E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakova pret poetët shqiptarë

Nën kujdesin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës është zhvilluar në Gjakovë "Mitingu i 45-të i Poezisë Shqipe" me pjesëmarrjen e krijuesve nga treva të ndryshme shqiptare, ku përveç Kosovës ishin përfaqësuar edhe Maqedonia me klubet e njohura të Kumanovës dhe Ohrit, Lugina e Preshevës, Malit të Zi, Qarku i Kukësit etj. Me rastin e këtij manifestimi ose mitingu, siç njihet nga vendi organizator, u ndanë edhe çmimet për librat më të mirë të vitit, si dhe u pranuan anëtarët e rinj të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. "Premtim i lënë peng", i autores Shqipe Hasani nga Prishtina, u vlerësua si një nga më të mirët e vitit. Poetët dëshmuan se motivi themelor i tyre vazhdon të mbetet atdheu dhe mbijetesa shqiptare. Që prej vitit 1964, atëherë kur ishte në kulmin e vet Esad Mekuli i famshëm dhe korifenj të tjerë, në Gjakovë është mbajtur për çdo vit mitingu i poezisë me poetë nga të gjitha trevat shqiptare ku është kënduar për zgjimin kombëtar, për dashurinë dhe për bukuritë e natyrë, për dukuritë e jetës dhe deri te punët dhe arsimimi. Në këtë shkollë kanë kaluar poetët e mirënjohur Ali Podrimja, Din Mehmeti, Muhamet Kërveshi etj., si dhe më të rinjtë: Nexhat Çoçaj, Hasije Selishta, Shqipe Hasani apo Rifat Gashi. Një rëndësi të veçantë në këtë takim i është kushtuar Lasgush Poradecit, për poezinë e të cilit janë mbajtur kumtesa të posaçme. Më tej janë marrë në analizë krijues të tjerë të mëdhenj, si dhe i janë kushtuar takime të veçanta poezisë për fëmijë dhe po ashtu ekskursionit të grupit prej rreth 60 poetësh nëpër vende historike. Poetët Muhamet Kërveshi e Din Mehmeti, referuan motive patriotike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›