E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli merr pjesë në Konferencën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori pjesë dje në takimin e organizuar nga Bashkëpunimi Italian për Zhvillim mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Gjatë fjalës së saj kryetarja e Kuvendit theksoi se çështjet që lidhen me të drejtat e fëmijëve janë prioritet i shoqërisë shqiptare. Sipas saj, edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, apo integrimi në BE, janë procese që bëhen për një jetë më të mirë për fëmijët. “Çështja e fëmijëve nuk është vetëm çështje e qeverive, nuk është vetëm çështje e politikës. Në radhë të parë duhet të ketë një ndërgjegjësim më të madh të pushtetit lokal. Janë kryetarët e bashkive që duhet të ndryshojnë konceptin në raport me qytetin. Raporti fëmijë-qytet është shumë i ngushtë. Kemi nevojë për një rritje të kulturës së veprimtarisë tek çdo fëmijë”, - është shprehur Topalli. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet Topalli vlerësoi bashkëpunimin e Italisë me Shqipërinë të shtrirë në Shkodër, Elbasan, e Vlorë dhe që ka sjellë rezultate konkrete në përmirësimin e kushteve për fëmijët. Ajo u shpreh se ka ende vend për përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve. “Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT-it, numri i përgjithshëm i fëmijëve në Shqipëri është rreth 1 milion e 400 mijë, nga rreth 3 milionë e 400 mijë banorë që ka Shqipëria, duke përfaqësuar mbi 1/4 e popullsisë. Strukturat sociale të vendit tonë kanë një rol shumë të rëndësishëm, në të cilat prioriteti kryesor janë fëmijët. Duhet të ketë një angazhim dhe një vëmendje akoma më të madhe për këtë shtresë që është gjëja më e bukur që një shoqëri ka. Jo të gjithë fëmijët gëzojnë të drejtat e tyre, por ndryshimi i kësaj gjendjeje fillon nga secili prej nesh; që axhenda jonë duhet të ketë fëmijët prioritet, të ketë gjithmonë një zë të veçantë në buxhet për fëmijët, të ulim braktisjen e shkollës prej fëmijëve”, - është shprehur Topalli.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›