E Diel, 1 Nëntor 2026

Zanetti, 800 ndeshje me një fanellë

Javier Zanetti bëri paraqitjen e tij të 800-të për Interin në fitoren 2-0 ndaj skuadrës rumune Vaslui në kuadër të play-offit për kualifikim në Europa League.

Argjentinasi 39 vjeç e filloi aventurën e tij me Nerazzurrët para 17 vitesh, kur luajti në fitoren 1-0 kundër Vicenzas në Serie A më 27 gusht, 1995 pas ardhjes në klub nga Banfield, skuadër nga Buenos Aires.

Prej asaj kohe ai ka fituar pesë tituj në Serie A, katër Kupa të Italisë, një Ligë të Kampionëve, një Kupë UEFA dhe një titull të Botërorit të klubeve. “Jam i lumtur dhe shumë krenar që kam arritur në një numër aq të rëndësishëm të paraqitjeve me një klub kaq prestigjioz si Interi, edhe më tepër si kapiten”, deklaroi pas takimit Zanetti i cili u shpreh i lumtur me punën e bërë me trajnerin e ri Andre Stramaccioni.

“Kam marrëdhënie shumë të mira me trajnerin Sramaccioni. Por, e përsëris se gjëja më e mirë për mua është ndjenja e paraqitjes së ndihmës”, u shpreh ai. Kurse, Stramaccioni u shpreh shkurt dhe qartë për Zanettin. “Nuk ekziston askush si ai. Kapiteni ynë do të vazhdojë të jetë me ne”, deklaroi Stramaccioni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›