E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëson aksident në Kërrabë, gjendet pas 3 ditësh në greminë

Ndërsa dje në tragetin e linjës Durrës - Bari ka humbur jetën një 70-vjeçar, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë

Një 34-vjeçar nga Elbasani ishte deklaruar i zhdukur para tri ditësh nga familjarët e tij, por ai është gjetur në greminë, ku kishte rënë së bashku me makinën që drejtonte. Ndërsa një 70-vjeçar nga Dibra ka humbur jetën teksa ka qenë duke udhëtuar me tragetin e linjës Durrës-Bari.

Kështu, Bledar Sinani me banim në lagjen “11 nëntori” në Elbasan, ka humbur jetën ndërsa udhëtonte me automjet në aksin rrugor Elbasan-Tiranë në masivin e Qafë-kërrabës. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Ara e Sollakut”. 34-vjeçari drejtonte një automjet tip Ford Fiesta me targë DR 3328 E, kur ka humbur kontrollin e ka përfunduar në greminë. Gjithçka duket se ka ndodhur tri ditë më parë. Sipas të dhënave të policisë, ky shtetas është shpallur në kërkim që në datë 24 janar, pasi një ditë më parë, pra në datën 23, ishte larguar nga banesa bashkë me automjetin në drejtim të Tiranës, ku dhe ishte i punësuar. Të shqetësuar për faktin se ai nuk po përgjigjej më në telefon, dhe se atje ku punonte nuk kishin asnjë informacion, familjarët kanë kryer kallëzim në polici për zhdukjen e tij. Gjatë dy ditëve policia ka kërkuar autorin dhe vetëm dje në orët e para të mëngjesit është identifikuar një automjet i rënë në greminë në vendin e quajtur Arat e Sollakut. Brenda në automjet policia ka gjetur trupin e pajetë të 34-vjeçarit me banim në lagjen “11 nëntori” në Elbasan. Sipas të dhënave të para, rezulton se aksidenti ka ndodhur si pasojë e rrëshqitjes për shkak të motit të keq, akullit dhe ngricave që kanë mbërthyer Qafë-kërrabën dhe mjaft akse rrugore këto ditë në Elbasan.

Viktima në traget

Një i moshuar ka vdekur pak para se trageti me të cilin udhëtonte të akostohej në portin e Durrësit. Munir Zeqja 70 vjeç, banor i komunës Maqellarë Dibër, ka qenë duke udhëtuar me traget nga Bari drejt portit të Durrësit, por kur trageti “Bari” ka qenë vetëm 2 milje larg portit, ai ka vdekur. Burime të policisë kufitare dhe migracionit në portin e Durrësit kanë bërë të ditur se 70-vjeçari ka gjetur vdekjen në dhomën e tij, në tragetin ku ai e kishte prenotuar përpara nisjes nga Italia. Sipas të njëjtave burime, 70-vjeçari kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi vuante nga një tumor në pjesën e fytit. Nga të dhënat e para mendohet se ky ka qenë edhe shkaku i vdekjes së shqiptarit, i cili kthehej i vetëm nga Italia. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se ai kishte marrë mjekim në Itali për këtë sëmundje, por nuk ka pasur përmirësimin e pritshëm, duke bërë që në këtë udhëtim ai të humbasë jetën. 70-vjeçarit Munir Zeqja i është dhënë ndihma e parë nga mjeku i tragetit, por ajo nuk ka qenë e mjaftueshme për shpëtimin e jetës së tij. Në përgjithësi tragetet e mëdha kanë një mjek që qëndron gjithmonë me ekuipazhin, por shumë të tjerë mjaftohen vetëm me mbajtjen e një infermieri dhe në raste të tilla kërkojnë ndihmën e pasagjerëve të mundshëm që mund të kenë profesionin e mjekut.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›