Pranga 45-vjeçarit, tentoi të vriste fqinjin për pronën
LEZHË – Një person u arrestua nga policia e Lezhës me akuzën e tentativës së vrasjes pas një konflikti pronësie me fqinjin e tij. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje në fshatin Kallmet i Vogël, në kohën kur sipas policisë, shtetas Pjetër Marku, 47 vjeç, është konfliktuar me të dëmtuarin me iniciale M. Sh., 45 vjeç. Shkak i konfliktit mes dy personave ka qenë mosmarrëveshja për kufirin ndarës mes pronave të tyre në fshatin Kallmet i Vogël. Në mosmarrëveshje e sipër, sipas policisë, shtetasi i arrestuar, Pjetër Marku, ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të fqinjit të tij, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa marrë plagë nga ngjarja. Forcat e rendit janë vënë në dijeni të konfliktit dhe menjëherë shkuan në vendin e ngjarjes duke ndaluar autorin e tentativës së vrasjes.
Policia tha se të arrestuarit Pjetër Marku iu bllokuan në cilësinë e provës materiale dy armë automatike dhe një sasi fishekësh.
Ekstradohet autori i vrasjes së vitit 1997 te Bregu i Lumit
TIRANË – Plot 13 vjet pasi kreu një vrasje në Tiranë, ekstradohet në vendlindjen e tij një person i shumëkërkuar që për hasmërinë kishte ekzekutuar me armë një shtetas dhe plagosur një tjetër. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se dje, zyra qendrore kombëtare Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Milano drejt vendit tonë të të kërkuarit shqiptar Besim Hamdi Doku, 50 vjeç, lindur në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me Vendimin Nr. 692, datë 25.06.2004, e ka dënuar Besim Dokun me 23 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim, e mbetur në tentativë“, si dhe “mbajtjes pa leje të armës luftarake”. Besim Doku, në datë 19 maj 1997, rreth orës 21:00, te zona Bregu i Lumit në kryeqytet ka vrarë me armë zjarri për motive hasmërie shtetasin Ilmi Cuka dhe ka plagosur shtetasin D. Cuka. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë të shtetasit Besim Hamdi Doku. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Dhunohet nga djali i alkoolizuar, kërkon mbrojtje nga policia
KRUJË – Një grua 59-vjeçare ka kërkuar mbrojtje nga policia pasi është dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga i biri, i cili është përdorues alkooli. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj shtetases Xh. T., lindur e banuese në Krujë, e ve, me tre fëmijë. Shtetasja në fjalë ka bërë kallëzim ku pretendon se djali i saj, shtetasi SH. T., 30 vjeç, lindur e banues në Krujë, ka ushtruar ndaj saj në mënyrë sistematike përgjatë një periudhe 2-mujore dhunë fizike nën ndikimin e alkoolit. Zëdhënësja e policisë thotë se “materialet procedurale iu kaluan për ndjekje Gjykatës së Rrethit Krujë”.
15 Prill 2010