E Diel, 1 Nëntor 2026

Prandeli: Fituam me ide dhe shpirt skuadre

Trajneri i Italisë shijon arritjen në gjysmëfinalen e Euro 2012: E merituam, lojtarët e mi u treguan të shkëlqyer. Gjermania? Eshtë favorite.

Kemi luajtur një ndeshje të madhe. Jo vetëm që ishim më të fortë se anglezët, por edhe më shumë se kaq: ne ishim një ekip që luajti në mënyrë të shkëlqyer. Çezare Prandeli është shumë i kënaqur për Italinë e tij, pas suksesit ndaj Anglisë në çerekfinalet e kampionatit europian.

Trajneri i axurrëve nuk e fsheh entuziazmin: Kemi luajtur me zemër, me karakter, me shpirt skuadre dhe me shumë ide. Kemi elementët më të rëndësishëm në botën e futbollit dhe të paktën këtë herë shkojmë në gjysmëfinale me të drejta të plota.

Dominuam lojën dhe nuk i lamë të na kundërsulmonin. Pastaj është normale që penalltitë janë fat. Por unë jam i bindur që e merituam të shkojmë mes katër skuadrave më të mira të Euro 2012, duke realizuar objektivin madhor që kishim kur nisi ku veprimtari.

Kundërshtari i ardhshëm do të jetë Gjermania: Ata janë favoritë, por le ta shijojmë këtë fitore për dhjetë minuta, pastaj të nisim të mendojmë për Gjermaninë.

Ndërkohë, Diamati, lojtari që shënoi 11-metërshin e fundit që i dha kualifikimin axurrëve deklaroi: Besuam deri në fund te fitorja dhe mendoj se 11-metërshat vunë drejtësi për atë që ndodhi në fushën e lojës.

Nuk kemi humbur asnjë ndeshje dhe e meritojmë të shkojmë në gjysmëfinale. Prandeli ka ndërtuar një Itali të fortë, ku gjithsecili prej nesh jep kontributin e tij. Montolivo, i vetmi nga futbollistët e Italisë që humbi penalltinë, shtoi: Gabimi nga pika e bardhë ishte diçka e tmerrshme.

Në atë moment mu përmbys bota, por fatmirësisht erdhën traversa dhe pritje e Bufonit. Nuk e meritonim të dilnim jashtë pe penallti pasi kishim dominuar për 120 minuta, – përfundoi mesfushori.

Kritika ndaj kombëtares

Shtypi anglez: U vendos drejtësia!

Një humbje pa asnjë justifikim. Shtypi anglez nuk përdor doreza për të treguar humbjen e kombëtares së tyre ndaj Italisë, në çerekfinalet e Euro 2012. Koha e rregullt u mbyll 0-0, ndërsa axurrët fituan me penallti.

Drejtësia u vu në vend, – ishte titulli në internet i vënë nga Daily Telegraph, ndërsa The Guardian e imitonte, por me një fjalë të vetme: Drejtësi! Na mundëm, nuk meritonim asgjë më shumë, – lexohej në shkrimin on-line të The Guardian.

Duke qenë zemërgjerë mund të themi se skuadra jonë është luftarake, nëse do të tregohemi të ashpër mund të themi se ndaj Italisë nuk do të fitonim edhe po të kishte zgjatur ndeshja dy ditë. Për fat të mirë nuk do të ndeshemi me Gjermaninë.

Të vetmet fjalë të ëmbla vijnë nga Daily Mail Pavarësisht nga humbja, skuadra e Hodgsonit tregoi kurajë, në një ndeshje që na bëri me zemër dhe e mbushur me episode. Titulli i Mirror ishte CIAO ENGLAND” (me një foto të Balotelit), ndërsa The Sun shkruan: Ndodhi përsëri.

 

Gjysmëfinalja e Europianit do të jetë rasti i revanshit për gjermanët, që në fazat finale të veprimtarive të mëdha, nuk i kanë mundur kurrë axurrët

Sërish Itali-Gjermani. Kujtime të ëmbla botërore…

Itali-Gjermani sërish, me një tjetër sfidë të enjten. Golin e fundit axurr, gjermanëve ua ka shënuar Xhuzepe Rosi, një djalosh që në Euro 2012 dukej se do të ripërshkruante gjurmët e një tjetër Rosi.

Por pas golit të barazimit 1-1, në miqësoren e Dortmundit (18 shkurt 2011, edhe Kloze shënoi), për fat të keq, sulmuesi i Vilarealit u dëmtua dhe nuk mund të vinte në Poloni dhe Ukrainë.

Kësisoj, Dortmundi dhe kombëtarja janë të lidhura me një kujtim të bukur dhe të rëndësishëm: në vitin 2006, pikërisht në Westfalenstadion, Groso dhe Del Piero shënuan në kohën shtesë, duke ua prishur ëndrrën të zotëve të shtëpisë dhe dolën në finalen e Berlinit nën urdhrat e Marçelo Lipit: ishte 4 korrik.

Provat gjenerale ajo Itali i kishte bërë në marsin e të njëjtit vit, duke i mundur 4-1 gjermanët në miqësoren e Firences, me Xhilardinon, Tonin, De Rosin dhe Del Pieron që shënuan.

AJO FITORE  4-3… Në fazat finale të veprimtarive të mëdha, Gjermania Perëndimore ka dalë gjithnjë e humbur nga sfidat me italianët. Ndonjë barazim aty-këtu (1-1 në Dyseldorf, (Europiani 88, Brehme i përgjigjet Mançinit), 0-0 si në Kili 62, ashtu edhe në Argjentinë 78), por edhe dy humbje te destinuara të qëndronin në legjendën e futbollit.

Në Meksikë, në vitin 1970, materializohet fitorja 4-3, më e famshmja e historisë: shënon menjëherë Bonisenja, barazon Shnelinger in extremis, Myler shënon dy gola në kohën shtesë, por ndërkohë vijnë golat e Burgnish dhe Rivës, para se Rivera të niste festën e tifozëve axurrë.

ULËRIMA E TARDELIT Një tjetër kapitull kryesor i rivalitetit italo-gjerman është pa dyshim Botërori 82. Në finalen e Madridit është simfoni tringjyrëshe: Paolo Rosi, Tardeli (e paharrueshme ulërima e tij) dhe Altobeli e kthejnë në hiç golin e Breitnerit, kurorëzojnë ëndrrën e trajnerit axurr Bearxot, me presidentin Pertini që duartroket nga tribuna.

Në atë mbrëmje festimesh mes 11 dhe 12 korrikut 1982, në Bari lind një farë Antonio Kasano, i cili mund të jetë protagonist pas tri ditësh.

Polemika

Bufon është i pakënaqur: Festoj vetëm nëse fitoj

Xhixhi Bufon nuk qesh edhe aq shumë, por nuk e fsheh kënaqësinë e tij për kualifikimin në gjysmëfinale të Euro 2012. Ishim më mirë se Anglia, duke krijuar shumë topa për gol, – tha kapiteni axurr. Edhe fizikisht ishim më mirë dhe e treguam deri në sekondën e fundit të kohës shtesë.

Pas penalltisë së Montolivos? Mendova vetëm që duhej të prisja më shumë, sepse skuadra e meritonte dhe besoj se e meritoja edhe unë, ndonëse dikush mund të jetë irrituar për këtë. Pse nuk festoj shumë? Nuk mund të ekzaltohesh për një gjysmëfinale. Unë festoj vetëm nëse fitoj.

Me nerv shiatik

De Rosi rrezikon të mungojë ndaj Gjermanisë

Ai që ia ka hequr pjesërisht buzëqeshjen Daniele de Rosit, një nga lojtarët më të mirë në fushë kundër Anglisë, është dëmtimi që e ka detyruar të dalë nga fusha në mes të pjesës së dytë:

Pata një problem në nervin shiatik, shpresoj të riaftësohem në kohë për gjysmëfinalen kundër Gjermanisë, sepse do të jetë një sfidë e madhe. Po luaja shumë mirë dhe këtë e tregova në fushë. De Rosi komenton edhe penalltinë në formë parabël të Andrea Pirlos: Më ka kujtuar atë të Totit kundër Holandës në Euro 2000. Një gol i mrekullueshëm.

Mesfushori

Pirlo: Goli? E pashë Hartin shumë të karikuar…

Shkundjen nga 11-metërshat e dha pikërisht ai, Andrea Pirlo, me Italinë që po humbte në ato momente 2-1. Goditja e tij në formë parabël, i ka shpërqendruar anglezët dhe regjisori i kombëtares dhe i Juventusit, shpjegon kështu:

E pashë që Harti ishte shumë i karikuar dhe mendova se ishte më e lehtë të godisja ashtu, – pranon Pirlo. Një gjë e tillë i krijoi disi presion për goditjet e pasardhëse. Pirlo flet edhe për shokun e skuadrës De Rosi, i cili doli i dëmtuar nga fusha: Po zhvillon një Europian të madh, shpresojmë ta riaftësojmë ndaj Gjermanisë. Një si Daniele është i rëndësishëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›