E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria në punë, në 3 vjet, 250 persona kanë vdekur nga aksidentet në punë



Përgjatë tre vitet e fundit, 250 persona në vendin tonë kanë humbur jetën nga aksidentet në punë. Shifra është bërë e ditur dje nga kreu i Federatës Sindikale Kimi-Metalurgji, Qerim Ismeni, sipas të cilit, shkaku kryesor i prodhimit të vazhdueshëm të aksidenteve ka qenë mungesa e kushteve teknike. Kreu i Federatës Sindikale, Kimi-Metalurgji, thotë se deri më sot ka pasur përpjekje individuale, por gjendja aktuale në uzina e fabrika mbetet problematike. Lidhur me të njëjtin problem, Konfederata e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, shprehet skeptike për zbatimin e ligjit të ri “Për sigurinë e shëndetit në punë”. Në një deklaratë të tyre thuhet se problem mbetet numri i vogël i inspektorëve të punës, të cilët, sipas ligjit duhet të kontrollojnë masat që marrin punëdhënësit. Për të gjitha problemet që hasen për sigurinë dhe shëndetin në punë, Ministria e Punës, ka mbledhur dje sindikatat dhe punëdhënësit për zbatimin e ligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”. Në këtë takim, kreu i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera, ka deklaruar se nuk nevojiten vetëm ligje të standardeve europiane, por edhe masa për zbatimin e tyre. Ministri i Punës, duke iu referuar miratimit të të parit ligj “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, u ndal konkretisht në të rejat që sjell ligji, duke filluar nga detyrimi i punëdhënësit për vlerësimin e rreziqeve dhe marrjen e masave parandaluese që burojnë nga ushtrimi i aktivitetit që në fazën e hartimit të projektit, detyrimin e tij për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, ngritjen e shërbimeve të mbrojtjes dhe parandalimit, ngritjen e shërbimeve të specializuara jashtë ndërmarrjes, të kualifikuara për të kryer shërbime mbrojtjeje dhe parandalimi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, masat për të siguruar kontrollin e shëndetin të punëmarrësit në funksion të rreziqeve që kanë lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë, nëpërmjet mjekut të punës, etj.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›