Kur Presidenti renditet i fundit
Sipas statistikava në SHBA, shteti i Floridës ka gjithsej 3 mijë shkolla publike dhe nga këto vetëm 5 mbajnë e emrin e Xhorxh Uashingtonit. Vështruar nga ky kënd, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara renditet i fundit, krahasuar me njëmbëdhjetë shkolla që mbajnë emra kafshësh, 54 emra palmash, 91 emra pyjesh dhe 155 emra liqenesh. Një pasqyrë e ngjashme vihet re edhe në shumë shtete të tjera amerikane. Një studim i para disa viteve, kryer nga Instituti kërkimor i politikave me seli në Manhaten, thotë se shumë shkolla amerikane kanë filluar ta braktisin praktikën e emërtimit të shkollave të reja me emra presidentësh, heronjsh a udheheqësish shoqërorë. Ato tani parapëlqejnë t’i referohen florës dhe faunës, natyrës, për emra që i bëjnë njerëzit më të ndjeshëm ndaj çështjeve e problemeve të ngutshme për zgjidhje.
Që një universitet sot del me propozimin për të mbajtur emrin e qytetit, si ai i Vlorës, duke ia lënë emrin e Ismail bej Qemalit mbarë kombit të nderohet, duhet parë më shumë si një prirje bashkëkohore e pashmangëshme, që tregon se ndryshimet, në këtë rast ato kulturore, po fillojnë të japin fryte dhe se intelektualët e rinj duket se mendojnë që, për të qenë shtetas i mirë e patriot, individi fillimisht duhet të mësohet, aty ku banon, të jetë qytetar i mirë. Sidoqoftë, për mjaft të tjerë, çdo propozim delikat mund të shihet nga kundërta, pra si antipatriotik. Veçse një gjë nuk duhet harruar, hapat para hidhen përmes debatit të pjekur. Mjerisht, në vend te dialogut, ende ka më shumë monolog.
Astrit LULUSHI (SHBA)
Emri është vetëdije dhe emërtimi është një prej riteve më të rëndesishme, në mos i shenjtë. Dhe jo pa qëllim, sepse të emërtosh diçka, do të thotë ta kontrollosh atë. Në rastin e institucioneve, shkollave a universiteteve publike, ky rit është kthyer në traditë, sepse emri pasqyron kombin, shtetin, qytetin, krahinën a fshatin që ka në pronësi institucionin. Dhe të emërtosh një institucion për nder të një personi kërkohet, të paktën në një shoqeri normale, që individi të jetë hero/heronë në shkallë vendore a kombëtare. Nga kjo pikëpamje, del se sa abnormale ka qenë shoqëria shqiptare e periudhës komuniste, ku shumë institucione a shkolla, rrugë a sheshe publike ishin pajisur me emërtime thellësisht ideologjike, shpesh të huaja, e që e bënin njeriun e thjeshtë të ndjente çdo gjë komuniste, por pak ose aspak vetëdije a ndjenjë kombëtare.
Mirëpo pa një vetëdijë vetjake, familjare, shoqërore e qytetarë njeriu nuk mund të jetë i vetëdijshëm as në shkallë kombëtare dhe, pa këtë të fundit, ai është i pavetëdijshëm edhe ndaj mjedisit që e rrethon, botës mbarë. Prandaj, një rrugë a autostradë do të bëhej më e kuptimplote, më e dashur, më e mirëmbajtur, nëse emërtohej Rruga e Luleve, e Molleve, e Shegëve, e Dardhave, e Pemëve. Një gjë e tillë do të zgjonte vetëdije dhe, nëse pemë nuk kishte në anë të rrugës, për të përligjur emrin, ato do të mbilleshin dhe pluhuri do të zhdukej.Kështu kanë vepruar shumë vende, që sot dallohen për mjedise, parqe, lulishte me bukuri mahnitëse, ku shpesh vetë kalimtarët kujdesen për to. Arsyeja për të krijuar këtë frymë a vetëdije, ka berë që edhe prirjet për emërtimin e institucioneve publike të marrin sot drejtime që pasqyrojnë ndryshime në kulturë, sjellje e mendime.
Sipas statistikava në SHBA, shteti i Floridës ka gjithsej 3 mijë shkolla publike dhe nga këto vetëm 5 mbajnë e emrin e Xhorxh Uashingtonit. Vështruar nga ky kënd, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara renditet i fundit, krahasuar me njëmbëdhjetë shkolla që mbajnë emra kafshësh, 54 emra palmash, 91 emra pyjesh dhe 155 emra liqenesh. Një pasqyrë e ngjashme vihet re edhe në shumë shtete të tjera amerikane.
Një studim i para disa viteve, kryer nga Instituti kërkimor i politikave me seli në Manhaten, thotë se shumë shkolla amerikane kanë filluar ta braktisin praktikën e emërtimit të shkollave të reja me emra presidentësh, heronjsh a udheheqësish shoqërorë. Ato tani parapëlqejnë t’i referohen florës dhe faunës, natyrës, për emra që i bëjnë njerëzit më të ndjeshëm ndaj çështjeve e problemeve të ngutshme për zgjidhje, siç janë ruajtja e mjedisit dhe gjelbërimit. Motoja e tyre është: “Jepuni njerëzve mundësi e kushte dhe ata do të mendojnë ndryshe.”
Një rast tjetër është ai i Bashkisë së Nju Orleansit në Luiziana, ku ka më se 10 vjet që asnjë shkollë nuk lejohet të marrë emrin e ndonjë personaliteti historik që ka mbajtur skllevër, duke skualifikuar kështu edhe emrat e Xhorxh Uashingtonit e Tomas Xhefersonit.
Gjithashtu, ka institucione që për t’u bere ballë pakësimeve buxhetore, kanë propozuar që t’ua shesin të drejtën e emërtimit korporatave. Por ka grupe të ndryshme qytetarësh, të cilët shqetësohen se emri një firme të njohur private do të afektonte negativisht idenë e arsimit publik, pasi askush nuk do te dëshironte që shkolla të quhej McDonald, Taco Bell apo Burger King, restaurante të njohura të shërbimit të shpejtë.
Por neutralizimi i emrave të institucioneve publike është vetëm një pjesë e çështjes, sepse, po sipas studimit të Institutit kërkimor të Manhatenit, çdo përpjekje për të rinxitur misionin qytetar të shkollave publike, do nxisë edhe ndryshime të gjëra kulturore.
Kështu pra, që një universitet sot del me propozimin për të mbajtur emrin e qytetit, si ai i Vlorës, duke ia lënë emrin e Ismail bej Qemalit mbarë kombit të nderohet, duhet parë më shumë si një prirje bashkëkohore e pashmangëshme, që tregon se ndryshimet (në këtë rast ato kulturore) po fillojnë të japin fryte dhe se intelektualët e rinj duket se mendojnë që, për të qenë shtetas i mirë e patriot, individi fillimisht duhet të mësohet, aty ku banon, të jetë qytetar i mirë. Sidoqoftë, për mjaft të tjerë, çdo propozim delikat mund të shihet nga kundërta, pra si antipatriotik. Veçse një gjë nuk duhet harruar, hapat para hidhen përmes debatit të pjekur. Mjerisht, në vend te dialogut, ende ka më shumë monolog.
25 Gusht 2008