Liria e heronjve të mohuar
Astrit Lulushi
Kur Martin Luter Kingu, i Riu, thoshte se "nuk do të kujtoheshin fjalët e
armiqve, por heshtja e miqve", ai u drejtohej atyre që nuk e kishin ngritur zërin sa duhet për të drejtat dhe liritë civile. Por kur lexon librin biografik mbi Marie Shllakun, mbushur me kaq heronj të heshtur, të shpërndarë, të mohuar, të përbaltur e thuajse të harruar, fjalët e doktor Kingut marrin kuptim krejt ndryshe, sepse me shkrime, dëshmi, tregime, pohime të ndryshme, shqiptarët po përpiqen të kujtojnë pikërisht ata që u heshtën. Në këtë kategori librash bën pjesë edhe monografia “Marie Shllaku: Bijë e Shkodrës, martire e Kosovës”, botuar në Nju Jork .
Shqiptarët kanë përvojë përpjekjesh, duke filluar nga ajo për pavarësi e deri për
sistem shumë partiak e demokraci. Herë-herë, kjo përvojë mund të quhet e hidhur, jo sepse përpjekjet nuk ishin të mjaftueshme apo sepse nuk u derdh shumë gjak për liri, pasi liria nuk falet dhe gjak u derdh. Por në vorbullat e saj kjo përvojë ka edhe plot negacione, sepse gjaku shpesh ishte vendas: të dyja palët që luftonin, ishin të një kombi. E kështu, prindërit humbën bijë e bija, familjet humbën të afërmit, miqtë e shokët humbën të dashurit. Por ajo që është më e rënda, nga këto përpjekje kombi humbi heronjtë e vet.
Sot shumë njerëz të thyer në moshë kthejnë kokën pas dhe, me të drejtë, thonë:
“Kemi bërë gjithë atë rrugë.” Megjithatë, shumë nga ata që e filluan udhëtimin,
nuk mbërritën deri këtu. Dhe kjo jo sepse u vranë, pasi ideja nuk vdes, por sepse
emrat e tyre u mbuluan, u fshinë, u bënë të harrohen.
Sot mund të kuptohet se fitorja, qoftë ajo kundër komunizmit apo pavarësia e
Kosovës, janë në fakt frutet e punës së këtyre heronjëve që u heshtën me dhunë
nga një regjim që nuk është më. Shumë u kapën e u ekzekutuan, të tjerë u
burgosën, u internuan, morën rrugët e mërgimit, dhe emrat e disa prej tyre
ndoshta kurrë nuk do të mësohen.
Prandaj nxjerrja në dritë duket se është kthyer në mission për studiuesin
shqiptaro-amerikan Tomë Mrijaj. Duke mbledhur pohimet e dëshmitarëve, në librin e tij “Marie Shllaku: Bijë e Shkodrës, martire e Kosovës”, historiani Mrijaj
tregon se, kur Shaban Polluzhës i thanë se po ndiqej jo vetëm nga forca serbe por edhe nga ato shqiptare (komuniste), megjithëse natë e erret, ata që ishin pranë tij panë t’i rrëshqisnin pika loti. Dhe ky plak kosovar, me farën që mbolli, ishte një nga ideatorët e asaj, që sot njihet si shtet i Kosovës. Po ashtu, Marie
Shllaku, që pak vetë e kanë dëgjuar emrin e saj, ishte femra e vetme pjestare
mes mbi 50 çetave patriotike në vitet 1944 - 46, që luftonin kundër komunizmit dhe për një Shqipëri e Kosovë të pavarur nga Jugosllavia. Dhe kur për t’a nderuar e thërrisnin Shotë e Galicës, Marie Shllaku me krenari thoshtë se ishte Shotë e Shkodrës. Më 1946, në moshën 24 vjeçare, Marie Shllaku që luftonte për shqiptarë, u kap, u gjykua dhe u pushkatua po nga shqiptarë me pushtet në atë kohë.
Në librin e Mrijajt ndeshen edhe shumë emra të tjerë, të panjohur, të harruar
ose të përbaltur, që të gjithë heronj që u heshtën. Nën regjimin komunist, kudo,
brenda apo jashtë kufirit të shtetit shqiptar, vetëm përmendja e emrave të tyre
cilësohej krim. Dhe gjithashtu është fakt se ata që ishin kundër lirisë,
shtypësit e kundërshtarët e këtyre heronjëve a heroinave të harruara, sot i
gëzohen të njëjtës liri, që më parë e kishin dënuar.
Kur Martin Luter Kingu, i Riu, thoshte se "nuk do të kujtoheshin fjalët e
armiqve, por heshtja e miqve", ai u drejtohej atyre që nuk e kishin ngritur zërin
sa duhet për të drejtat dhe liritë civile. Por kur lexon librin biografik mbi
Marie Shllakun, mbushur me kaq heronj të heshtur, të shpërndarë, të mohuar, të
përbaltur e thuajse të harruar, fjalët e doktor Kingut marrin kuptim krejt
ndryshe, sepse me shkrime, dëshmi, tregime, pohime të ndryshme, shqiptarët po
përpiqen të kujtojnë pikërisht ata që u heshtën. Në këtë kategori librash bën
pjesë edhe monografia “Marie Shllaku: Bijë e Shkodrës, martire e Kosovës”, botuar në Nju Jork .
25 Gusht 2008