E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka disa pyetje për dëshirat



Për çdo dëshirë duhet shtruar pyetja: çfarë do të më ndodhë, nëse kryhet ajo çfarë kërkon dëshira, dhe çfarë do të më ndodhë nëse nuk përmbushet? Një metodë, që dhe pse nuk ka dëshmi të shumta, duhet të ndahet të paktën në pesë faza, të përkthyeshme me lehtësi në gjuhën e një doracaku udhëzimesh apo të një libri kuzhine, pa patur frikë se mos lëndohet kush.

Alain De BOTTON

Epikuri dhe miqtë e tij, për të mos qenë të detyruar të punonin në shërbim të njerëzve të pështirë dhe për të mos plotësuar tekat e tyre të mundshme poshtëruese, i braktisën punët e tyre në botën tregtare athinase (“Duhet të çlirohesh nga burgu i punëve dhe i politikës”) dhe i dhanë jetë asaj, që mund të quhet një komunë, duke pranuar, në këmbim të pavarësisë, një stil më të thjeshtë jetese. Pra, do të fitonin më pak, por nuk do t’u nënshtroheshin më urdhërave të eprorëve të shpifur.
Kështu, blenë një kopësht pranë shtëpisë, pak jashtë Dipilonit, dhe filluan të kultivonin një sërë perimesh, mes të cilave ndoshta bliton (lakra), krommyon (qepa) dhe kinara (paraardhës i angjinares së sotme, së cilës i haheshin rrënjët dhe jo gjethet). Dieta e tyre nuk ishte e stërholluar, as e bollshme, por sigurisht e ushqyeshme dhe e shijshme. Ashtu siç i shpjegonte Epikuri mikut të vet Meneçeut, “[I mençuri] i ushqimit nuk kërkon ato më të bollshmet, por ato më të mirat”. Thjeshtësia nuk kushtëzonte aspak perceptimin e statusit të tyre, sepse duke u larguar nga vlerat e Athinës, ata nuk gjykonin në bazë të parametrave materialë. Muret e zhveshura dhe të pazbukuruara nuk ishin një arsye për t’u sikletosur, ashtu sikurse ngulmimi te floriri dhe pasuritë nuk u sillte asnjë përfitim. Në gjirin e grupit të miqve që jetonin jashtë qendrës ekonomike dhe politike të qytetit, nuk kishte asgjë për të treguar dhe ritreguar - të paktën, jo në kuptimin financiar.

***
Pak barna kundër ankthit funksionojmë më mirë se sa mendimi. Të shkruash një problem apo ta shfaqësh atë gjatë një bisede, do të thotë të nxjerrësh aspektet themelore. Të njohësh tiparet themelore, do të thotë të arrish të eliminosh, nëse jo vetë problemin, të paktën peshën dhe faktorët dytësorë të tij: pështjellimin, habitjen, hutimin.
Në Kopësht, emër me të cilin vatra epikuriane u bë e famshme, të gjithë inkurajoheshin të mendonin. Shumë miq ishin shkrimtarë. Sipas Diogjen Laercit, vetëm Metrodori ishte autor i 12 veprave, mes të cilave kanë humbur Për rrugën e dijes dhe Për shëndetin e lig të Epikurit. Në kopësht dhe në sallat e përbashkëta të shtëpisë së Melites, kishte raste të shumta për të analizuar së bashku problemet me njerëz tepër inteligjentë, të ndjeshëm e të gjendshëm.
Epikuri, së bashku me miqtë e tij, prirej veçanërisht të mësonte, të shqyrtonte ankthet e veta lidhur me paranë, shëndetin, vdekjen dhe mbinatyroren. Të mendosh në mënyrë racionale për vdekshmërinë vetjake, thoshte ai, të ndihmon të kuptosh se pas vdekjes nuk ekziston gjë tjetër veçse harrimi, dhe se “ajo që nuk na turbullon kur është e pranishme, më kot na dhemb kur pritet”. Të lebetitesh para kohe për një gjendje, për të cilën askush nuk kishte një përvojë shqisore, ishte e pakuptimtë:
Vërtet, nuk ka asgjë të frikshme te jeta për atë që është vërtet i bindur se nuk ka asgjë të frikshme te jojeta. Analiza e qartë qetësonte mendjen dhe, sigurisht, u kurseu miqve të Epikurit përfytyrimet fluturake të vështirësive të shumta, që do t’i kishin munduar në botën kaq të pagjykimtë që ekzistonte përtej Kopështit.
Siç duket, pasuria mund të na bëjë të palumtur. Por tharmi i kumtit të Epikurit është: nëse kemi shumë para, por nuk kemi as miq as liri, dhe nuk bëjmë një jetë të matur, nuk do të jemi kurrë vërtet të lumtur. Nëse i kemi të gjitha këto përveç parave, nuk do të jemi kurrë të palumtur.
Për të saktësuar më mirë se çfarë është e pazëvendësueshme për lumturinë dhe nga cilat gjëra mund të hiqet dorë pa shumë ankime, ndërkohë që begatia na është mohuar për shkak të ndonjë padrejtësie shoqërore apo krize ekonomike, Epikuri i ndau nevojat njerëzore në tri kategori: Nga dëshirat disa janë të natyrshme dhe të domosdoshme, të tjera të natyrshme por jo të domosdoshme, dhe të tjera akoma as të natyrshme e as të domosdoshme.

***
Për atë që nuk është në gjendje të bëjë para apo ka frikë se mos i humbet ato, ndarja më tresh e Epikurit sugjeronte se lumturia varej nga një tërësi faktorësh psikologjikë dhe ishte relativisht e pavarur nga të mirat materiale, përveç mjeteve të domosdoshme për blerjen e ndonjë veshjeje të ngrohtë, të një vendi për të jetuar apo të diçkaje për të ngrënë - një shkallë prioritetesh e caktuar të bëjë të reflektojnë ata që e kishin njësuar gjithmonë lumturinë me projekte financiare madhështore dhe dëshpërimin e fitimeve të pakta.
Duke e paraqitur në një grafik marrëdhënien epikuriane mes parasë dhe lumturisë, vëmë re se aftësia e të parës për të siguruar të dytën është tashmë e pranishme te rrogat më të ulëta, por nuk rritet me të tjerat. Një mundësi më e madhe ekonomike nuk do ta pengojë lumturinë tonë, por nuk do të na bëjë as të kapërcejmë nivelet e lumturisë, që ndërkohë janë në duart e atij që mund të ketë të ardhura të pakta, ngulmon Epikuri.
Analiza varej nga një konceptim i veçantë i lumturisë. Për Epikurin, kur nuk vuajmë në mënyrë aktive, dhe meqë te vuajtja aktive na mungojnë veshjet e ushqimi, duhet të sigurojmë të holla të mjaftueshme për t’i blerë ato. Megjithatë, kjo vuajtje është një term shumë i fortë për të përshkruar atë që na ndodh kur jemi të detyruar të veshim një bluzë të zakonshme në vend të një petku kashmiri, apo të hamë një panine në vend të një pjate me midhje Saint-Jacques. Prej këtej vjen argumenti: ushhqimet e thjeshta, veç të tjerash, të japin të njëjtën kënaqësi me një jetë salltanetesh, sapo largohet krejtësisht dhimbja e nevojës.
Fakti që konsumojmë rregullisht vakte të ndryshme, nuk mund të jetë vendimtar për gjendjen tonë mendore.“Përsa i përket ngrënies së mishit, kjo nuk lehtëson as tendosjen e natyrës sonë, as ndonjë dëshirë, mosplotësimi i së cilës mund t’i japë zanafillë një vuajtjeje... Ajo për çka ndihmon mishi nuk është ruajtja e jetës, por larmia e kënaqësive... si të pish verëra ekzotike, të gjitha këto janë gjëra, për të cilat natyra jonë mund të bëjë pa to fare qetësisht.” Një përçmim të tillë për luksin mund të priremi t’ia veshim mungesës së larmisë së prodhimeve në dispozicion të ekonomisë arkaike të Greqisë helenistike. Megjithatë, argumentimi mund të mbrohet, nëse i referohet mungesës së ekuilibrit që ekziston në marrëdhënien lumturi-çmim për prodhimet e kohëve të fundit. Vërtet, nuk do të ishim të lumtur nëse do të kishim një makinë të shkëlqyer, por asnjë mik; apo një vilë, por jo liri; apo çarçafë mëndafshi, por ankth kur flemë. Derisa mbeten të pakënaqura nevojat themelore të rendit material, linja e grafikut të lumturisë fluturon poshtë.

***
Nëse duhet të shmangim atë që nuk na shërben apo të ankohemi për atë që nuk mund ta blejmë, në çastin kur do të ndiejmë se dëshirojmë një objekt të kushtueshëm duhet të pyesim me përpikmëri nëse bëhet fjalë për një dëshirë të pagjykimtë. Me fjalë të tjera, duhet të kryejmë ndonjë eksperiment mendor dhe të projektohemi përpara në kohë, deri në çastin kur dëshirat tona të përmbushen, për të matur pastaj shkallën e lumturisë së arritur. Për çdo dëshirë duhet shtruar pyetja: çfarë do të më ndodhë nëse kryhet ajo çfarë kërkon dëshira, dhe çfarë do të më ndodhë nëse nuk përmbushet?
Një metodë që edhe pse nuk ka dëshmi të shumta, duhet të ndahet të paktën në pesë faza, të përkthyeshme me lehtësi në gjuhën e një doracaku udhëzimesh apo të një libri kuzhine, pa patur frikë se mos lëndohet kush.
1.Të përpunohet një projekt lumturie. Për t’i kaluar i lumtur pushimet, duhet të banoj në një vilë.
2.Të përfytyrosh se një projekt i tillë mbështetet paraprakisht në kushte të gabuara. Të kërkosh përjashtime për lidhjen e hamendësuar mes objektit të dëshiruar dhe lumturisë. Pra, a është e mundur të zotërosh objektin e dëshiruar, por të mos jesh i lumtur? A është e mundur të jesh i lumtur, pa zotëruar objektin e dëshiruar? A mund të prish para për një vilë, e megjithatë të mos jem i lumtur? A mund t’i kaloj i lumtur pushimet, pa shpenzuar një thes me para për një vilë?
3.Nëse hasim ndonjë përjashtim, objekti i dëshiruar nuk mund të jetë shkak i mjaftueshëm dhe i domosdoshëm i lumturisë. Mund të kaloj pushime të tmerrshme në një vilë, për shembull, nëse do të ndihem i vetmuar. Mund të jem i lumtur në një tendë, për shembull, nëse do të isha në shoqërinë e një personi të dashur, që tregon se më çmon.
4.Për të qenë të sigurt se shkojmë drejt lumturisë, projekti fillestar duhet të rishikohet derisa të përfshijë përjashtimin. Që unë të jem i lumtur në një vilë, varet nga fakti nëse gjendem apo jo në shoqëri me një njeri të dashur, që tregon se më çmon. Mund të jem i lumtur pa shpenzuar një thes me para për një vilë, me kusht që të gjendem në shoqërinë e një personi të dashur që tregon se më çmon.
5. Nevojat e vërteta shfaqen tanimë të ndryshme nga dëshira jonë e pështjelluar fillestare.
Lumturia varet më tepër nga qenia në një shoqëri të mirë, sesa nga pasja e një vile të mrekullueshme. Të mirat më të mëdha nuk e çlirojnë shqetësimin e shpirtit, as sjellin gëzimin e vërtetë.

***
Por atëherë, nëse objektet e kushtueshme nuk janë në gjendje të na sjellin një kënaqësi të pamatë, përse ndihemi kaq të tërhequr prej tyre? Për shkak të një gabimi të ngjashëm me atë tipin e shqetësuar nga dhimbja e kokës që shpon kafkën: sepse sendet e kushtueshme mund të na duken si zgjidhje të pranueshme për nevoja që, në të vërtetë, nuk i kuptojmë. Sendet sjellin rishtas në rrafshin material atë për të cilën kemi nevojë në rrafshin psikologjik: duhet të qetësojmë mendjen tonë, ndërsa ndihemi të tërhequr nga mobiljet e reja; blejmë një bluzë kashmiri, ndërsa kemi nevojë për më tepër ngrohtësi nga miqtë tanë.
Megjithatë, nuk meritojmë vetëm qortime për pështjellimin tonë. Kuptimi tashmë i dobët i nevojave tona rëndohet vërtet nga ato që Epikuri i quante “opinione të përbashkëta” të atyre që na rrethojnë - opinione që nuk reflektojnë hierarkinë natyrore të nevojave në fjalë, por ngulmojnë te rëndësia e luksit dhe pasurive, dhe rrallë tek ajo e miqësisë, lirisë dhe mendimit. Nëse opinionet e zakonshme janë më të përhapurat, kjo nuk është e rastësishme: të falsifikosh hierarkinë e nevojave njerëzore për të nxitur një konceptim material të mirëqenies dhe të rrëzosh idetë që nuk mund të shiten, është në interes të ndërmarrjeve tregtare.
Nëse do të magjepsemi, kjo ndodh vetëm për shkak të lidhjes së hollë midis të mirave sipërfaqësore dhe nevojave tona të harruara.Për të kundërshtuar fuqinë e dukshme të luksit dhe të salltanetit, epikurianët përdornin publicitetin.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›