E Shtunë, 31 Tetor 2026

Annan: Situata në Siri “e papranueshme”

Gjatë raportimit për Sirinë në seancën e mbyllur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i dërguari ndërkombëtar Kofi Annan, vlerësoi se situata atje është “e acaruar”.

Annan më tutje theksoi se është i alarmuar me raportet se trupat e qeverisë kanë hyrë në qytetin qendror Hama, duke shtënë me armë automatike, me ç’rast janë vrarë disa njerëz.

Ai tha se situata aktuale në Siri është e “papranueshme” dhe ka bërë thirrje që qeveria në Damask menjëherë ta implementoj planin e tij paqësor gjashtë pikësh.

Kofi Annan ka kërkuar që qeveria dhe opozita ta respektojnë armëpushimin e 12 prillit.

Ai shprehu shqetësimin e tij për përshkallëzimin e dhunës, duke u nisur nga raportimet e bëra prej monitoruesve të Kombeve të Bashkuara.

Kështu, një grup aktivistësh kishte raportuar se 38 njerëz u vranë të martën, më së shumti në Homs, ndërsa rreth 100 të vrarë janë raportuar ditën e hënë.

Annan tha se situata e përgjithshme ishte "krejtësisht në kundërshtim me vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare".

Përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, deklaroi se anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkojnë shtimin sa më të shpejtë të vëzhguesve në Siri, duke synuar të dërgojnë atje deri në 300 të tillë, në mënyrë që të ketë një pasqyrim dhe raportim sa më transparent të situatës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›