Inaugurohet shtatorja e Skënderbeut
Sot paradite do të inaugurohet në Peshkopi shtatorja e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. E punuar në bronz prej skulptorit Sadik Spahija, shtatorja është e lartë 3.3 metra, ndërsa është e vendosur në një bazament mermeri 1.5 metra. Puna për realizmin e saj ka nisur rreth një vit më parë. E cilësuar unike në llojin e vet, shtatorja, e cila do t‘ia shtojë bukurinë qytetit të Peshkopisë, është derdhur në bronz në Bullgari. Me rastin e kësaj ngjarjeje, bashkia e qytetit do të shoqërohet edhe me një koncert festiv. Duke qenë se konsiderohet si një eveniment i madh kulturor jo vetëm për Peshkopinë, por edhe për mbarë krahinën e Dibrës në të dyja anët e kufirit, pritet që të marrin pjesë shumë njerëz nga Kosova, Tetova, Gostivari apo Tirana.