E Diel, 1 Nëntor 2026

Anna Oxa shpreh kënaqësi



Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha, mbrëmë, kishin të ftuar për një darkë miqësore artisten dhe këngëtaren e mirënjohur italiane me origjinë shqiptare, Anna Oxa.
Këngëtarja, moderatorja, prezantuesja e mirënjohur italiane, e cila është një avokate e shkëlqyer e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi në Itali e kudo në Europë, shoqërohej nga dy fëmijët e saj, vajza Francesca dhe djali Qazim.
Anna dhe fëmijët e saj ndodhen në Shqipëri për të kaluar pushime disa ditore në bregdetin tonë, por gjithashtu edhe në qytetin e Krujës, ku ka lindur babai i saj dhe me të cilin ajo ka një lidhje shumë të fortë shpirtërore.
Gjatë darkës, që u zhvillua në një atmosferë të përzemërt dhe familjare, Anna Oxa shprehu kënaqësinë për ndryshimet e dukshme që gjente në Shqipëri, krahasuar me vizitën e fundit. I pranishëm ishte gjithashtu edhe këngëtari i mirënjohur Ardit Gjebrea me bashkëshorten.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›