E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërkëmbimi, si ndihmohen financiarisht 2500 fëmijët lezhjanë



Eljona Ballhysa

Plot 2500 fëmijë në nevojë nga Lezha kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për të lehtësuar problemet financiare që hasin çdo ditë në jetën e tyre. Bëhet fjalë për Projektin e Letërkëmbimit, i cili është një mënyrë e veçantë për të ndihmuar edhe financiarisht fëmijë që vijnë nga familje në nevojë. Këtë projekt e mundëson qendra “World Vision Albania”, e cila me zyrën e saj në rrethin e Lezhës ka mundësuar miqësinë e 2500 fëmijëve lezhjanë me bashkëmoshatarët e tyre në Britaninë e Madhe. Projekti i Letërkëmbimit është një mundësi e mirë për këta fëmijë jo vetëm për të shkëmbyer mendime dhe eksperienca të ndryshme me shokë të huaj, por edhe për t’u ndihmuar financiarisht nga familjet e fëmijëve nga Britania e Madhe. Fëmijët e përzgjedhur në këtë projekt vijnë nga familje në nevojë nga rrethi i Lezhës. Menaxherja e qendrës “World Vision” në qytetin e Lezhës, Ermira, bën të ditur se Projekti i Letërkëmbimit ka sjellë përmirësimin e kushteve të jetesës për shumë fëmijë të këtij rrethi. Falë këtij projekti, këta fëmijë angazhohen për të shkëmbyer letra, ku tregojnë për jetën e tyre, për shkollën, për mësimet, për lojërat e ndryshme dhe për nevojat që ata kanë. Sipas menaxheres, ka pasur raste që nga Projekti i Letërkëmbimit familjet e fëmijëve nga Lezha janë vizituar nga familjet e fëmijëve nga Britania e Madhe. Por, i gjithë ky proces është i kontrolluar nga qendra “World Vision”, qëllimi i së cilës është ndihmesa që u jep fëmijëve në nevojë dhe për këtë arsye janë përcaktuar një sërë rregullash strikte.
Projekti
Projekti synon që nëpërmjet letërkëmbimit me bashkëmoshatarët e tyre anglezë, fëmijët shqiptarë të përfitojnë edhe të ardhura financiare. Ndërkaq, pa mundësi përfitimi nuk mbeten as prindërit e fëmijëve. Sipas këtij projekti, synohet që prindërit e tyre të fitojnë aftësi për të ndërmarrë nisma që ndikojnë mirëqenien e fëmijëve dhe zhvillimin e komunitetit të tyre. Po ashtu, nëpërmjet këtij projekti fëmijët marrin njohuri për një kulturë të huaj, mësojnë të vlerësojnë kulturën e vendit të tyre dhe ta ndajnë atë me të tjerët. Këta fëmijë gjithashtu kanë mundësi të marrin pjesë në veprimtari të ndryshme që synojnë zhvillimin e gjithanshëm të tyre. Miqtë e fëmijëve, me anë të letrave të letërkëmbimit, ndërtojnë miqësi me fëmijë dhe familje shqiptare. Nga ana tjetër, miqtë e fëmijëve shqiptarë mësojnë për kulturën shqiptare. Falë projektit, miqve të fëmijëve u jepet mundësia të kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit, duke bërë të mundur realizimin e projekteve për rritjen e mirëqenies së fëmijëve.
Regjistrimi
Pjesë e Projektit të Letërkëmbimit mund të bëhen vetëm fëmijët e moshës 3-12 vjeç. Fillimisht për t’u regjistruar në projekt fëmijëve u bëhet një fotografi nga personeli i “World Vision Albania” dhe më pas plotësohet formulari me informacionin e nevojshëm rreth tyre. Disa muaj pas kryerjes së regjistrimit të fëmijëve fillon shkëmbimi i letrave ndërmjet tyre dhe miqve në Britani. Fëmijët, përveç letrave dhe kartolinave, mund të marrin edhe dhurata simbolike nga miqtë e tyre ose sasi të vogla lekësh, të cilat duhet të shpenzohen vetëm për nevojat e fëmijës. Shpenzimi i këtyre të lekëve bëhet gjithmonë me ndërmjetësimin e personelit të “World Vision Albania”. Gjithashtu, fëmijët lejohen të përfshihen në projekt vetëm pasi prindërit e tyre ta miratojnë këtë gjë me shkrim. Prindërit mbështesin dhe inkurajojnë fëmijët e tyre të bëhen pjesë aktive e projektit. Janë pikërisht prindërit ata që u japin fëmijëve leje për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme të organizuara për zhvillimin e gjithanshëm të tyre. Ndërkaq, prindërit lejojnë që fëmijët e tyre të pyeten rregullisht për shëndetin, ecurinë në shkollë dhe pjesëmarrjen e tyre në projekt. Në këtë bashkëpunim, “World Vision” lehtëson komunikimin mes fëmijëve dhe miqve të tyre, në mënyrë që të drejtat e fëmijëve të respektohen dhe fëmijët të mbrohen nga kontaktet e paautorizuara. Kjo është arsyeja përse nuk lejohet shkëmbimi i adresave midis fëmijëve dhe miqve të tyre. Letrat përkthehen nga gjuha angleze në gjuhën shqipe para se të dorëzohen te fëmijët. Po ashtu, letrat e fëmijëve hapen dhe lexohen, për t’u siguruar që përmbajtja e tyre të jetë e përshtatshme për fëmijët. Miqtë e fëmijëve mund të vijnë në Shqipëri për vizitë, por fëmijët nuk mund të shkojnë për vizitë në Britani. Fëmijët nuk mund dhe nuk do të adoptohen nga miqtë e tyre.
“World Vision” është një organizatë humanitare, zhvillimi dhe advokacie, themeluar në vitin 1950. “World Vision” punon në 100 vende të botës për të krijuar ndryshime të qëndrueshme në jetën e fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve që jetojnë në varfëri.

Qendra “World Vision” në Lezhë dhe pesë projektet të ndihmë të fëmijëve

“World Vision” është një organizatë ndërkombëtare që operon me qendrat e saj të shtrira në 3 qytete kryesore. Që në vitin 2001, “World Vision” është fokusuar me qendrat e saj në qytetin e Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës duke punuar në pesë fusha të ndryshme që në qendër kanë mbrojtjen e fëmijëve dhe dhënien e ndihmës ndaj tyre. Prioritet i “World Vision” është puna me fëmijët e zonave rurale. Në qytetin e Lezhës ky projekt ka përfshirë tre komunat më të mëdha si Zejmen, Balldren dhe Kolq, që përfshijnë gjithsej 17 fshatra. Aktualisht kjo qendër po punon për 5 projekte. Projekti i parë lidhet me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, i dyti lidhet me zhvillimin ekonomik. Kjo qendër ka mundësuar hapjen e një qendre për punimin e tezgjahut duke mundësuar punësimin e 27 grave të këtij rrethi. Projekti tjetër lidhet me shëndetësinë. “World Vision” inkurajon shërbimin parësor shëndetësor, sensibilizimin dhe trajtimin e nënave të reja. Një tjetër fushë është edhe edukimi. Kjo qendër po punon ngushtë me shkollat në zonat rurale të rrethit të Lezhës në mënyrë që të ulet numri i fëmijëve që braktisin shkollat. Dhe projekti i pestë është ai i letërkëmbimit.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›