E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anna Nicole ishte mjekuar tejmase nga mjekët

Dy mjekët e Los Angeles kanë përdorur emra të shumëfishtë për të mbuluar “medikamentet e fuqishme që shkaktojnë varësi” të Anna Nicole Smith, thanë prokurorët të mërkurën në hapjen e gjyqit, tre vjet pas vdekjes së befasishme të modelit të Playboy.
Prokurorët, po ashtu, kanë pretenduar që avokati dhe ish i dashuri i Smith, Howard K. Stern kanë ndihmuar që aktorja bionde të jetë e mjekuar tejmase, ashtu që kanë ftuar mjekë të ndryshëm për ta furnizuar me qetësues dhe droga tjera, dhe ndonjëherë janë marrë edhe vetë me administrimin e tyre.
Smith, modele dhe aktore televizive, e famshme për martesën e saj me miliarderin 89-vjeçar të naftës, vdiq në Floridë, nga një mbidozë aksidentale e medikamenteve, në shkurt 2007, në moshën 39-vjeçare.
Dy mjekët dhe Stern nuk janë akuzuar që kanë shkaktuar vdekjen e Smith, por janë akuzuar për përshkrimin e paligjshëm të recetave dhe dhënien e substancave të kontrolluara një personi me varshmëri për tri vjet.
Stern dhe mjekët Khristine Eroshevich dhe Sandeep Kapoor, të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. Ata mund të kalojnë më shumë se pesë vjet në burg në rast dënimi.
Prokurori Renee Rose i tha jurisë në Gjyqin Suprem në Los Angeles që Stern dhe Kapoor e kanë vënë Smith në nivelin e njëjtë të mjekimit edhe pasi që ajo ka dalë nga programi i detoksikimit në vitin 2006, derisa ishte shtatzënë me vajzën e saj Danielynn.
Por avokatët e Stern, thanë që Smith nuk ishte e varur por është ballafaquar me dhimbje kronike që nga viti 2000 dhe ka përdorur emra tjerë për të mbajtur të fshehura nga media problemet e saj mjekësore private.
“Ai (Stern) është kujdesur për të, e ka bërë të lumtur, e ka dashur”, tha avokati mbrojtës Steven Sadow. ”Ai është mbështetur në mirëbesim në gjykimin mjekësor të mjekëve.”
Eroshevich, një psikiatre që dikur ka jetuar afër Smith, në disa raste ka fluturuar në Bahamas për t’i dhënë medikamente për qetësimin e muskujve, tableta gjumi, tableta kundër depresionit dhe ankthit, tha prokurori Rose.
Por një avokat i Eroshevich tha që ajo nuk ishte “fabrikë ilaçesh” dhe recetat që ajo i shkruante nuk ishin ilegale.
Avokati i Kapoor tha që kishte pasur qëllime legjitime mjekësore për ilaçet që Kapoor i ka përshkruar.
Stern, Kapoor dhe Eroshevich janë akuzuar pas një hetimi të urdhëruar nga Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, gjenerali Jerry Brown, i cili është përbetuar të ndalë abuzimin me përshkrimin e recetave në këtë shtet.
Brown ka urdhëruar hetimet për vdekjet e lidhura me drogë, të më shumë se 200 njerëzve gjatë viteve të fundit. Zyrtarët e tij poashtu kanë ndihmuar me hetimin e vdekjes të Micheal Jackson vitin e kaluar, që kanë çuar tek akuzat ndaj mjekut personal të këngëtarit, Dr. Conrad Murray.
Gjyqi i Stern dhe dy mjekëve të Ann Nicole Smith pritet të zgjat të paktën disa javë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›