisë, nga sistemi parashkollor deri në atë universitar janë rreth 45 mijë mësues, pedagogë si dhe punonjës të sektorit mbështetës për ta. Ky numër zë rreth 45 për qind të numrit total të punonjësve që mbahen nga buxheti i shtetit në vend.
Licenca
Mësuesit do të pajisen me licencë për të ushtruar profesionin e tyre. Kjo është një nga pikat e reja që është përfshirë në draftin e ri për Kontratën kolektive të punës në arsim. Për rrjedhojë, së shpejti arsimtarët duhet të licencohen, pra të kenë marrë nëpërmjet konkursit një licencë, që të njoh aftësitë e tyre për të dhënë mësim në një lëndë të caktuar. Sipas kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Xhafer Dobrusha, kjo është një kërkesë për të arritur standardet që kërkon koha. Lidhur me këtë çështje, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj , kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhafer Dobrusha dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, Bajram Kruja, në rolin e punëmarrësit, kanë nënshkruar në fillim të muajit shkurt, marrëveshjen për Kontratën kolektive të punës. Në këtë marrëveshje u ra dakord për disa ndryshime që duhet të ndodhin në dispozitat e kontratave të reja. Kontrata e rinovuar, e cila shënon fillimin e punës së grupit të MASH-it dhe grupeve të dy sindikatave, synon të ruajë të gjitha standardet e arritura dhe të zhvillojë më tej shumë prej tyre.
Arta AGOLLI