E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pepo sjell telenovelën e dytë në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Pas serialit të parë “Njerëz dhe fate”, një tjetër produksion i ngjashëm do të vijë së shpejti në Televizionin Publik Shqiptar. Filmi titullohet “Dhimbja e dashurisë” dhe është në vijim të serialeve, të cilët për disa vite i kanë munguar ekranit të televizionit tonë, por tani po rikthehen përsëri me një kastë aktorësh të zgjedhur dhe me një ekip realizues nga më të mirët që është sot në Shqipëri. Regjisori i filmit, Ylli Pepo, tregon mbi realizimin e këtij produksioni kinematografik, i cili bën fjalë për ngjarjet e fundit shoqërore në Shqipëri dhe përbëhet nga 10 seri. “Ky serial, - tha Pepo, - është realizuar nga një staf i televizionit shqiptar, (që tashmë ka përfunduar xhirimet), me skenar të Bashkim Kozelit dhe kamera të Astrit Omerit”. Sipas tij, filmi, i cili do të shfaqet në muajin tetor për publikun, prek një temë të mprehtë sociale dhe familjare. Në film trajtohet historia e një vajze, e cila ka qenë e internuar për disa vjet dhe rikthehet sërish në Tiranë dhe kërkon që të vendosë raportin që ka pasur më parë. Në këtë rol, që është dhe kryesori, interpreton aktorja Anila Bisha, një nga aktoret më të mira të filmit, e cila, siç thotë Pepo, “ka ditur që të përballojë me shumë sukses, por dhe me gjetje origjinale një rol të vështirë, që zhvillohet në dy kohë. E para, kur ajo ishte në gjendje vërtet të rëndë, dhe në kohën e sotme, kur fillon të kërkojë djalin e saj, të cilin kujton se e ka të humbur, por në fakt ai jeton”. “Mbi këtë bazë është ndërtuar e gjithë fabula e filmit, pra është historia e një nëne të re, e cila kërkon me çdo kusht të dijë të vërtetën mbi birin e saj, mbi një familje të shkatërruar nga diktatura”, - thotë regjisori Pepo, i cili nënvizon faktin se në film trajtohen dhe tema të tjera si korrupsioni, droga, lufta për dashuri e dinjitet. Duke u ndalur në trupën e aktorëve, regjisori Pepo shpjegon se në këtë film ka rreth 30 aktorë, ku në rolet kryesore interpretojnë Anila Bisha, që luan rolin e një gruaje të ditës, e cila ka vuajtur shumë gjatë jetës së saj, Dritan Boriçi, Hajrie Rondo, Llesh Nikolla, Kastriot Çaushi, Petrit Malaj, ndërsa ka dhe shumë aktore të reja, të cilat dalin për herë të parë në skenë, si Niada Saliasi, që ka rolin e një vajze të trafikuar, Ermela Teli, Eni Lila, Jonida Vokshi, Soni Malaj, etj. Pepo shpjegon se filmi ka 10 seri, nga 60 minuta secila. Ngjarjet në këtë serial zhvillohen seri pas serie nëpërmjet jetës dhe personazheve, të cilët janë të shumtë në film, të të gjitha shtresave dhe moshave të popullsisë, duke filluar që nga nxënëset e shkollave me problemet e tyre të moshës të adoleshencës e deri tek nënat me problemet për pensionet, për jetën në familje, me fenomenet e reja sociale që burojnë mes fëmijëve dhe prindërve, etj. “Si me thënë, është një afresk i madh i jetës shqiptare të sotme”, - thotë Pepo. Sipas Pepos, filmi është xhiruar përgjatë 3 muajve, në një afat kohor tepër të shkurtër, me mbështetjen financiare të Televizionit Publik Shqiptar. Më shumë, thotë ai, është xhiruar në Tiranë, ku u krijua dhe një atelie brenda TVSH, për të realizuar një pjesë të mirë të filmit si marrëdhëniet në familje, disa zyra, etj. Por ndërkohë është xhiruar dhe jashtë Tiranës si në Shkodër, Orikum të Vlorës, Librazhd, Durrës, në Brindizi dhe Bari. Duke u ndalur në atë se çfarë e nxiti për realizimin e këtij produksioni, Pepo shprehet se ideja për këtë film ishte dëshira për të veshur me gjuhën e artit të përditshmen shqiptare. Në përgjithësi, thotë ai, filmi artistik ka tendencë për të pasur shumë fenomene, të cilat kanë ndodhur vite e vite të shkuara tek ne, kurse televizioni flet më shumë me gjuhën e aktualitetit, me gjuhën e ditës. “Në këtë kuptim mendova se gjëja më e mirë do të ishte që dhe kjo gjini të vinte në televizion”, - thekson Pepo. Për publikun filmi do të shfaqet në vjeshtë, fundi i muajit tetor deri në Vitin e Ri, dy herë në javë në TVSH, ndërkohë që po përgatiten dhe spotet e para për promovimin e filmit.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›