E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentoi 4 veta me vdekje, pranga të shumëkërkuarit

Autori i Lajmit: red.

Është arrestuar dje në kryeqytet ku fshihej prej katër vjetësh, autori i dyshuar i vrasjes në aksident të katër personave. Burime nga Policia e Durrësit bëjnë të ditur se Hajredin Allaraj, 29 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Hamallaj të Durrësit, u arrestua në funksion të ekzekutimit të vendimit penal të datës 22 dhjetor 2005 të Gjykatës së Rrethit Tiranë. Allaraj është dënuar me shtatë vjet heqje lirie, për veprat penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen dhe largim nga vendi i aksidentit. Vendimi i Faktit, mësohet se ishte ankimuar dhe Gjykata e Apelit Durrës, me vendim të datës 22 dhjetor 2005, e ka dënuar me pesë vjet burg, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largimit nga vendi i aksidentit”, duke zbritur dy vjet heqje lirie. Burimet nga uniformat blu pohojnë se ngjarja makabre ndodhi më 27 dhjetor 2004, në vigjilje të Vitit të Ri, kur Allaraj, në kohën kur drejtonte automjetin me targa DR 0461 D, në aksin rrugor kombëtar Tiranë-Durrës e pikërisht në afërsi të Vorës, ka aksidentuar me pasojë vdekjen katër qytetarë. Viktimat e Allarajt po ktheheshin nga një gëzim familjar kur gjetën vdekje tragjike në rrugë. Autori i aksidentit me katër të vrarë, as që ndaloi t u japë ndihmën e parë të mundshme viktimave të tij, por u largua nga vendi i ngjarjes, duke jetuar deri sot, në liri, ndërsa ishte shpallur person i shumëkërkuar. Shpallja në kërkim e Allarajt ishte bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, më 25 shkurt 2005 por deri sot, ai kishte arritur të fshihej mirë, derisa u zbulua në kryeqytet, ku u prangos pa rezistencë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 të Tiranës.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›