Kundër raportit të BE-së
Blendi Kajsiu
Raport-progresi i vitit 2008 më shumë sesa hallet e Shqipërisë trajton shqetësimet e BE-së. Një shqetësim i hershëm i BE-së për Shqipërinë ka qenë bashkëpunimi PD-PS. Sot BE-ja e përshëndet këtë bashkëpunim pothuajse pa asnjë rezervë thelbësore, pavarësisht se ai po ndodh në kurriz dhe jo për hir të demokracisë së brishtë shqiptare. Vini re se si progres-raporti i fundit i Komisionit Europian (KE) e injoron çështjen e referendumit për ndryshimet kushtetuese të 21 prillit dhe qëndrimin anti-demokratik PS-PD kundër referendumit për Kushtetutën. Bashkimi Evropian është në të njëjtën valë me bashkimin PD-PS, edhe pse një referendum popullor për ndryshime themelore të po asaj kushtetute që është miratuar me referendum është një standard minimal dhe i domosdoshëm i demokracisë. Ndërkohë një nga shqetësimet themelore në skenën politike sot, se PD-PS-ja po i kryejnë ndryshimet kushtetuese dhe elektorale thjesht për të ruajtur monopolin e tyre politik, është pothuajse tërësisht inekzistent në progres-raportin e fundit të Komisionit Europian. Po kështu shqetësimet më kryesore për qytetarët shqiptarë si zhvillimi ekonomik, papunësia dhe të ardhurat në përgjithësi nuk përbëjnë aspak shqetësim për BE-në. Përkundrazi përsa i përket zhvillimit ekonomik, BE e përshëndet ecurinë e Shqipërisë. Madje, sipas raportit të fundit të KE-së, kushtet e tregut të punës u përmirësuan gjatë vitit 2007-2008, dhe papunësia shkoi nga 13.9% në 2006 në 13.4% në 2007 dhe 13% në mars të 2008. (Albania 2008 Progress Report, faqe 21) Një shifër kaq të ulët të papunësisë edhe qeveria shqiptare që nuk i druhet ekzagjerimeve ka frikë ta mbrojë publikisht. Jo vetëm papunësia ka rënë, por edhe ekonomia është rritur me 6%, rritja më e madhe kjo që nga viti 2002 bashkë me të ardhurat për frymë. (shiko faqen 20 të raportit). Vlerësimi pozitiv dhe në rritje për progresin ekonomik të Shqipërisë nga ana e BE-së është tërësisht në kahje të kundërt me vlerësimin e qytetarëve shqiptar. Viti 2007, të cilit Komisioni Europian i referohet në raport–progresin e vitit 2008, si një nga vitet më të suksesshme në ekonominë shqiptare, është një nga vitet më problematike si për qytetarët, ashtu dhe për bizneset vendase. Kështu në sondazhin e bërë nga Instituti për Zhvillim dhe Alternativa Kërkimi (IDRA) në janar–shkurt të 2008, 32% të intervistuarve cilësonin papunësinë si problemin themelor në Shqipëri, ndërkohë që për vitin 2006 kjo shifër ishte 25.7%. Në po të njëjtin sondazh 60.4% e të intervistuarve e vlerësonin situatën ekonomike si keq ose shumë keq, në krahasim me 47.8% në vitin 2006. (shiko Sondazhi i Korrupsionit 2008: Perceptime dhe Përvoja, www.idra-al.org). Ndonëse sondazhi i IDRA-s është kryer në periudhën janar–shkurt të 2008, në këto dy raste perceptimet reflektojnë edhe një situatë ekonomike që është krijuar përgjatë vitit 2007, që raporti i BE-së e cilëson si më të suksesshmin ekonomikisht. Në fakt edhe vetë BE-ja e pranon me gjysmë zëri në raport se shifrat e papunësisë duhen marrë me rezerva, pasi sektori informal është mjaft i madh. Por pavarësisht shifrave krejtësisht të pabesueshme, raporti nuk heziton të bëjë vlerësime që bazohen te ndryshime të një rendi prej 0.4% dhe 0.5% të shifrës së papunësisë, ndërkohë që vetë kjo shifër mund të jetë 100% e pasaktë. Spekulime të tilla më shumë sesa rigorozitetin shkencor të raportit të BE-së tregojnë dëshirën e saj për t’i dhënë një notë pozitive zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, edhe pse ky është një nga sektorët më problematikë dhe shqetësues për qytetarët shqiptarë. Kjo tendencë nuk është aspak e kufizuar tek raport-progresi i fundit. Pothuajse në çdo raport-progres Shqipëria merr vlerësime negative përsa i përket institucioneve, demokracisë, sistemit të drejtësisë dhe korrupsionit, kurse zhvillimi ekonomik nuk përbën kurrfarë shqetësimi serioz për BE-në. Po të ndjekim raportet e progresit të BE-së, Shqipëria ka vite që rritet ekonomikisht në mënyrë impresive. E megjithatë Shqipëria ia arrin të mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë. E megjithatë shqiptarët mezi presin të liberalizohen vizat që t’ia mbathin nga sytë këmbët. Kështu zhvillimi ekonomik që sipas të gjitha sondazheve përbën shqetësimin kryesor për shqiptarët, është nga pikat jo më shqetësuese për BE-në. Çështjet që mbeten shqetësuese për BE-në janë si gjithmonë korrupsioni, krimi i organizuar, sistemi i drejtësisë, administrata publike, pastrimi i parave, droga dhe trafiku i qenieve njerëzore. Një pjesë e mirë e këtyre çështjeve më shumë sesa shqetësime të Shqipërisë janë shqetësime të BE-së. Pastrimi i parave në vetvete natyrisht që nuk ka përse të përbëjë shqetësim për shtetin apo qytetarin shqiptar, ashtu sikurse nuk përbën shqetësim për qytetarin dhe shtetin zviceran, ku ky pastrim ndodh në sasi shumë më të mëdha. Krimi i organizuar ndoshta vërtet nuk është eliminuar një herë e mirë në Shqipëri, por natyrisht që ai nuk përbën një shqetësim në përditshmërinë e qytetarit shqiptar. Qeveria aktuale mund të kritikohet për shumë arsye, por suksesi i saj në luftën ndaj krimit të organizuar vështirë se mund të mohohet edhe nga opozita. E njëjta gjë mund të thuhet për trafikun e drogës. Jo vetëm që shqetësime të tilla për qytetarët shqiptarë nuk janë të së njëjtës rëndësi sa zhvillimi ekonomik, por në një masë të madhe ato burojnë direkt nga mungesa e tij. Në mungesë të një zhvillimi të tillë, të rinjtë shqiptarë do të vazhdojnë të merren me drogë dhe të bëhen pjesë e grupeve të organizuara kriminale. Në mungesë të vendeve të punës njerëzit do të vazhdojnë të trafikohen. Në mungesë të tregut bujqësor dhe punësimit fermerët shqiptarë do të vazhdojnë të mbjellin kanabis dhe ta shesin atë për të mbajtur frymën gjallë. Policia nën presionin e BE-së mund të vazhdojë të bëjë operacione antikanabis, të korrë dhe djegë të mbjellat, të fusë në burg fermerë, pleq dhe plaka, por ky problem nuk do të zgjidhet pa u zhvilluar fuqishëm ekonomia. Po të lexosh raportin e BE-së të krijohet përshtypja se mjafton që të forcohen institucionet, administrata, drejtësia, pronësia dhe gjithçka do të zgjidhet në Shqipëri. Ama këto çështje nuk mund të zgjidhen thjesht me reforma legjislative. Sado ligje të miratojë Parlamenti, shteti shqiptar nuk mund të forcohet në mungesë të zhvillimit ekonomik. Arsyeja pse sot administrata shqiptare nuk është meritokratike dhe cilësore është pasi ajo ofron vende pune për militantët apo simpatizantët politikë. Por diçka e tillë do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë papunësia është tejet e lartë dhe për sa kohë tregu nuk ofron mundësi punësimi apo rroga konkurruese për shumicën dërrmuese të forcës së punës. Nga ana tjetër, Shqipëria me zhvillimin e saj aktual ekonomik nuk arrin të krijojë një administratë cilësore dhe të mirëpaguar, ajo ende nuk arrin të tërheqë mendjet më cilësore në treg. Po kështu çështja e pronës nuk mund të zgjidhet për sa kohë buxheti i shtetit nuk e përballon dot as kompensimin e ish-pronarëve dhe as shpërnguljen apo strehimin e atyre që kanë zënë tokën. Garantimi i të drejtës së pronës nuk është thjesht problem legjislativ, por edhe financiar. Fakti që shteti shqiptar nuk arrin të garantojë këtë të drejtë, nuk është thjesht dështim legjislativ, por kryesisht financiar. E njëjta gjë vlen edhe për sistemin e drejtësisë, ky sistem nuk mund të ofrojë drejtësi kur si pasojë e mungesës së zhvillimit i gjithë sistemi ynë administrativ, legjislativ, ekonomik dhe politik prodhon veçse padrejtësi. Në raportet e BE-së presupozimi bazë është se mungesa e një shteti të fortë pengon zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë. Në pamje të parë kjo premisë duket e logjikshme dhe është përqafuar lehtë nga politikanët shqiptarë. Ama është akoma më e logjikshme të besosh se është zhvillimi ekonomik dhe social që prodhon një shtet të fortë. Eksperienca e vendeve të zhvilluara në Evropë, por edhe e të ashtuquajturve Tigra të Azisë, e ka demonstruar fuqishëm këtë. Përpara sesa të kishin institucione të forta vendet e zhvilluara kishin në fillim një zhvillim të fuqishëm ekonomik. Të ndërtosh institucione të forta me një ekonomi të dobët është si të ndërtosh një kala në rërë. Ne kemi kohë që e bëjmë këtë, edhe me ndihmën e pakursyer të BE-së. Prandaj prioritet më shumë sesa forcimi i institucioneve duhet të jetë zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës dhe rritja e të ardhurave e familjeve shqiptare. Këto janë objektivat në raport me të cilat duhet të vlerësojmë qeveritë shqiptare dhe jo në raport me shqetësimet që ka BE-ja për krimin, korrupsionin, trafikun apo drogën, të cilat janë pasoja të mungesës së zhvillimit. Arsyeja se përse BE-ja nuk i vë rëndësi zhvillimit ekonomik në Shqipëri është e dyfishtë. Së pari, prioritet për BE-në nuk është rritja e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, por sigurimi i stabilitetit në Ballkan, eliminimi i rrjeteve të drogës, trafikut dhe krimit që penetrojnë BE-në. Për këtë arsye BE-ja është gati të përshëndesë edhe akte jo demokratike dhe anti-zhvillim për Shqipërinë për sa kohë i interesojnë ose prodhojnë stabilitet për të. Së dyti, duke ia faturuar problemet e Shqipërisë institucioneve të dobëta, BE-ja thotë se problemi është tek implementimi i modelit të zhvillimit shqiptar dhe jo te vetë modeli. Me fjalë të tjera, për BE-në modeli i zhvillimit që i serviret sot Shqipërisë, ku shteti tërhiqet nga tregu, ruan disiplinën fiskale, hap tregjet lokale ndaj atyre ndërkombëtare dhe e bazon zhvillimin ekonomik tek investimet e huaja, është modeli i duhur për zhvillimin e Shqipërisë. Prandaj sipas raporteve të BE-së, Shqipëria ka arritur suksese të mëdha në fushën e zhvillimit ekonomik, edhe pse këto suksese nuk mjaftojnë që t’i mbajnë shqiptarët në Shqipëri. Problemi është thjesht me zbatimin e modelit dhe jo me modelin në vetvete. Në fakt është pikërisht ky model zhvillimi që duhet vënë në pikëpyetje sot më shumë se kurrë, në mënyrë që Shqipëria të mos mbetet vendi më i varfër në BE edhe pas 30 vitesh. Pas thuajse 20 vitesh zhvillim të pandërprerë me modelin aktual, ne ende mbetemi vendi më i varfër në Evropë. Ka ardhur koha ta rivlerësojmë modelin tonë të zhvillimit. Hapi i parë për këtë është të vëmë mënjanë raportet dhe indikatorët e BE-së dhe të krijojmë raportet dhe indikatorët që do të masin dhe vlerësojnë mirëqenien tonë dhe jo atë të BE-së.