Matura, Bujqësori shpall datat për ditët e gjimnazistëve në universitet
Jonida Tashi
Universiteti Bujqësor i Tiranës shpall datat në të cilat maturantët do të vizitojnë fakultetet e tij për të marrë informacionin e nevojshëm për studimet e larta. Kështu, drejtuesit e këtij universiteti kanë caktuar datat e takimit për pesë fakultetet e Bujqësorit. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Universiteti Bujqësor i Tiranës njofton se lidhur me takimet që duhet të organizohen në këtë institucion të arsimit të lartë me nxënës maturantë, të interesuar për profilet e studimit që mbulon ky universitet, ato do të zhvillohen në fakultete sipas datave të përcaktuara.
Datat
Fakulteti i parë i Bujqësorit që do të ofrojë këshillim karriere për maturantët do të jetë ai i Bioteknologjisë dhe Ushqimit. Këtë fakultet maturantët mund ta vizitojnë në datën 15 prill, ora 13.00. Më pas programi i gjimnazistëve në universitete do të vijojë me Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, i cili do t’i hap dyert për të informuar maturantët në datën 19 prill, ora 13.00. Më tej, në datën 23 prill, maturantët e interesuar për të vijuar studimet e larta në Universitetin Bujqësor, mund të vizitojnë Fakultetin e Shkencave Pyjore. Për Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit është vendosur që këshillimi i karrierës për maturantët të bëhet në datën 26 prill. Në ditën e fundit të muajit prill maturantët do të kenë mundësi të vizitojnë edhe Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.
Këshillimi
Ndonëse pak kohë më parë kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, u kërkoi drejtuesve të universiteteve publike që të shpallnin ditët e këshillimit të karrierës për maturantët, deri tani një gjë të tillë e ka bërë vetëm Universiteti Bujqësor. Në sajë të këtij bashkëpunimi me universitetet, maturantët e shkollave të mesme publike dhe jo-publike, por edhe maturantët e ardhshëm, para provimeve të Maturës dhe përzgjedhjes së degëve të studimit mes shumë fakulteteve në vend, do të kenë mundësi të marrin një informacion të plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar. Për këtë arsye, çdo vit, Ministria e Arsimit ka publikuar një program pune “Ditët e gjimnazistëve në universitete”, qëllimi i të cilit është orientimi i të rinjve në zgjedhjen e studimeve universitare. Informacioni i plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar është një nga pikat kyçe për një vendim personal të çdo maturanti. Ky informacion do të merret në bazë të një informimi të plotë, me anën e disa mekanizmave siç janë “Këshillimi i Karrierës” dhe “Ditët e gjimnazistëve në universitet”. Sipas MASH-it, orientimi i atyre që përfundojnë shkollën e mesme apo profesionale dhe drejtohen drejt universiteteve është diçka shumë e rëndësishme, që ka munguar dhe që patjetër duhet të konsiderohet si prioritet për mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies. Pjesë për zbatimin e këtij programi do të jenë edhe fakultetet, të cilat në bazë të udhëzimit të MASH-it, do të informojnë maturantët për degët që kanë, vështirësinë e tyre, si dhe sa oferta kanë këto degë në tregun e punës.
Informacioni që merret nga vizitat në universitete
Rezultati i procesit të Këshillimit të Karrierës është që maturantët të jenë të mirëinformuar për vendimin që ata do të marrin për studimet e larta. Para se maturanti të zgjedhë për shembull, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të Inxhinierisë, apo Historisë, ai duhet të dijë më parë se ekziston një program i tillë studimi, me ngarkesë të caktuar dhe më kryesorja pas diplomimit, cilat janë shanset e punësimit apo të qenit të suksesshëm në tregun e punës. Për të garantuar një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit të Këshillimit të Karrierës, do të ketë një bashkërendim të veprimtarive të parashikuara në plan-program mes shkollave të larta, Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë (DPAL) dhe Drejtorisë së Kurrikulave (DK). Shkollat e Larta në bashkëpunim me DPAL dhe DK kanë për detyrë që të informojmë më mirë maturantët për ofertat e arsimit të lartë, për shanset që kanë në një degë të caktuar studimi, për perspektivën e karrierës së tyre që u ofrohet në rastet e ndryshme. Maturantët do të informohen nga fakultetet për vlefshmërinë e diplomës së tyre, hapësirën që ajo ka në tregun e punës, familjarizimin me jetën studentore, si dhe kushtet e mësimdhënies që ofrohen. Takimet që do të organizojnë pjesëtarë të stafeve mësimore të fakulteteve, nuk do të kufizohen vetëm për çështjet e koeficienteve që kanë për çdo universitet, por në ditë të caktuara në kuadrin “Ditët e gjimnazistëve në universitet”, profesorët e universiteteve do të shkojnë në shkollat e mesme për të paraqitur ofertat e fakulteteve në të cilat ata japin mësim.
Datat e takimit
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit 15.04.2010, ora 13.00
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit 19.04.2010, ora 13.00
Fakulteti i Shkencave Pyjore 23.04.2010, ora 13.00
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit 26.04.2010, ora 13.00
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare 30.04.2010, ora 13.00
Viti 2010-2011
Turqia ofron bursa 22 bursa studimi për shqiptarët
Në kuadrin e marrëveshjes dypalëshe, qeveria e Republikës së Turqisë i ka akorduar Shqipërisë 22 bursa studimi për vitin akademik 2010-2011. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Arsimit, bursat do të jenë të ndara si më poshtë: 4 bursa kërkimore (8-mujore); 13 bursa për programe studimi të nivelit master ose doktoratë (PhD); 5 bursa për kursin veror të gjuhës dhe të kulturës turke. Ndërkaq, tetë prej bursave të nivelit master dhe doktoratë do të jenë sipas fushave të mëposhtme: 4 bursa studimi për Histori, Arkiva ose Arkeologji; 2 bursa studimi për Shkencat e edukimit (Mësuesi); 2 bursa studimi për Bioteknologji. Për bursat e kursit të verës të Gjuhës dhe Letërsisë turke duhet të aplikojnë vetëm studentët e vitit të katërt të Turkologjisë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Kurse kandidatët për studime pasuniversitare duhet të paraqesin në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH këto dokumente: kërkesën, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën aplikanti dëshiron të studiojë; fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë; fotokopjen e noterizuar të listës së notave; dy rekomandime; programin e studimit; raportin mjekësor për aftësi studimi; raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS ose të Hepatitit C; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit; 3 fotografi. Për kursin e verës: kërkesën për ndjekjen e kursit të gjuhës; dëshmi për njohjen e Gjuhës turke; raportin mjekësor për aftësi studimi; raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS ose të Hepatitit C; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit; 3 fotografi. Për kursin e verës, afati i fundit për pranimin e dokumenteve në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 23 prill 2010, ndërsa për bursat e tjera do të jetë data 21 maj 2010.
15 Prill 2010