E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, Rama kundër qeverisë

 

ADI SHKEMBI

Institucionet e pavarura dalin kundër qeverisë për projektbuxhetin e vitit 2009. KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme kërkojnë në komisionin e Ligjeve shtim të fondit të investimeve, pagave dhe numrit të punonjësve. Fillimisht ishte kreu i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili duke komentuar projektbuxhetin e ri para deputetëve të komisionit të Ligjeve, kërkoi shtim të organikës së këtij institucioni me të paktën 10 punonjës, pesë prej të cilëve do të jenë inspektorë. “Për vitin 2008 është miratuar një numër total prej 41 punonjësish. Kemi 12 inspektorë në dispozicion për të vlerësuar dhe në krahun tjetër kemi 200 mijë çështje të shqyrtuara për tre vjet. Në emër të KLD, ky mision i rëndësishëm kushtetues, së paku do të donte tre apo katërfishin e numrit të inspektorëve, por duke pasur parasysh prioritetet e qeverisë vijmë këtu me një kërkesë modeste, që së paku nga 12 inspektorë të kërkojmë rritjen në 17”, tha Spahiu. Ndërsa duke iu referuar fondit të akorduar për KLD-në, Spahiu tha se investimet e brendshme për vitin e ardhshëm janë 2 milionë lekë, ose 5 herë më pak nga ky institucion kishte kërkuar. Në përgjigje të kërkesave të zv/kryetarit të KLD-së, drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, tha se për asnjë institucion, me përjashtim të burgjeve, nuk janë pranuar kërkesat për rritje të numrit të punonjësve. Ndërsa për kërkesën për shtim fondi, Dhëmbi tha se KLD i ka kërkuar ato për shtim automjetesh, teksa i ka sugjeruar të përdorin automjetet e rezervës së shtetit.
Kryeprokurorja
Në të njëjtën linjë me zv/kryetarin e KLD-së, duket se ka qenë edhe prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Në fjalën e saj para deputetëve të komisionit të Ligjeve mbrëmë, ajo tha se në fondin e pagave janë ulur 77 milionë lekë dhe Financat e kanë argumentuar këtë ulje me faktin se do të ulet kontributi i sigurimeve shoqërore. “Ky argument nuk justifikohet me uljen e 8% të fondit të pagave gjithsej të Prokurorisë së Përgjithshme”, tha Ina Rama. Gjithashtu, ajo kërkoi edhe rritje të numrit të punonjësve në këtë institucion me 15 vetë, që do të jenë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Në të njëjtën kohë ajo kërkoi edhe rritjen e fondit të investimeve me vlerë 12 milionë lekë. Lidhur me pretendimet e kryeprokurores për çështjen e fondit të pagave, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave tha se “ne garantojmë sistemin bazë të pagave, por ka diskutime pjesa e shtesave mbi pagën e prokurorëve. Ne s’mund të gjykojmë në mënyrë apriori. Në lidhje me sigurimet shoqërore, ne kemi zbritur nën tavanin. U deklarua ulja nga 20% në 15% dhe ne bëmë zbritjet nga jashtë për të gjitha tavanet e të gjitha institucioneve”. Ndërsa për shtimin e numrit të punonjësve Dhëmbi ka argumentuar njësoj si me rastin e KLD-së. Kreu i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka vënë theksin te pagat e prokurorëve për orët jashtë orarit, duke u shprehur se në të kaluarën ka pasur raste që prokurorët uleshin në kafe dhe merrnin orë jashtë orarit. Por sipas kryeprokurores, ky institucion është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë, deputeti i PS-së, Bashkim Fino i kërkoi Ministrisë së Financave të marrë parasysh dy kërkesat e KLD-së dhe Prokurorisë për shtimin e numrit të punonjësve.

Batutat Fino-Rusmali

Fino: Unë mendoj që ardhja e ministrit të Drejtësisë për të mbrojtur dhe për të thënë fjalë të lumturuara për projekt buxhetin e vitit 2009 përbëjnë një provokim për dy ish-ministrat e drejtësisë së kësaj qeverie, zotin Rusmali e Bumçi, sepse vetë ministri sapo tha që fondet janë rritur dy deri tre herë në krahasim me 2006. I drejtohem Bumçit dhe Rusmalit ta votojnë pro buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

Rusmali: Përveç meritave që ka qeveria në përqendrimin më të madh të fondeve publike, në këtë çështje shumë të madhe për sistemin tonë të drejtësisë, s’mund të vëmë në dyshim edhe kontributin e vet ministrit në vëmendjen, që ai i kushton realizimit dhe mbështetjes me financim të këtyre objektivave. Ka ecur në rrugën e shtruar nga zoti Bumçi, por ka ecur më shpejt se zoti Bumçi dhe se unë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›