E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia në gjysmëfinale, Anglia gjunjëzohet me 11-metërsha

Përgatiti: Erion ABULE

Çerekfinale dramatike mbrëmë në Kiev, ku axurrët kualifikohen me penallti dhe peshkojnë Gjermaninë. Vendosin nga 11-të metrat Bufon dhe Diamanti

Italia është në gjysmëfinale të Euro 2012 dhe do të ndeshet të enjten në gjysmëfinale kundër Gjermanisë. Por u deshën 11-metërshat për të vendosur gjysmëfinalisten e dytë të veprimtarisë europiane, pasi 90-të minutat dhe koha shtesë u mbyll pa gola 0-0, pavarësisht nga mbizotërimi axurr për pjesën më të madhe të ndeshjes.

Gabimet e Balotelit dhe të De Rosit, e mbajnë në lojë Anglinë, e cila pastaj u detyrua të dorëzohet nga 11-të metrat me gabimet e Jangut dhe mbrojtësit Kol.

Një e majtë e hidhur e Diamantit dhe një ulërime e fortë nga Kievi, ka ngritur një Itali të tërë në këmbë dhe jo vetëm, pas një ndeshjeje të mbizotëruar për 120 minuta kundër Anglisë, e cila thuajse u mbyll vetëm në mbrojtje.

Që mbrëmë, fjala catenaccio nuk është vetëm firmë italiane. Mjeshtrit e futbollit kanë dashur të kopjojnë Italinë, por jo atë të Prandelit, e cila ka ndërtuar me dhjetëra topa për gol, të gabuara apo të humbura nga Baloteli, De Rosi dhe Noçerino.

Jo keq, në gjysmëfinale do të jetë Gjermania dhe me siguri axurrët  do të kthehen në vendin e tyre, duke ua lënë ndeshjen gjermanëve, për të provuar të shfrytëzojnë me dinakëri dhe shpejtësi armët e sulmuesve italianë.

RREZIK Megjithatë, kundër luanëve, rreziku ekzistonte në çdo moment. Shumë rastësi negative, shumë sinjale kundrejt një top që nuk donte të hynte, pavarësisht gjithë trysnisë në fushë. De Rosi godet shtyllën nga 25 metra që në minutën e 3-të, pastaj Diamanti në minutën e 101-të bën të njëjtën gjë.

Pavarësisht nga mungesa e fatit, Italia tregoi akoma se kur luan me zemër dhe mendje ia arrin. Një paaftësi thuajse kronike për të shfrytëzuar topat për gol të krijuara, të cilat pa dyshim që e kanë shqetësuar trajnerin Prandeli, i cili brenda 30-të minutash, pa nga stoli të paktën tre raste të humbura nga Baloteli (përveç shtyllës).

BALOTELI SuperMario luftoi si një luan, ashtu sikundër ishte i ftohtë përballë Hartit në ekzekutimin e 11-metërshit të parë axurr. Sulmuesi italian mbajti i vetëm mbi shpinë një repart të tërë kundër miqve të tij anglezë dhe këta të fundit nuk mendonin gjë tjetër veç lotarinë e penalltive.

Më mirë kështu duhet të ketë menduar dikush, edhe pse pas golit të anuluar (me të drejtë) të Noçerinos pak minuta nga fundi i pjesës së dytë të kohës shtesë dhe gabimit nga pika e bardhë e Montolivos, mendimet negative ishin të pritshme.

Duhej një goditje klasi, një gjenialitet, si ai e Pirlos me Italinë që humbiste 2-1 në momentin e penalltive: një goditje parabël e ulët, që gjunjëzon Hartin në portë dhe Anglia psikologjikisht bie.

Jang godet dhunshëm, por topi prek traversën dhe në fund Kol hipnotizohet nga Bufon. Pastaj Noçerino në fillim dhe Diamanti më pas nisin festën axurre. Nëse anglezët do të dilnin në gjysmëfinale pa luajtur, do të ishte një gjë e çmendur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›