Cana fiton zemrat e "maceve të zeza"
Nga dita në ditë, Lorik Cana po bën për vete gjithnjë e më shumë tifozët e zjarrtë të skuadrës së tij të re në Premier League, Sandërlendi. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka shkëlqyer edhe në ndeshjen e fundit të ekipit të tij, atë të javës së tretë të kampionatit anglez, kundër Blekbërnit. Ndeshja u luajt në "Stadium of Light" dhe Sandërlendi e fitoi atë me rezultatin 2-1. Por ajo që ra në sy ishte pikërisht performanca e jashtëzakonshme e 25-vjeçarit shqiptar, i cili ishte i pakalueshëm për kundërshtarët. Në tri ndeshjet e para të Premier League, është votuar dy herë si lojtari më i mirë i skuadrës. Lorik Cana ka fituar zemrën e tifozerisë së Sandërlendit, por edhe simpatinë e bashkëlojtarëve të skuadrës së tij të re britanike. Cana po ecën në të njëjtat gjurmë si te ish-ekipi i tij francez, Olimpiku i Marsejës. Ai është votuar si lojtari më i mirë i skuadrës së tij në ndeshjen e humbur kundër Çelsit (1-3), javën e kaluar, ku në atë takim mesfushori shqiptar luajti me dorën e dëmtuar. Loriku bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer në fitoren 2-1 kundër Blekbërnit, e dyta pas asaj kundër Boltonit (1-0) dhe humbjes ndaj Çelsit 1-3. Edhe pas kësaj ndeshjeje, në sondazhin e organizuar në faqen zyrtare të klubit, Cana doli me 36.9% të votave të votuesve, duke lënë pas autorin e njërit prej golave, Kenuin Xhons (33.8%). I dashuruar me dyluftimet, partneri i Lorik Canës në mesfushë, Li Katermol, i mbërritur gjatë kësaj vere nga Uigani, thotë se "Lorik Cana është një djalosh shumë i fuqishëm, i cili i dashuron dyluftimet më shumë se unë". Katermole dhe Cana kanë formuar një dyshe të frikshme dhe efikase në mesfushën e Sandërlendit, duke ua bërë më të vështirë punën skuadrave kundërshtare. "Ishte aftësia ngacmuese dhe përqendrimi i mesfushorëve Lorik Cana dhe Li Katermoli, që ndikuan jo pak në ecurinë e lojës", shkruan gazeta britanike "The Guardian", që nënvizon se Sandërlendit i mungoi sezonin e kaluar pikërisht agresiviteti në lojë. "Ne nuk kishim mjaftueshëm fuqi fizike për të përballuar disa nga ekipet e Premier Ligës", tha trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus. "Katermole dhe Cana kanë sjellë një avantazh kompetitiv në skuadër dhe ne dëshirojmë të ndërtojmë një ekip që të jetë gjithmonë gati dhe të llogaritet nga kundërshtarët. Ju mund ta shihni se pa një dyshe si ajo, kundër ekipeve si Blekbërni, do të ishim gjithmonë nën presion. Ne luajtëm kundër Boltonit dhe Blekbërnit, dy prej ekipeve për t‘i përballur, duke i mundur të dyja. Kemi bërë një start të mrekullueshëm".