Ankohet Prokuroria, Gjykata pushoi 51% të çështjeve
Për veprat penale të abuzimit me detyrën, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, prokuroria ka kërkuar burg pa afat, ndërsa gjykata ka lënë detyrim paraqitjeje
ELBASAN Duket se ka nisur një “luftë” ndërinstitucionale në organet e drejtësisë në Elbasan. Prokuroria “ankohet” se për vitin e kaluar gjykata pushoi ose pezulloi 51% të numrit të çështjeve, një statistikë që nuk kishte ekzistuar kurrë më parë. Në analizën vjetore të zhvilluar dje, ku ka qenë e pranishme drejtorja e Drejtorisë së Inspektimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ermira Bakalli, kryeprokurori i Elbasanit, Elvin Gogaj, ka renditur disa nga të dhënat e punës së institucionit të Prokurorisë gjatë vitit të kaluar. Ndër të tjera, ai ka evidentuar numrin e procedimeve të dërguara në gjykatë, numrin e dosjeve të pushuara dhe atyre të pezulluara. Shifrat tregojnë se këto të fundit përbëjnë edhe shumicën e dosjeve në gjykim. “Gjatë vitit 2010 janë përfunduar 1930 çështje, ndërsa janë mbartur vetëm 431. Nga çështjet e përfunduara në vitin 2010, 616 prej tyre janë dërguar për gjykim, 575 janë pushuar dhe 392 çështje janë pezulluar”. E shprehur në përqindje, çështjet e pushuara dhe të pezulluara nga gjykata përbëjnë 51% të të gjithë volumit të çështjeve të prokurorisë për vitin e kaluar”, ka nënvizuar Elvin Gokaj. Veprat që kanë mbizotëruar këtë vit kanë qenë ato kundër pasurisë, vjedhjet, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor etj.” Për veprat penale të abuzimit me detyrën, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, janë dërguar për gjykim 13 të pandehur, ku nga prokurorët është kërkuar arrest me burg, ndërsa gjykata ka vendosur për disa prej tyre arrest shtëpie, pavarësisht kërkesës së prokurorit”, tha kryeprokurori. Ndër çështjet në hetim janë edhe ato në sferën ekonomike, për veprat penale kundër autoritetit shtetëror. Një tjetër problem që ka hasur Prokuroria e Elbasanit është sistemi i adresave. “Një ndër shkaqet e zgjatjes së hetimeve - thotë raporti vjetor, - është edhe vonesat e njoftimit të dëshmitarëve dhe mosfunksionimi i postës. Në shumë raste prokurorët duhet të interesohen vetë për sjelljen e dëshmitarëve pasi sistemi nuk funksionon”. F.S.