E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundimi i afatit të kasave, gjobiten 670 subjekte nga tatimorët

DURRËS Drejtoria rajonale tatimore në Durrës ka gjobitur 670 subjekte për mosrespektim të afatit për vendosjen e kasës fiskale. Subjektet në fjalë janë gjobitur gjatë ditëve të fundit, pasi afati ligjor për vendosjen e kasave përfundoi më 31 dhjetor të vitit të kaluar. Burime nga drejtoria rajonale tatimore kanë bërë të ditur se gjobat e vëna ndaj subjekteve të mësipërme kapin vlerën e 67 milionë lekëve dhe ato janë vënë nga pothuajse të gjitha agjencitë që varen nga drejtoria e Durrësit. Drejtori i kësaj drejtorie, Shkëlqim Fortuzi, ka deklaruar se fiskalizimi i bizneseve është një prioritet i punës sonë dhe tashmë subjektet që nuk i kanë vënë kasat, sipas ligjit përkatës, do të ndëshkohen me gjobë. Fortuzi ka shtuar se në total afër 80 për qind e bizneseve i kanë vendosur kasat fiskale, por ka akoma një numër mjaft të madh që nuk e kanë zbatuar këtë gjë brenda afatit të përcaktuar nga Ministria e Financave. Gjoba që është aplikuar në këtë rast për subjektet që nuk kanë vendosur akoma kasën, ishte në vlerën e 10 000 lekëve të reja. Një përqindje relativisht e ulët e vendosjes së kasave fiskale është konstatuar në zonat e Kavajës dhe Krujës, ku niveli i përqindjes së kasave të instaluara në subjektet e këtyre rretheve shkon jo më shumë se 70 për qind. Tatimorët kanë paralajmëruar subjektet se bizneset e gjobitura mund të ndëshkohen edhe me bllokim të aktivitetit, nëse nuk vendoset brenda një afati dyjavor kasa fiskale, duke bërë edhe pagesën e gjobës për këtë arsye. A.k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›