E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohet Mourinho, Vilanova mbron Valdesin

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho është ankuar se goli i parë i Barcelonës në ndeshjen e Superkupës së Spanjës në Nou Camp u realizua nga pozita jashtë loje. I pyetur rreth paraqitjes së gjyqtarit Clos Gomez, portugezi refuzoi të shfaqet kritik por besoi se goli i barazimit nga Pedro ishte shënuar nga ofsajdi.

“Nuk dua të kritikoj vendime vendimtare gjithë sezonin, e aq më tepër në ndeshjen e dytë të edicionit të ri. Në përgjithësi më pëlqeu takimi por nuk më pëlqeu që goli i parë i Barcelonës u realizua pas një gabimi të gjyqtarit anësor”, deklaroi Mourinho në konferencë për shtyp pas ndeshjes.

Kurse, homologu i tij nga Barcelona, Tito Vilanova i ka dalë në mbrojtje portierit Victor Valdes i cili bëri gabim të rëndë në rastin ku Reali shënoi golin e dytë.

“Nuk kam biseduar me Valdesin sepse nuk kemi për çka të bisedojmë. Në fakt do ta inkurajoj të vazhdoj të kryejë punën e tij” deklaroi Villanova. “Është gjithmonë mirë të fitojmë por rezultati nuk është përfundimtar. Kundër një skuadre si Reali kurrë nuk mund të mbarojë”, u shpreh ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›