E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur vjen nga brenda LSI-së

Kur kanë mbetur pak kohë nga krijimi i qeverisë së re, një grup i rëndësishëm i LSI-së ka shpallur qëndrimin e tij zyrtar kundër bashkëpunimit të kësaj partie me Berishën. Kushdo që do mundohej t‘i minimizonte zërat e saposhpallur, nuk do bënte gjë tjetër veçse do mundohej të minimizonte dëmin aktual që kjo marrëveshje po i shkakton kësaj partie dhe vendit, pa nisur akoma shfaqja groteske e qeverisë së re. Në fakt, në këtë grup janë pesë figura kryesore, që bashkë me çiftin Meta, pak a shumë përbëjnë LSI-në. Debati që duhet të kishte pushtuar verën, dhe që u zëvendësua me debatin për largimin e Ramës, duket se ka marrë udhë dhe është po aq i shëndoshë për jetën demokratike në vend dhe të ardhmen e LSI-së në veçanti, sa çdo lloj debati që ka në thelb moralin dhe integritetin. Është një shenjë e mirë se këto dy fjalë ende kanë kuptim në Shqipëri. Ky debat nisi aty ku duhet të niste, nga brenda LSI-së, në kohën kur socialistët e zhgënjyer për bashkimin Meta-Berisha akuzohen si qejfmbetur sepse nuk erdhën në pushtet, në kohën kur media dominohet nga përkrahës ose të Berishës ose të Metës, ose të të dyve bashkë kohët e fundit. Ajo që e bën qesharake këtë situatë janë akuzat për pleksje interesash ekonomike, dhe kur çdo ditë dëgjon për kushërinj të parë apo të tretë, që punojnë ose në bashki, ose ndërtojnë pallate. Të përflasësh për tradhti dhe për pleksje interesash ekonomike pesë politikanë, pse kundërshtuan kryetarin e tyre, kur ky i fundit deformoi keqas votën e mbi 80 mijë votuesve vetëm për interesa ekonomike, kjo është një nga perversitetet që post 28 qershori i ka sjellë me vete. Askush nuk besoj se ka të drejtë t‘i përflasë apo akuzojë Xhufin me të tijtë, për tradhti ndaj Berishës, kur kanë mbi 4 vjet që fushatat dhe politikën e tyre e kanë pasur kundrejt këtij njeriu. Aq më pak qëndron ideja tjetër se këto figura kryesore të LSI-së po përdoren nga Partia Socialiste. Së pari, Edi Rama dhe PS-ja sot janë pa pushtet, pa premtime postesh ministrash apo zëvendësish të çdo rangu. Dhe ky diskutim është i shpifur sa s‘ka, por realiteti shqiptar është i tillë që çdo parti e ardhur në pushtet matet me sa militantë dhe miq do punësojë. Këtu është kufizuar dhe motivi për të shkuar në zgjedhje e për të votuar. Madje dhe fitimtarët sot, nën këtë prizëm shihen, mjafton të kenë një copë pushteti po s‘ka rëndësi se si e kanë arritur atë. Ndaj duket e paperceptueshme nga Meta dhe grupi i tij i zëdhënësve, që ndokush brenda radhëve të partisë së tij të kërkojë divorcin nga linja e tij e fundit, thjesht dhe vetëm për ideale dhe parime. Po ky nuk është problemi i Xhufit, Legisit, Brahos, Klosit e të tjerëve si ata.

Së dyti, kur një parti ekstremisht e majtë vendos të ringrejë Berishën në pushtet, nuk ka shumë për të folur për tradhti. Tradhti ndaj kujt? Idealeve apo kauzës? Të dyja janë tradhtuar nga vetë kreu i LSI-së, në vrullin inatçor të radhës, ndaj kryetarit socialist të radhës. Sinjali i fuqishëm që vjen nga brenda LSI-së është vetëm fillimi i shkërmoqjes së kësaj partie, që paçka se deri më tani rezulton forca e tretë politike në vend, pas zgjedhjeve të 28 qershorit u soll njësoj si partitë e Ndokës dhe të ngjashmëve. Fati i këtyre lloj partish është i qartë tashmë, por politikanët shqiptarë vazhdojnë të mos nxjerrin mësime nga historia, duke u mbështjellë dhe justifikuar me të ashtuquajturin pragmatizëm. Që në rastin e Metës, duhet thënë është një pragmatizëm për të cilin ka flijuar identitetin. Kishte një rrugë tjetër për të qenë dhe pragmatik dhe me identitet ose më mirë, dinjitet në këtë rast. Nëse do kishte pritur vetëm pak ditë deri sa të shpallej rezultati final i zgjedhjeve, nëse do kishte qenë ai dhe partia e tij iniciatore dhe faktori kryesor për krijimin e një qeverie teknike, kjo parti dhe kreu i saj do kishin qenë shumë herë më të fituar në poste dhe kauza. Të njëjtin numër ministrish që pritet të marrë sot nga Berisha, do kishte pasur LSI edhe në një qeveri teknike. Por, përpos kësaj do kishte mbi vete meritën e madhe të dhënies fund të epokës së Sali Berishës dhe tranzicionit bashkë me të. Dhe ky nuk është një synim çfarëdo, por ka qenë jetik për politikanët e LSI-së, qysh kur kanë hyrë në politikë. Këtë mision e humbën bashkë me integritetin, moralin por dhe vijën politike. Dhe jo vetëm kaq, por rrjedhja e figurave kryesore është veçse reflektim i një elektorati që po i ikën kësaj partie. Gjithashtu, ky moment duhet të shërbejë si një moment kthese edhe për Partinë Socialiste dhe opozitën e ardhshme që ajo do të ofrojë. Nuk ka asnjë pengesë morale për Edi Ramën dhe PS-në t‘u ofrojë dorën e bashkëpunimit jo vetëm pesë LSI-stëve, por çdo figure tjetër që i është larguar kësaj partie për arsye që tashmë janë të njohura dhe që në thelb s‘kanë të bëjnë aspak me ideologjinë apo të majtën. Këtu sigurisht nuk bëhet fjalë për Fatos Nanon, i cili me politikën i ka larë duart, paçka se shfaqet herë pas here nën mantelin e "father figure", kur në fakt nuk ka qenë gjë tjetër veçse njerku i PS-së.

Afrimi i qeverisë së re, që dhe vizualisht do duket shëmtuar dhe do acarojë elektoratin e majtë në maksimum, duhet të rigjenerojë socialistët e vërtetë dhe t‘i bëjë ata bashkë për një qëllim shumë më të madh se qejfmbetjet personale. Pikërisht për shkak të këtyre qejfmbetjeve dhe interesave fare meskine u humb një shans historik dhe nuk u mbyll një kapitull që duhej të mbyllej. Me votë, të majtët e mbyllën atë kapitull, dhe kjo sado depresive të duket, njëkohësisht duhet të shërbejë si një motiv më shumë që e majta politike e fragmentarizuar të mbyllë kapitullin e saj të përçarjes pa dinjitet, që veçse humbje i ka sjellë. Në fund të fundit, kur Meta deklaronte se me Ramën në krye të PS-së as që bëhet fjalë për bashkim mes tyre, askush nuk foli për të anasjellën, se pa Metën në krye të LSI-së Partia Socialiste do të bashkohej me LSI-në në zgjedhje. Mbase nuk do kishte qenë një ide e keqe në pamje të parë, por nuk u aplikua nga Rama, sepse në fund të fundit vendosi të aplikojë një opozitë tjetër, me rregulla loje si të një vendi perëndimor, kur në fakt Shqipëria me keqardhje është një vend i botës së tretë kur vjen fjala për politikëbërje dhe politikëndarje, e sidomos kur vjen fjala për organizmin e zgjedhjeve. Sot PS-ja ka gjithë shanset dhe mundësitë të ofrojë një opozitë të fuqishme në Parlament, por akoma më të fuqishme jashtë saj, ku të gjithë elementët e saj ish-socialistë apo ish-LSI -stë, duhet të jenë bashkë për t‘i dhënë fund një korrupsioni të stërzgjatur ekonomik dhe politik dhe për ta lënë vendin të marrë frymë drejt një të ardhmeje tjetër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›