Poligonet e demontimit, opozita nuk jep konsensus
Kuvendi miratoi pa konsensusin e opozitës projektligjin “Për ngritjen e 8 poligoneve të reja për demontimin e armëve”. Opozita edhe pse ka votuar pro parimisht, ka shprehur kontestime për përcaktimin konkret me emra të zonave ku do të ngrihen poligonet e demontimit. Tragjedia e ndodhur me Gërdecin, ka ndikuar në atë që në të ardhmen Kuvendi të shmanget nga përgjegjësia e ngritjes së fabrikave të reja të demontimit, të cilësuara si poligone, pasi përcaktimi i vendeve sipas opozitës duhet të realizohet me vendime të Këshillit të Ministrave. Nënkryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, socialisti Stefan Çipa e lidhi me faktin se “ligjet përcaktojnë kriteret se ku ngrihen poligonet dhe jo vendet, pasi ato përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave”. Ky propozim u mbështet dhe nga socialisti tjetër Pirro Lutaj, por maxhoranca nuk e mori në konsideratë kërkesën e tyre. Në tërësi projektligji u votua me 51 vota pro të maxhorancës, 27 kundër dhe 2 abstenime.