E Diel, 1 Nëntor 2026

Ansambli i fëmijëve në Festivalin Ballkanik në Selanik

Autori i Lajmit: red.
Ansambli i Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Librazhdit do të prezantojë vlerat folklorike dhe kostumografinë e pasur të zonave të ndryshme të këtij rrethi në Festivalin Ballkanik të Fëmijëve, i cili do të zhvillohet në Selanik të Greqisë, nga data 23-28 shtator.
Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Haxhi Balliu, tha se "në këtë festival, i cili do të zhvillohet në Kalkidhiki të Selanikut, do të marrin pjesë dymbëdhjetë grupe folklorike të fëmijëve nga Ballkani, si Greqia, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Turqia, Rumania, Bullgaria, si dhe Italia e Hungaria".
Sipas tij, në repertorin e ansamblit përfaqësohen të gjitha trevat e Librazhdit, por edhe të Shqipërisë së Jugut e asaj të Veriut si dhe trevat shqiptare të Maqedonisë e Kosovës.
Drejtori Balliu u shpreh se krahas valles së njohur të Rrajcës, fëmijët librazhdas do të kërcejnë edhe vallen e Korçës, vallen e çobanit, etj. Ansambli i Fëmijëve të Librazhdit pritet të japë disa koncerte edhe për emigrantët shqiptarë, që ndodhen në Selanik e Kalkidhiki. Ansambli i Fëmijëve të këtij rrethi është krijuar në vitin 1974, nga koreografi Sadi Halili, "Artist i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh". Që prej krijimit të tij dhe deri tani ai ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2000 Ansambli i Fëmijëve të Librazhdit u nderua me çmimin e parë në Festivalin Ballkanik të Shkupit, në Maqedoni.

Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›