Kinë, tërmeti 6.9 ballë shkakton 400 viktima dhe mijëra të plagosur
Blerina Olldashi
Një tërmet i fortë me magnitudë 6.9 ballë të shkallës Rihter ka tronditur provincën kineze të Qinghait, që ndodhet në veriperëndim të vendit. Bilanci i përkohshëm i viktimave, duke iu referuar televizionit kombëtar të Kinës flet për 400 të vdekur dhe 10 mijë të tjerë të plagosur. “Shumë persona kanë mbetur nën rrënoja” ka saktësuar agjencia e lajmeve “Nuova Cina”. “Një pjesë e madhe njerëzish janë varrosur të gjallë nga shembja e ndërtesave dhe shumë të tjerë janë shtruar në spitale”, ka deklaruar një zyrtar i lartë. Mes viktimave mësohet se janë edhe fëmijët e një shkolle. Tërmeti u regjistrua nga Shërbimi gjeologjik i Shteteve të Bashkuara në orën lokale 7:49 dhe u ndoq nga tri tronditje më të lehta me magnituda 5.3, 5.2 dhe 5.8. Sipas ekspertëve amerikanë, epiqendra e tërmetit të fuqishëm u lokalizua në 10 kilometra thellësi, në një distancë prej 375 kilometra nga qyteti Golmud dhe 240 kilometra nga qendra tjetër Chamdo. Në qytezën më të afërt të epiqendrës, Jiegu, u shembën 85 për qind e ndërtesave, shtoi funksionari i shtetit. Mes viktimave mendohet të jenë edhe shumë fëmijë të një shkolle fillore. “Nuk kemi makineri për të gërmuar dhe duhet të gërmojmë me duar. Nuk kemi as mjete të mjaftueshme mjekësore”, ka shtuar burimi. Jiegu ndodhet në një prefekturë tibetiane afër kufirit me Tibetin. Rreth 90 për qind e banorëve janë tibetianë. Në maj të vitit 2008 provinca kineze e Sichuanit, afër Qinghait, u godit nga një tërmet me magnitudë 8 ballë dhe shkaktoi 87 mijë të vdekur. Pak orë pas tërmetit, qeveria kineze premtoi se do të jepej një shumë prej 200 milionë jen (rreth 29,3 milionë dollarë) për të ndihmuar banorët e prekur. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Financave. Ky fond do të shërbejë gjithashtu për të mbuluar shpenzimet e evakuimit të personave të zonës, për sistemimin e tyre në zona më të sigurta dhe për marrjen e ndihmës mjekësore.
Përpjekjet për shpëtim janë penguar nga mungesa e lidhjeve telefonike, të cilat janë dëmtuar rëndë si pasojë e tërmetit.
Trupat ushtarake dhe punëtorët e shpëtimit janë dërguar në zonë, por kjo ndihmë me njerëz është konsideruar e paplotë, krahasuar me situatën e rëndë dhe numrin e madh të viktimave. Njerëzit kanë mbetur në rrugë duke u përpjekur të gërmojnë rrënojat për të shpëtuar të afërmit e tyre.
Rusia jep alarmin: “Kirgizia në rrezik të luftës civile”
Presidenti rus Dimitri Medvedev jep alarmin se ekziston rreziku për fillimin e një lufte civile në Kirgistan. “Ekziston me të vërtetë rreziku që Kirgiztani të ndahet në dy pjesë, në veri dhe jug. Më e rëndësishmja në moment është që të pengojmë një luftë civile. Kirgizia ndodhet tani në prag të një lufte civile. Të gjitha forcat në vend duhet të jenë të vetëdijshme që mbajnë përgjegjësi për fatin e popullit, për ekzistencën e shtetit kirgiz”. Medvedev akuzoi presidentin Bakijev dhe qeverinë e tij se kanë përçarë vendin. “Përgjegjësinë e mban pushteti shtetëror, i cili siç duket nuk ka bërë përpjekje për të bashkuar shoqërinë.
Rusia i premtoi Kirgizisë 150 milionë dollarë ndihmë emergjente. Dje, diplomati amerikan, Robert Bleik mbërriti për bisedime në Bishkek për t'u marrë vesh për ndihma të tjera financiare. Ndërkohë në vend, vazhdon kërkimi i një zgjidhjeje politike në luftën për pushtet. Kryetarja e qeverisë provizore Rosa Otunbajeëa nuk lëviz megjithatë nga qëndrimi i saj, se Bakijev duhet të përgjigjet para gjyqit për viktimat. Por, ai kishte ofruar dorëheqjen vetëm në rast se atij dhe qeverisë së tij i garantohet siguria.
15 Prill 2010