E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balerina në majë të gishtave



Marko SOSIÈ

Auuu! Po rrëzooohem. Mbërthehem tek retë, tek pikat e shiut, te rrebeshi, te rrezet e diellit, dhe tund krahët shumë herë. Por asgjë. Po rrëzooohem. Poshtë meje është fusha që afrohet, gështenja në oborr, shtëpia, rruga që niset drejt qytetit, kalon përpara kishës e të çon në oborr, përpara shtëpisë. Shoh çatinë, si të kriposur me çakull. Retë dhe pikat e shiut janë zhdukur. I ka zhdukur dielli. Nuk ka asgjë ku mund të mbërthehem dhe tund krahët gjithnjë e më shpejt. Por asgjë. Shikoj hënën. Vezullon. Vezullon mbi çati, mbi gjethnajën që afrohet. Vithisem përsipër saj dhe zogjtë zgjohen. Auuu! Përshkoj tejpërtej çatinë. E shoh tek shkallmohet. Njëhopshëm zgjohem. Dergjem në fund të krevatit. Kam rënë prej krevatit, njëlloj si njëditëzaj, si sot. Nuk kam frikë, vetëm se më duhet të bëj pipinë.
Hap sytë, kundroj tavanin. Nuk e shquaj vrimën që do ta kisha lënë aty. Vështroj drejt dritares. Aty gjithçka është si më parë. Është mëngjes. Shoh kurorën e gështenjës. Zogjtë nuk kanë fluturuar. Janë cok duke u zgjuar. Nuk kam frikë, vetëm se, si gjithmonë kur nis një ditë e re, duhet të bëj pipinë. Mbyll sytë. Jam i lumtur që dritarja është ende aty, po ashtu gjethnaja e zogjtë përjashta dhe që nuk e kam shkallmuar çatinë. E di. Kam ngrohtë. Ka gjasa që në oborr të jetë pranverë, mbase verë. Nuk është dimër. Kur është dimër bën ftohtë, gështenja e oborrit nuk e ka kurorën e gjembave e unë mbath këpucët. Bën ngrohtë. Sakaq bëj pipinë në tokë, pranë krevatit ku jam rrëzuar dhe nga ku jam ulur galiç në tokë. Dëgjoj hapa. Ivanka, duke ngjitur shkallaren prej guri, çalltis nga kuzhina, ndalon para portës, e hap përgjysëm. Më vështron. E di. Mamaja. Ivanka është mamaja ime. E njoh, sepse e kam bërë pipinë dhe, nëse e kam bërë, është një ditë e re. Dhe, nëse e tërë kjo është e vërtetë, gjithmonë mamaja hap përgjysëm portën e vështron në dhomën time.
shoh tek çapitet drejt meje. Matanë hapave të saj gjithçka është blu. Në këtë mëngjes. Dollapi prej druri e pasqyra e tij, komoja, karrigia. Gjithçka blu. Edhe mamaja. Flokët, që i ka krehur në kuzhinë dhe i ka mbështjellë topuz, sytë, goja, duart. Duart e saj krejt blu, në mëngjes.
Ajo mëton të më ngrejë. Më mbërthen nga sqetullat e mëton të më ngrejë. Unë qesh. Mamaja po ashtu. Ajo nuk arrin të më ngrejë, sepse po qesh. Pastaj thotë: ndihmomë dhe ende qesh. Jemi ulur në tokë, në fund të shratit, e qeshim. E vështoj. I përshquaj lotë në sy. Ai kollet dhe pastaj hyn. Luçija është copë, thotë mamaja. Karloja do të më shoqërojë në Trieste. Balerina, po ashtu, do të vijë me mua.
Ngrihem në majë të gishtave, te qoshku im. Babai qëndron më këmbë pranë portës. Nuk bëzan. Rrëmben pardesynë. Kapelen. I qaset dritares. E di ç’po bën. Vështron termometrin. Vetëm dhjetë, thotë. Pastaj merr stilografin që është mbi frigorifer. Stilografi gjithmonë është mbi frigorifer dhe ai, ai e merr. Pastaj shënjon mamanë. Thonë se kjo bën vaki, herëdokur. Me një të rënë të vetme, e kërkush nuk mund ta dijë sakllam përse. Pa e paralajmëruar. Ajo nuk ndërhyn. Vetmohet e pyetet për çka mendon. E pyesin dhe nuk përgjigjet. I dëgjon të gjitha mamaja, por nuk flet më... Qesh, qan, por nuk e di as kur, as përse. Nuk dihet për çka vramendet, çka i trokthon nëpër kokë... Thonë se me vite kjo keqësohet..., thotë mamaja, këtë herë më zë të ulët, dhe unë, unë ngrihem edhe më në majë të gishtave për të kundruar fytyrën e saj. Dëgjoj ende fjalët e fundit të mamasë. Vështrojeni! Qëndron në majë të gishtave për orë të tëra, bën gjithëçka i them, pastaj vendoset aty, te qoshja, ngrihet në majë të gishtave e nuk lëviz më. Nuk mund të bëjë asgjë, ata thonë... se kjo u bën vaki herëdokur fëmijëve. Atbotë mamaja kthehet drej meje. Unë ngrihem në majë të gishtave dhe i ajgëtoj fytyrën. Atëherë i shikoj lotët e buzëqeshjen, teksa dëgjoj ende fjalët e mbrame të mamasë. Çfarë do të bëjmë ne, ë, Balerina?
Tashmë s’i dëgjoj më fjalët e saj. Nuk dëgjoj veçse të qeshurën tonë dhe i shoh lotë në sy. Ata janë plot dritë.
Mamaja ngrihet. Mbështetet mbi të katër gjymtyrët. Forca Balerina, thotë, sot është festa jote. Më shoqëron prej dhomës te shkallët dhe gjer te lavapjata, e cila gjendet në hyrje. Pastaj më zhvesh, më lan, më flet. Më thotë se jam pesëmbëdhjetë vjeçe, se kam lindur në mes të pranverës, në muajin prill dhe se sot lypset të jem e bukur. Më vesh një fustan trëndafili me një kordele në mes. Oh, sa e bukur do të jetë Balerina jonë, thotë, dhe më kreh. Vështrohehem te pasqyra e vogël, që është varur në gozhdë. Më duket se i shëmbëllej mamasë. Më kreh e flet. Paskëtaj do të jem e bukur, thotë mamaja, sot, ngase është festa ime dhe ngase është pranverë, mu atje, mbrapa portës, e cila është ende e mbyllur, në oborr e në fushë. Dhe më ftillon se fusha është lëruar, se kundërmon, sepse është qetuar e pastruar nga barërat e këqia. Më kreh. Vështroj pasqyrën. Shoh fushën, blu, në agshol, barërat e këqia, të gjatë e të brishtë, bash barërat e këqia, gjithnjë e më të pakta, teksa mamaja më kreh, dhe e di fare llagar se një ditë e re do të fillojë. Shoh përpara meje fushën e punuar, e shoh në një cep të pasqyrës, aty ku është fytyra ime dhe e mamasë, e cila bëltucet pranë simes, dhe ajo flet, cok ajo fytyrë, e cila është e mamasë.
Do të hedhim dy pikëza profumo, thotë, e gishtat e saj më përçikin qafën. Është Mennen, thotë mamaja, është dopobarda, ama ndihet si profumo. Hëmmm, thotë pastaj mamaja, ç’erë të mirë do të vijë Balerina jonë. Dhe nuk e shquaj më mamanë te pasqyra, që është varur në gozhdë, por e di se ka shkuar në kuzhinë, dhe më thotë të vete, që jam e bukur, dhe do të më ulë në tavolinë, që do të shkojë të më bëjë kafe, së mbrami më thotë se këtë mbasdite do të kemi të ftuar, që do të marr dhurata, që edhe Ivani do të vijë.

Them se tashmë Ivani është aty. Kthehem drejt kuzhinës. Këtë herë jemi pranë portës, nuk e di kur, sepse nuk e di sa ditë të reja kanë kaluar, nuk e di sa herë e kam bërë pipinë ngase ishte mëngjes. E di, jemi pranë portës dhe Ivani thotë që duhet të matemi për të parë kush është më i madh. Ivani është i vogël. Ai është një fëmijë, them, dhe mund t’i ndodhë diçka. Duhet ta mbroj. Ngrihem në majë të gishtave e të gjithë më thonë: Uau, sa shpejt është rritur Balerina jonë! Ivani qesh e thotë se do të bëhet mjek, se do të më shërojë kur të jetë i madh dhe që të gjithë e duartrokisin.
Vështroj në pasqyrë. Edhe një herë. Jam e krehur. Pastaj kthehem drejt kuzhinës. Futem e zë qoshen, pranë furnelës. Bash aty është më mirë. Prej aty vështroj drejt portës e ngrihem në majë të gishtave. Pastaj ata më dhembin. Kap atë që ma mbërthen dora dhe e fringëllij drejt portës. Pothuajse nuk dal huq asnjëherë. Nëse është një pjatë, do të thyhet. Mamaja mbledh copat e fërkon portën. Gjithmonë thotë se duhet të lyhet. Porta e kuzhina, gjithçka. Të rilyhen me të bardhë, thotë.
Tashmë jam te qoshja, aty ku gjithçka është mirë. Nuk kam dhimbje në gishtat e këmbës. Nuk është veçse mamaja në kuzhinë. E di çfarë bën. Lan shamitë në ujë të vluar, sepse babai kollitet e pështyn në to. Disa herë pështyn edhe te pragu i shtëpisë. Tani s’është aty. Është në kafene, me miqtë. Luan me letra, thotë mamaja. Do të vijë për të burbuletur mëngjesin, si gjithmonë kur fillon një ditë e re. Mamaja thotë se kolla do t’i marrë frymën. Unë e shoh, kollitet te hyrja, aty, gjithmonë, pastaj futet në kuzhinë e vështron nga dritarja. Nuk flet, veçse më thotë: mirë je, Balerina ime? Dhe vështron nga dritarja. E di që më vonë mamaja do të shkojë të nderë shamitë në një tel, në oborr.

Sefte ia zatet postieri. Pothuajse gjithmonë kur fillon një ditë e re. Postieri flet, pi, pastaj del nga porta. Pastaj mamaja var shamitë në oborr dhe unë e kundroj nga dritarja e kuzhinës, nga qoshja ime. Shoh shamitë e mendoj që babai është në shtëpi. Prej copash të vogla... Më vonë, kur postieri nuk gjendet aty.
Tashmë është aty. I dëgjoj hapat. Kam frikë nga postieri, sepse ka një kasketë dhe këpucë madhoshe. Mamaja përgatit një gotë të vogël. Ai do të vijë, do të hyjë, do të flasë dhe së mbrami do të zbrazë gotën e vogël. Pastaj, kur ta ketë pirë, nuk do të mund më të prajtet, do të qeshë e do të thotë: Boll!
Është aty. Tungatjeta Ivanka, thotë, dhe vendos diçka mbi tavolinë. Mamaja thotë se nuk beson te reklama, që emri i saj nuk do të dalë kurrë fitues dhe që nuk do t’i fitojë milionat. Mamaja mbush gotën e vogël. Një shnaps të vogël, thotë. Postieri shikon gotën e vogël dhe flet. Ngrihem në majë të gishtave. E dëgjoj. E, mirë? Si shkon Balerina jonë? Më vështron. Nuk dua të më vështrojë. Pastaj vështron mamanë. Ajo vazhdon të shkojë shamitë në ujin e zier. E shoh. Ivanka, i ke dëgjuar lajmet e fundit? Thonë se do të shkojnë në hënë, ama jo kaq shpejt. Ashtu? thotë mamaja e vështron ujin që zien. E shoh. Po! Për një vit, ose ndoshta për dy, nuk e di sakllam se kur! Ma, më thuaj një çikë, përse është e nevojshme të shkohet në hënë, ë?
Bah, e nga ta di unë! Mbase janë bërë shumë...
Mbi tokë?
Nuk e di. Mbase.
Mamaja vazhdon të shkojë shamitë. Me një shpatëz. E shoh. Shoh hundën, mjekrën, ballin, krahun e saj. Postieri qaset, merr gotën e vogël, e dëngëllos. Të gjithën, të gjithën që është në gotë. E kundroj. Nuk prajtet më, hap gojën, e mban të hapur, për shumë kohë. Thith ajrin dhe e nxjerr. Tani po buzëqesh. Boll, thotë. Ngrihet, rregullon kasketën. Thotë ende diçka. Për mua. I jap karar që për mua, sepse më vështron. Nuk dua të më vështrojë, nuk dua që postieri të më thotë diçka. Ngrihem në majë të gishtave, akoma dhe pak. Lart. Fërgëlloj. Nuk mund të rri kaq gjatë mbi majë të gishtave.
Hë pra, Balerina jonë e vogël? Çfarë do të na kallzosh, ë? Dhe qesh. Mua më dhembin gishtat. Ai flet gjithmonë. Çfarë do të na kallzosh, vazhdo pra? Do shkojnë mbi Hënë? Po ti do të shkosh mbi Hënë? Po, pra, po, do të shkosh. Po, kur duhet, duhet, ti e dëgjove çfarë tha mamaja, apo jo? Që këtu ka shumë. Dhe nëse ka sa thonë, nuk do të ketë më për të ngrënë dhe duhet shkuar mbi Hëëënë. E vështroj. Mirupafshim Ivanka, më thotë e del nga porta. Më pas. Nuk mund të rri në majë të gishtave. Kap gotën mbi tavolinë. E fringëllij drejt portës. Ajo thyhet.

Përktheu Balil Gjini
________________________
Nga romani “Balerina, balerina”. Titulli i fragmentit është i red.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›