E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anti-Danimarka, Kuzhe shpall sot listën

Java e dytë e shtatorit do të rikthejë emocionet e mëdha, që mund t‘i dhurojë vetëm Kombëtarja kuqezi. Pikërisht më datën 9 shtator Shqipëria do të duhet të zbresë në fushë për t‘u përballur me një nga kundërshtarët më të fortë të Grupit 1, pikërisht kryesuesin e tabelës së klasifikimit, Danimarkën. Prandaj, javën e ardhshme pritet të fillojë edhe faza përgatitore e Kombëtares sonë për këtë sfidë. Burime pranë FSHF-së kanë bërë të ditur se, trajneri kroat, Josip Kuzhe, pasi ka përfunduar turin e tij në Gjermani e Itali, ku ka ndjekur nga afër disa prej kuqezinjve që luajnë në kampionatet e huaja, tashmë e ka përpiluar listën e lojtarëve, të cilët do të grumbullojë për këtë sfidë. Kjo listë mësohet se ka mbërritur në FSHF dhe publikimi i saj do të bëhet vetëm sot. Për momentin qarkullojnë zëra se Besart Berisha, sulmuesi i Arminia Bielefeld dhe Edmond Kapllani, sulmuesi i FC Augsburgut në Bundesligën 2, nuk do të jetë pjesë e listës së të besuarve të teknikut kroat ndaj danezëve. Ndërkohë që në dyshim është edhe thirrja e Skelës, i cili vazhdon të jetë pa skuadër dhe sigurisht që i mungon shumë praktika e lojës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›