Ankohet kryebashkiaku: Zëri i hoxhës po na lë pa punë
BURREL/ HASAN PASHA
Thirrja për falje nga xhamia e qytetit të Burrelit duhet të bëhet me zë të ulët. Kërkesa e rrallë pritet t’i drejtohet nga kryebashkiaku i qytetit imamit, për shkaktim të zhurmave shqetësuese. Ajo bëhet, sipas kryebashkiakut Skënder Lleshi, pas një sërë ankesash të banorëve, pjesa dërmuese e të cilëve në fakt i përkasin besimit mysliman. Pa u harruar ende përpjekja për të larguar nga sheshi para bashkisë bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vjen reagimi tjetër i vendorëve të Burrelit. Kryetari i bashkisë është shprehur publikisht se do t’u kërkonte zyrtarisht drejtuesve fetarë të xhamisë së Burrelit të ulin zërin e altoparlantëve, sepse, sipas tij, zëri i lartë ka krijuar shqetësim te qytetarët. Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku i Burrelit tha: “Vërtet zhurma e lartë është shqetësim, paçka se ata janë në të drejtën e ushtrimit të fesë. Por çdo gjë që cenon tjetrin, lirinë e individit, nuk është krejt e drejtë. Këtë shqetësim e kanë sjellë në zyrat e bashkisë shumë qytetarë. Ata kanë komunikim të drejtpërdrejtë me xhaminë. Unë ende nuk u jam drejtuar drejtuesve fetarë me ndonjë shkresë, por pas ankesave të qytetarëve do t’u kërkoj fetarëve të paktën të ulin volumin e altoparlantëve”. Ndërkohë fetarët e qytetit të Burrelit dhe predikuesit e rregullt të faljeve kanë kundërshtuar kryetarin e bashkisë, teksa janë shprehur se lutja e tyre duhet dëgjuar në të gjithë qytetin, qoftë dhe në orët e natës. “Kështu ndodh në çdo vend mysliman të botës”, kanë këmbëngulur hoxhallarët, të cilët arsyetojnë se faljet nuk krijojnë aspak zhurmë e shqetësim, por ato janë një gjë mjaft e mirë dhe joshëse për të gjithë besimtarët myslimanë. Qytetarët thonë se duhet bashkëbiseduar me drejtuesit fetarë të Myftinisë së Matit dhe argumentet e tyre duhen dëgjuar me kujdes. Asnjë masë ndëshkimore nga bashkia nuk mund të merret, pasi faljet fetare dëgjohen kudo. “Falja është një gjë e shenjtë dhe askush nuk mund ta ndalojë atë. Ne me sa duket jemi të parët për gjithçka”, shprehen qytetarët e Burrelit. Xhamia ndodhet në një distancë të vogël nga godina e bashkisë dhe më shumë nga qendra e qytetit. Gjatë pasdites së djeshme, pavarësisht deklaratës së kryebashkiakut në publik, thirrja për falje është bërë me të njëjtin volum zëri.