E Diel, 1 Nëntor 2026

Anonimi misterioz që censuroi Migjenin dhe loja e Enver Hoxhës

Nga historia e censurimit dhe ndalimit të “Veprave” të Migjenit më 1954. Përplasja e madhe mes Gjovalin Lukës dhe Skënder Luarasit

Agron Luka

Komentimi për Migjenin dhe Veprën e tij, ende sot në Demokraci me falsifikime dhe deformime në botimet e financuara nga Ministria e Kulturës!

Në kuadrin e rishkrimit të pjesshëm të historisë së Shqipërisë mbi bazën e realiteteve, fakteve e dokumenteve, më veçanërisht të historisë së kohës së re (fund shek XIX, shek XX e në vijim), natyrshëm hyn edhe historia e letërsisë shqiptare. Ndërkaq çuditërisht e paradoksalisht, jo rrallë po vijojnë mjaft botime të financuara direkt me fonde nga Ministria e Kulturës, ku fryn një inerci neoenveriste me erë e shije mjaft të ndyrë...

I shtyrë nga pasioni, si një simpatizant, lexues dhe njohës i mirë i Migjenit, pjesërisht edhe si një detyrë e ngarkuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë (LSHSH), Gj. Luka realizoi më 1954 një botim të Migjenit, duke bashkuar në një vëllim pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij në poezi e në prozë. Vëllimi ishte i shoqëruar me interpretime komentuese, me shpjegime gjuhësore, me bibliografi të pjesshme dhe kryesisht ishte si botim për rininë. (“Migjeni Vepra, Mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka, bot. NSHB Tiranë, mars 1954)

Ky botim ishte i pari si libër, mbas “Çlirimit” të 29 nëntorit 1944, ndërsa si rend kronologjik, radhitej mbas botimit të prof. Dh.S. Shuteriqit në revistën “Literatura Jonë” në tetor 1948.

Siç dihet poezitë dhe prozat e Migjenit, fillimisht ishin botuar një e nga një në gazeta e revista të ndryshme. Përpjekja e parë për të botuar poezitë e Migjenit, në një vëllim, u bë nga Shtëpia Botuese “Gutenberg”, me librin “Vargjet e Lira”, më 1936. Migjeni kishte kontaktuar dhe pati edhe letër-këmbime direkte me vetë pronarin Ismail Mal Osmani. (Dokument i publikuar nga ne, GSH, suplementi Milosao, 11 tetor 2009 dhe njëkohësisht edhe në SHE) Ky botim i vitit 1936, sipas mendimit tonë të shprehur, nuk qarkulloi në shitje të lirë, u pezullua dhe mbeti në shtypshkronjë, më shumë për një çështje financiare mospagese, se sa për ndonjë urdhër me shkresë zyrtare censurimi, ndalimi e konfiskimi. Një gjë të tillë, studiuesit deri më sot nuk e kanë vërtetuar dokumentarisht. Është një gjë e shprehur se me një mënyrë e me një tjetër vëllimi “Vargjet e Lira” më 1936 ka qarkulluar. Dhe këtu nuk duhej ekzagjeruar se edhe sikur të qarkullonte i plotë në të gjithë tirazhin prej 1000 kopjesh, nuk do të “shpërthente revolucioni”!

Migjeni ka vazhduar të botonte përsëri në prozë e në të njëjtën modë në gazetat e revistat e kohës së Zogut dhe askush nuk ishte futur në burg se kishte lexuar apo se mbante Migjenin. Edhe pse vetë babai im kishte shkruar aso kohe për censurime etj, unë sipas vetë kujtimeve të tij, ia kam ulur grykën atyre deklarimeve dhe besoj se nuk kam bërë asnjë lloj sakrilegji e asnjë lloj dhunimi të realitetit!

Me vendosjen e regjimit pushtues fashist italian dhe qeverive kolaboracioniste, siç e kemi shkruar me kohë, për Migjenin pas vdekjes, pati edhe ndonjë botim, duke e përfshirë në antologjitë e shkrimtarëve më të shquar të botës shqiptare deri në atë kohë. Me këtë rast, ishte përzgjedhur edhe një poezi, “Të lindet njeriu...” dhe një prozë “Zeneli”. (E. Koliqi, K. Gurakuqi, “Shkrimtarët Shqiptarë, Prej Lidhjes së Prizrendit deri më sot”, Pjesa II, bot. i Ministrisë së Arsimit, Tiranë 1941, Millosh Nikolla, f 471-475) Nuk është pak të të fusnin në këtë piedestal, akoma pa asnjë lloj libri të botuar, apo jo!

Dhe ky botim ishte lejuar kur regjimi, partia fashiste dhe direkt Xh. Xhiro ishin kujdesur që të mbikëqyreshin rreptësisht shtëpitë botuese dhe kishin arritur edhe një farë kompromisi me pronarët e shtypshkronjave private shqiptare si “Tirana”, “Gutenberg” dhe “Luarasi”, që të mos lejoheshin botime me përmbajtje të rrezikshme antifashiste, të mos merreshin në punë punëtorë revolucionarë e komunistë anti-italianë. (Cit. sipas M. Islami, “Vasil Shanto”, bot. 1981, f 78, nxjerrë nga AQP, Fondi, “Partia Fashiste”, dok. Dt. 10/11/1939)

Libri me poezi “Vargjet e Lira” me të njëjtin titull do të ribotohej mbas tetë vjetësh, më 1944, nga i njëjti botues Ismail Mal Osmani, dhe kësaj radhe do të qarkullonte dhe shitej lirisht. Botimi i vitit 1944, në krahasim me atë të 1936, ishte censuruar nga Ministria e Arsimit e kohës së regjencës dhe pjesërisht me një farë aprovimi nga shtëpia botuese e sigurisht edhe nga vetë familja.

Në lidhje me botimin e 1936 (ashtu edhe për botimin e vitit 1944), nga Ismail Mal Osmani, nga ndonjë biograf dhe nga disa shkrues “Kujtimesh” ishin shkruar edhe improvizime të pavërteta. Këta rivalizonin dhe binin edhe në kundërthënie me njeri-tjetrin se kush e kush e kishte ndihmuar më shumë praktikisht e materialisht Migjenin për botimin, me ndonjë parapagim këstesh etj.

“Dialogjet” me Migjenin të stilit “Stefi-Luarasi të realizmit socialist”, të pasuara pastaj nga stili i lartë “Enver Hoxha”, do shënonin kulmin më 1981, kur u shkrua se, “V. Shanto, Q. Stafa dhe M. Duri i kishin dhënë një ndihmë jashtëzakonisht të madhe Migjenit më 1936, për të botuar librin “Vargjet e Lira” në shtypshkronjën “Luarasi”, botim i cili do të shënonte një ngjarje të madhe në histori dhe në letërsinë shqiptare”! U nënvizua se, shitja e librit u ndalua nga regjimi obskurantist zogist. Me këtë rast, Vasili, Qemali, Mihali dhe disa shokë punëtorë, na paskëshin organizuar tërheqjen e stoqeve të “Vargjeve të Lira”, nga magazinat e shtypshkronjës “Luarasi”, në Tiranë dhe shumë kopje ua shpërndanë punëtorëve, rinisë dhe nxënësve, duke propaganduar demaskimin e regjimit, nxiten e revoltës, ramjen fli etj. (M. Islami, “Vasil Shanto”, bot. 1981, f 50)

Shihni se, deri në çfarë pike kishin shkuar fabrikimet historike, duke e eklipsuar deri edhe “kontributin madhor” të pretenduar nga S. L., me fillesë qysh më 1936 e 1947, madje kaq ironikisht, sa që ishte këmbyer edhe vetë shtypshkronja “Gutenberg” me shtypshkronjën “Luarasi”!

Si e donte Enver Hoxha Migjenin

Fatkeqësisht, diktatura dhe praktikat antidemokratike do të vazhdonin edhe me vendosjen në Shqipëri të “regjimit demokratik popullor”, mbas 29 nëntorit 1944...
Peripecitë, “këshillat”, kritikat, krasitjet dhe urdhrat censuruese filluan për Gjovalin Lukën, fill sapo libri kishte shkuar për botim. Nga Zyra e Arsimit dhe Kulturës pranë Komitetit Qendror të PPSH, në adresën e Gjovalin Lukës dhe NSHB erdhi një letër-thirrje e cila i kërkonte të paraqiteshin dhe të sillnin me vete edhe një kopje të materialit të daktilografuar për botim. Për ata që, aso kohe, kanë pasur rastin të merreshin me fushën e letrave, shkrimeve të ndryshme etj, dihej se në një shumicë rastesh të rëndësishme, materialet do të kalonin nga ky filtër kontrolli. Po aty në Komitetit Qendror të PPSH, ishte edhe “filtri i filtrave”; zyra e Agjit-Propit. Edhe në një rast tjetër, në rrjetat e këtyre dy zyrave kishte mbetur një monografi e Gjovalin Lukës për F. Konicën...

Shefi i asaj zyre i tregoi Gjovalin Lukës se pasi ishte shqyrtuar një ankesë anonime, e kishte lënë këtë porosi direkt shoqja Nexhmije. Dhe Nexhmija, aso kohe, sigurisht se përkthehej edhe Enver. Nexhmije Hoxha punonte në zyrën e Agjit-Propit dhe po aty, aso kohe, ishte edhe shoqja L. B... Kjo “kërkesë” i erdhi mjaft e çuditshme Gjovalin Lukës, pasi shoqja Nexhmije ishte në dijeni të punës së tij për Migjenin, sepse edhe nga vetë natyra specifike e detyrës mbanin kontakte të shpeshta. Pasi ishte dorëzuar materiali i daktilografuar për Migjenin, erdhi një letër tjetër, ku, ndër të tjera, shkruhej: “Dy vjersha, “Trajtat e Mbinjeriut”, “Lutja”, dy proza, “Ose... Ose”, “Tragjedi apo Komedi” dhe dy proza të pabotuara, “Pak poezi”, “M’at anë gardhit asgja e re”, nuk i plotësojnë kriteret si një botim për rininë, prandaj ato dhe komentimet përkatëse nuk duhet të përfshihen në këtë botim. Për sqarime të mëtejshme duhet të paraqiteni pranë kësaj zyre”.

Pak duke e nënkuptuar, e pak edhe nga mirëbesimi i shefit të zyrës, rezultonte se, materialit “gati për botim”, mbi bazën e kërkesave të asaj letrës “anonime”, i kishte hedhur një sy vetë Enver Hoxha dhe këndej vetëkuptohej se këto ishin urdhër-porositë e tija. E. Hoxha kishte bërë edhe një vërejtje: “Përse ky vëllim nuk ka fare një biografi të poetit revolucionar, themeluesit të realizmit socialist shqiptar”?! Flitej se “anonimi” i ishte ankuar edhe dikujt tjetër, shokut Mehmet Shehu...

Gjovalin Luka i paraqiti zyrës së Arsimit dhe Kulturës pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, një fletë me shkrim. Duke e kuptuar qartë se ai “urdhri”, nuk prapësohej dot, ai pranonte që të mos botoheshin ato pjesët e rekomanduara. Por, me këtë rast, detyrohej të sqaronte: 1) në lidhje me vërejtjen për biografinë e Migjenit ju sqaroj se, nga kryesia e LSHSH më është komunikuar se, shoku S. L., së shpejti do të botojë një libër të veçantë e të plotë biografik, për të cilin ishte ngarkuar dhe për këtë arsye nuk kishte përse të përplaseshin dy autorë; 2) për dy prozat e pabotuara asnjëherë, si leje botimi dhe si kopje daktilografike, ia kishte dhënë vetë familja; dy motrat e Migjenit. Proza “M’ at anë gardhit asgja e re” ishte vetëm sa e filluar dhe kishte mbetur e pa mbaruar dhe për këtë arsye nuk kishte ndonjë komentim për të. Në qoftë se tani familja kishte ndërruar mendim, ai tërhiqej menjëherë; 3) për dy prozat e botuara të njohura, siç edhe për disa raste të tjera, ai ruante edhe kopje daktilografime të hershme; 4) për 5 prozat e tjera “të pa botuara me gjallje të Migjenit”, paraqes faktet se ato janë botuar të gjitha më përpara në organet shqiptare të pas çlirimit dhe absolutisht nuk është pretenduar që, ato po botoheshin për herë të parë nga Gjovalin Luka. Dy nga këto, “Të çelen arkapijat” dhe “Studenti në shtëpi”, janë botuar vjet, në gusht të vitit 1953, nga redaksia e revistës “Letërsia Jonë” Nr. 8, me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së Migjenit, me shënimin redaktorial si, “dhurim dhe leje nga origjinalet që ruhen nga familja e Migjenit”.

Kështu, pas një rishqyrtimi dhe diskutimi në zyrën e Arsimit dhe Kulturës dhe në zyrën e Agjit- Propit të Komitetit Qendror të PPSH-së ishte vendosur që libri i mbledhur dhe përgatitur nga Gjovalin Luka të botohej, duke u respektuar ato heqjet e rekomanduara, megjithë komentimet përkatëse.

“Anonimit” i shkoi huq goditja e madhe, megjithëse diçka kishte fituar... Duke marrë zemër, meqënëse e kishte edhe një farë tradite edhe si sajues fantazist e alibist, “anonimi”, filloi edhe të trimërohej dhe në disa zyra u bë edhe i mërzitshëm, aq sa filluan ta nxirrnin edhe jashtë... (Këto raste takimesh verbale dhe letrash ankuese, ky “anonimi” i ruajti dhe i qepi me pe e gjilpërë duke i sofistikuar më vonë, kur mendoi se i erdhi asi në dorë, duke gatuar agjentë e grupazhe, ca për kuzhinën e Hoxhës e ca për atë të Shehut, si të merrte puna...)

Por, kjo “surprizë” dhe ai definicioni, për Migjenin si “themeluesi i realizmit socialist” që, shkonte në kundërshtim me interpretimin e Gjovalin Lukës si, “shkrimtar i realizmit kritik të avancuar”, e vuri atë në mendime. Sipas interpretimit të Gjovalin Lukës (dhe jo vetëm të tij, sepse aso kohe ka pasur edhe opinione të shprehura nga disa studiues shqiptar), Migjeni nuk mund të identifikohej si “shkrimtari e modeli revolucionar komunist shqiptar”, sepse edhe vetë formimi i tij nuk kishte qenë ashtu. Pavarësisht se Migjeni e kapërcente disi pragun e realizmit kritik, me protestat për mjerimin e thellë, me idetë për revoltë e përmbysje të regjimit, me notat materialiste e ateiste e me ndonjë penelatë bolshevike, ai përsëri qëndronte si shkrimtar i realizmit kritik. (Të gjitha këto ide janë të shprehura në komentet e botimit 1954 dhe ruhen edhe dorëshkrimet e daktilografimet origjinale të Gjovalin Lukës dhe në disa materiale të diskutimeve të tija. AL)

Sipas përkufizimeve e pikëpamjeve të Skënder Luarasit, më 1957, shkruhej se: “Migjeni ka qenë themeli i letërsisë shqiptare të realizmit socialist (f 46); që i shfrytëzoi modelet e ideologjisë dhe të stilit të Gorkit e Majakovskit” (f 11; f 33 etj); ishte “revolucionar internacionalist i vërtetë komunist” (f 33); “letërsia e tij ishte me përmbajtje të KONARE-s dhe tërësisht socialiste” (f 47); “Migjeni ishte një “kontribuues i pajtimit të grupeve komuniste (f 48) ”; “ishte përkrahës i vendosjes së një regjimi model stalinist edhe në Spanjë”; “Migjeni ishte një dëshmor i luftës nacional-çlirimtare dhe prandaj edhe Partia ia vendosi eshtrat pas kthimit nga Italia në Varrezat e Dëshmorëve”, duke e nderuar me “Urdhrin e Lirisë”, Klasit I, (f 32; f 44) etj. (Shih, S. Luarasi, “Migjeni, Vepra”, bot. 1957 e ribotim 1961, përgjithësisht , Hyrja, Jeta, Vepra, f 5-58.)

Krahasimi i interpretimeve të Gjovalin Luarasit, të vitit 1954, me interpretimet e botimit të vitit 1957 të Skënder Luarasit, e tregon krejtësisht të qartë ndryshimin dhe diferencën midis këtyre autorëve. Këto, krahasime dhe shumë fakte të tjera, hedhin poshtë katërcipërisht akuzat e pandershme për shfrytëzim dhe plagjiaturë të Gjovalin Lukës ndaj disa të ashtuquajturave “materiale të S. Luarasit, të vitit 1948. (Familja jonë ruan një pjesë të mirë të materialeve të mbledhura nëpër shtypin e revistat e kohës, ruan botimin e 1936, botimin e 1944, kopjet daktilografike të kohës së Migjenit, materialet dorëshkrimore e daktilografike, pjesë nga diskutimet e interpretimet e Gj. Lukës, etj.)

Sipas komenteve të Gjovalin Lukës, në botimin e vitit 1954, perspektiva e zhvillimit të shoqërisë shqiptare te Migjeni nuk ishte kurdoherë e qartë dhe optimiste, sepse diku-diku ai futej edhe nëpër qorrsokakët e kryengritjeve e revoltave puçiste. Te Migjeni kishte edhe nota pesimiste, nihiliste, niçeane, simboliste, dekadente etj.

Kulti i individit dhe skema e modifikimit

“Mollët e ndaluara” në Komitetin Qendror të PPSH, dhe sidomos komentimet e tija Gjovalini i lexoi disa herë për të hetuar e gjykuar se ku i kishte djegur dhe shkelur në kallo E. Hoxhës! Cili dhe çfarë mund të kishte qenë shkaku i vërtetë i kësaj ndërhyrjeje faktikisht censuruese me imponim, duke gjetur një preteks këtë ankesën e “anonimit”?!

Mbi bazën e dy prozave të pabotuara, tashmë ishte mëse e deshifruar se kush ishte ky “anonimi”. Këto dy proza të mbetura të pabotuara ende, familja e Migjenit, domethënë motrat që ndodheshin në Shqipëri, ia kishin dhënë vetë Gj. Lukës kopjet daktilografike dhe lejen për t’i botuar në emrin e familjes. Por, tashti edhe “anonimi”, si burri i motrës së Migjenit, na mbahej “si i familjes Nikolla-Nikoliq”! Ky, me pabesi edhe ndaj vetë familjes, ishte ankuar te Mehmet Shehu dhe te Enver Hoxha se, medemek, Gj. Luka ia kishte marrë motrave të Migjenit “si me pahir e pa leje”, nga një arkivim i vitit 1948, etj., ato prozat e pabotuara dhe i kishte çuar për t’i botuar. Këto të dyja që kishin ngelur, sëpaku duhet t’i takonin atij që t’i botonte, tok me biografinë, pasi të kontrollonte mirë edhe se ç’kishte ngelur në një sënduk, si mund të ishin rregulluar nga vetë Migjeni në Itali, etj... (E. Hoxha e kishte parapëlqyer shumë këtë idenë e fundit...)

Për Gjovalinin spikaste sidomos ndalimi i botimit të poezisë “Trajtat e Mbinjeriut” dhe i prozës “Pak Poezi”. Duke analizuar me vëmendje, ai e kuptoi se ishin “interpretimet” dhe sigurisht edhe diçka tjetër... ato që nuk i kishin pëlqyer “themeluesit dhe komandantit”.
Te “Trajtat e Mbinjeriut”, ishte e qartë se, nuk i kishin pëlqyer interpretimi dhe kritika ndaj “kultit të individit”, kultit niçean të Mbinjeriut. Duke hequr Mbinjeriun, i gjithë komentimi i Lukës për çështjen e kultit të individit, gjymtohej, përgjysmohej. Në poezinë tjetër, “Të lindet njeriu”, në shënimin 1, Gjovalin Luka shkruante: “Në këtë vjershë ekzaltohet tepër roli i individit në shoqëri, siç edhe në vjershën “Trajtat e Mbinjeriut”. Por, ndërsa në vjershën “Trajtat e Mbinjeriut”, Migjeni bie pre e ideve niçeane të njerëzve të mbinatyrshëm që bëjnë historinë, vjersha “Të lindet njeriu” qëndron mbi baza më reale dhe rolin e gjenive e shtron më mirë. Vjersha u botua më 7 shtator 1935, në të përkohshmen “Illyria”. (Bot. 1954, f 13)

Në shënimin 3, të po të kësaj vjershe, Luka në mënyrë mjaft të sintetizuar e justifikonte ndryshimin e vjershës “Të lindet Njeriu”, si “pak më reale” në krahasim me ekstremizmin te “Trajtat e Mbinjeriut Dithyramb Nitzsche-an”. Te vjersha e parë, e cila i përkiste vitit 1935, Migjeni sigurisht po kërkon një njeri hero, por ky njeri duhet të jetë “pa hyll në ballë”, në ndryshim nga tradita e Mbinjeriut të mbinatyrshëm “me hyll në ball”, si “ i rënë nga qielli”. Edhe vetë krahasimi i Njeriut me Mbinjeriun edhe vetvetiu e bënin dallimin, jo vetëm si terma, por edhe për hapësirën ku do të shtriheshin kultet. Njeriu është i pari, kryetari i shtetit nacional shqiptar, kurse Mbinjeriu kërkon të dominojë të gjithë globin tokësor. Siç e shkruan Migjeni: “Njeriu, ka një ide të re, një ideal bujar, për një agim të lum e të drejtë kombëtar”, ndërsa: “Mbinjeriu si Sfinksi, i ka hedh sytë rreth tërë rruzullit tokësor tue synue vranshëm”. Dhe ky Mbinjeri, “pa zemër, pa ndjenja”, nuk ishte fort i ndryshëm nga ai përshkrimi i Gjergj Fishtës: “... gjith njerzimi pret me padurim rendimin e ri shoqnuer, nga dy personat zhenij, Hitler e Duçe” (“Hylli i Dritës”, 7-9, shtatuer 1940, f 298)

Besoj se lexuesi e kupton tashti se, vjersha “Trajtat e Mbinjeriut” edhe nga vetë krahasimet që i bënte Gjovalin Luka, kishte qenë për t’u botuar dhe e kishte edhe komentimin e saj përkatës. Pra, ia ndaluan ribotimin, ia hoqën edhe komentimin më 1954, me syrin e E. Hoxhës! Dhe, me sa dukej, këtu kishte edhe një arsye pak më të thellë, “një thembër të Akilit”! Në diskutimet letrare, ishte shprehur ndonjë ide se, ky kult i Mbinjeriut nuk ishte thjeshtë një kopje identike niçeane ose nacional-socialiste, por ishte një mbinjeri specifik migjenian, ku duhej menduar se mbase aty projektohej një tip si shoku Enver! Këtë ide e kishte hedhur Koço Bihiku dhe kësaj ideje me sa e supozonte nëpër mjegullnajë Gjovalin Luka, po i jargavitej vetë shoku Enver! (Dorëshkrim origjinal i Bihikut, me miratimin e firmën e Skënder Luarasit; Krhs, “Migjeni, Vepra, Mbledhur dhe redaktuar nga Luarasi, viti 1957, Parathënia, f 46, “Migjeni përbën themelin e letërsisë sonë të realizmit socialist” etj)

Diskutimet letrare që u zhvilluan aty nga maji i vitit 1955 e kritikuan pikëpamjen e Gj. Lukës dhe theksuan se “te Migjeni nuk mbizotëronte kulti i heronjve”. (shih në diskutimin e Dh. Fullanit, të skanuar)

Koço Bihiku, pak më vonë e paraqiti me shkrim studimin edhe me “miratimin” e Skënder Luarasit dhe mbi këtë bazë e stërholloi dhe e “zbërtheu” edhe Llazar Siliqi, ku shkruante: “Partia që themeloi shoku Enver Hoxha më 1941, u priu në luftë e fitore të birje të Shekullit të Ri... duhet të jemi të lirë, të shembim botën e vjetër e të ndërtojmë një botë të re... andrra e lanë përgjysëm, andrra ma e guximshme e Migjenit qe pikërisht një “burrë që shkatërron dhe që ndërton sërish dhe ky burrë ishte shoku E. Hoxha”. (“Migjeni, Vepra të Zgjedhura, Parathënia, LlS. f 3, f 7)

Shoku Llazar Siliqi këtë “Burrin Hero që, shkatërron dhe që ndërton sërish”, ç’ishte e vërteta nuk e shpiku, por e kopjoi nga një varg, fjalë për fjalë, te vjersha “Një natë pa gjumë”. Nata ishte aq e zezë, “terr me shti gishtat në sy”, siç thonë në Shkodër, e për ma tepër, poeti nuk kishte asnjë copë pishë me pa sadopak dritë. Në këtë situatë Migjeni është i gatshëm të pranojë një Burrë hero, një Njeri edhe “ngado që të jetë”, mjaft që ta vinte “Burrin e tretun”/alias Mbretin Zog I, në majë të një shpate”! Vetë poeti po të kishte një Pishtar të madh do të ndezte kushtrimin për kryengritje. Mirëpo, “pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët”, na thotë Migjeni. Sipas shënimit 6 të komentimit të Gjovalin Lukës, këta “burrat, shokët”, janë revolucionarët shqiptarë të kohës, të cilët, përveç se në këto kondita errësine të thellë, nuk i kishin me vehte masat popullore. Dhe kështu (kur edhe Burri Musolini i rrinte gati t’i kërcente mbi kurriz...), kjo kryengritja antizogiste ku rrekej Migjeni, do të rezultonte si një puç dhe aventurë. Kështu e interpretonte Gjovalin Luka, vjershën në botimin e vitit 1954, fq. 75, siç mundeni ta verifikoni. Edhe kjo, kur dihej se si kishte përfunduar ajo Kryengritja e Fierit! (Po kujtoj, pak edhe atë frymëzimin e Nolit: “Ngrihuni edhe bjeruni, korrini e shtypini, katundarë e punëtorë, që nga Shkodra e deri në Vlorë”... mirëpo sado mornica të të shkojnë në trup, sado të frymëzuara e të revoltuara qofshin vargjet, revoltat e revolucionet nuk fillojnë për hatrin e poezisë.)

Mirëpo ja se çfarë zgjidhje paradoksale propozonte “Kritika” enveriste, në prill-maj të vitit 1954: “Vargu 1, i strofës 4, te vjersha “Një natë pa gjumë”, tek botimi i vitit 1944 ishte: “Por pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët”... porse në bazë të një shënimi të dorëshkrimit origjinal, duhet të qe kështu: “Por pishë nuk kam e larg janë shokët, burrat”. Kjo fjala “larg” e origjinalit në këtë rast e këmben kuptimin: burrat, shokët janë revolucionarët e jashtëm... Këta “burra e shokë” s’mund të jenë të tjerë, veçse bolshevikët e Bashkimit Sovjetik”... Dhe kështu vazhdojnë po aty te “Kritika Zyrtare” të “argumentohen” disa teorizime se: “Poeti e kupton se duhet ta njohë më mirë ideologjinë revolucionare, marksizmin... se, Migjeni me të drejtë dëshiron që t’i shohë e t’i ketë sa më pranë shokët bolshevikë për t’ia drejtuar udhën etj. (Rev., Nëndori, Nr. 5, 1954, f 128-129)

Por, Gjovalin Luka, si “kokëfortë” nuk e kishte bërë këtë “përmirësim-redaktim” kaq esencial! Ai nuk e pranoi as edhe një sugjerim tjetër “më të vockël”, që të mos e luante vargun origjinal, por t’ia shtonte edhe një varg tjetër, ashtu siç e kishte shënuar e sugjeruar vetë Migjeni në anëshkrimin me lapës!

Ja, lexues të paanshëm, shikoni se deri ku ka arritur imagjinata e shfrenuar! Migjeni na paska pretenduar edhe pas vitit 1936, kur ishte hedhur vija dhe praktika e “Frontit Popullor” se, në Shqipëri, në kuadrin e revolucionit botëror permanent trockisto-stalinist, do të turrej Ushtria e Kuqe e Stalinit, për të na çliruar nga regjimi i satrapit Zog! Për Gj. Lukën, nuk mund të mendohej në asnjë rast se, edhe po të ndizej ajo “pisha e vogël”, siç edhe ai “Pishtari i madh”, në Shqipëri do të turreshin bolshevikët sovjetikë të Burrit Stalin (siç në Spanjë), për të ndihmuar revolucionarët shqiptarë!
Kjo “Kritikë” e vitit 1954, që në ndonjë vend e realitet tjetër, mund të konsiderohej si një “Kritikë Zyrtare“ e vetë redaksisë, jo vetëm që nuk ishte thjeshtë e redaksisë, por përfundonte deri te E. Hoxha... Edhe “anonimati” i S L, edhe disa “Protesta të ashpra” të tijat më 1954, medemek preteksin e novelës “Studenti në shtëpi”, nuk ishin aspak rastësisht... Për, kureshtarët dhe domosdo për ekspertët hetues e kritikë letrarë të sotëm, do mjaftonte vetëm një sy po aty te f 124 e revistës Nëndori, te një “Shënim Thirrje” e redaksisë edhe akoma pak më mbrapa, për të kuptuar se aty ishte dora e Partisë dhe Sigurimit...

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›