Po Evropa çfarë thotë?
Andis Harasani
Një nga dëshmitë më tronditëse, por dhe më kurioze të historisë shqiptare vjen nga Eqrem Bej Vlora. Ishte viti 1913 dhe vendi kishte qeverinë e Ismail Qemalit, në derën e të cilit trokitën një grup lebërish të inatosur të ndarë nga gjaku me njëri-tjetrin: ishin rrahur fshatçe për problemin e një kullote. Ankesa e tyre në qeveri po përfundonte me paqe, kur njëri prej tyre pyet: Ismail Bej, po Evropa, çfarë thotë Evropa për bariun tonë? Sipas dëshmisë, Plaku i urtë u kishte dhënë një përgjigje lapidare: “Vallahi, shumë kanë shkruar gazetat e tyre”! Atëherë dhe vetëm atëherë lebërit tanë – ata mbanin në kokë qeleshe njëlloj si Berisha pak ditë më parë - pranuan verdiktin e dhënë edhe nga Evropa, nuk duhet të vriteshin me njëri-tjetrin, sepse Evropa e kishte kënduar trimërinë e tyre. “Telegramet ven´ e vijnë/ që nga Roma në Berlin”, poezia popullore e shtatë viteve më pas ishte tjetër histori në fakt. Shumë telegrame kanë vejevajtur nga kancelaritë evropiane e botërore edhe në 1999, në çastin e vetëm të lavdisë së shqiptarëve, në atë segment kohor të “dhjetë minutave” vëmendje kur lebërit dhe tiranasit, tropojanët dhe gjirokastritët vërtet bënë diçka të pazakontë në zgjidhjen e konfliktit me Serbinë nacionalkomuniste të Milosheviçit dhe tragjedisë humanitare të refugjatëve. Pjesa tjetër e telegrameve që bëjnë të njëjtin segment, janë kryesisht anekdota politike për provincialitetin e politikës shqiptare apo dhe bëmat dhe gjëmat e saj.
Anekdota e vjetër historike, mirë apo keq, shumë apo pak, direkt apo indirekt, ndodh ditë mbas dite edhe në Shqipërinë e sotme moderne, në Shqipërinë që ka marrë ftesën për në NATO, që po tenton të hyjë në BE, që hidhet në erë në Gërdec, që vidhet metër pas metri asfalt në rrugën që të çon në Kukës, që drejtohet nga njerëzit e marrë peng nga Fazlliçët, në qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, reformës në drejtësi, Kodit Elektoral e gjithçka tjetër që frymon në përditshmërinë tonë të trishtë.
“Po Evropa çfarë thotë”? tashmë është një pyetje që nuk e bën një dërgatë lebërish analfabetë të pothuaj një shekulli më parë, kjo është një pyetje që përsëritet në të gjitha sallonet e politikës në Tiranë, nga media, nga publiku e gjithkush tjetër qoftë dhe me vëmendjen minimale ndaj asaj çka ndodh me vendin. Këtë pyetje e bën pozita jonë qesharake, këtë pyetje e bën edhe opozita, e bën edhe opozita e opozitës, madje dhe shtresa e ndërmjetme gri që thjesht pret si do të ndahen “kullotat” e nesërme shqiptare.
Debati për Progres Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë ishte rasti i fundit në radhë. Pas tij do të ketë të tjerë dhe përpara tij ka pasur pafundësisht raste kur e njëjta situatë, të njëjtat detaje, i njëjti realitet është gjykuar në dy mënyra diametralisht të kundërta nga politika në Shqipëri. Dhe si reflektim tërësor i saj, po në mënyra diametralisht të kundërta është komentuar dhe servirur për opinionin publik. E bardhë apo e zezë, lart apo poshtë, gotë e mbushur apo e zbrazur, këto dilema na kanë shoqëruar dhe fatkeqësisht do të na shoqërojnë dhe për shumë kohë.
Fatkeqësisht, në pothuaj dy dekada pluralizëm në Shqipëri, ende nuk kemi mësuar të lexojmë qartë, prerë dhe pa ekuivokë atë çka përcillet në formë këshille apo sugjerimi nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Me një kokëfortësi tipike ballkanase dhe me anglishte të personalizuar, kryesisht maxhoranca kërkon të nxjerrë brohori ndërkombëtare edhe aty ku druri global i numëron brinjët korrupsionit, krimit të organizuar dhe autoritarizmit të pushtetit. Përtej një shembulli të freskët, mbas kritikave publike që iu bënë dy ministrave nga më kryesorët të kabinetit, ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, merhumët apo më saktë akoma, apostujt apokrifë në qeveri, e konsideruan keqkuptim deklaratën e fortë të ambasadorit amerikan në Tiranë. Zoti Uidhers kritikoi ndërhyrjen dhe zhbalancimin e dukshëm dhe diktatin e ekzekutivit ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe u detyrua që një ditë më pas, të ripërsëriste të njëjtën deklaratë. Kësaj radhe ballë për ballë me Kryeministrin Berisha. Të cilin e siguroi se fjalët e tij kishin pak të bënin me “keqkuptimin”. Shembuj të tillë janë të panumërt. Ato bëhen direkt të rrezikshëm kur “bijtë” shpirtërorë të vetë kryeministrit tentojnë të krijojnë bindjen se në Tiranë Uashingtoni ka dërguar një ambasador që flet vetëm në emër të tij. Mjerimi intelektual i kësaj teze na bën të gjithëve shumëfish të mjerë: mjerë ne, kush na drejton!
E njëjta situatë ndodhi me raport progresin, kur tamtameve të qeverisë iu përgjigj vetëm një ditë më pas një tjetër deklaratë e ambasadorëve të vendeve të BE-së. “Kujdes se mos keqkuptoheni sërish”!, ishte kësaj radhe këshilla e tyre.
Në një vështrim të përgjithshëm duket se Shqipërisë në një mënyrë të tillë i cenohet sovraniteti, por në botën e sotme ky është një koncept shumë më i tkurrur se dikur; në një botë ku duam të shënojmë dhe ne emrin dhe që po tenton shuarjen e kufijve, rregullat, mirëfunksionimi i demokracisë dhe normat ndërkombëtare domosdoshmërish do të jenë të detyrueshme dhe këtu. Ndërhyrjet kaq të shpeshta, kaq të hapura dhe direkte në atë çka ndodh në Tiranë, është sinjali që vetë demokracia shqiptare nuk ka mundur ende të krijojë ekuilibrin e institucioneve, kontrollin e tyre reciprok dhe të garantojë mirëqeverisjen e vendit. Kjo është dëshmia e hapur se kryeministri ynë, pavarësisht veshjes së tij, nuk ndryshon shumë nga lebërit e djeshëm. Ai është shumë më keq se ta: “Nëse nuk thotë gjë Evropa për zullumet e mia, do të vazhdoj të përqafoj fazlliçët”. Ky sovran i keq sot e ka të domosdoshme dorën e huaj që e kontrollon, që tenton ta korrigjojë dhe ta ndalojë në bëmat dhe gjëmat e tij. Nesër këtë gjë do ta bëjë sovrani i vërtetë. Vera e ardhshme është në prag. Atëherë do të mund të lexohen në shqipe korrekte edhe raportet që vijnë nga jashtë në Tiranë. Dhe atëherë do të shohim sesa lakuriq është mbreti ynë qesharak. Deri atëherë mbetet vetëm të qeshim me fazlliçët tanë.