E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalaja e Gjirokastrës, restaurim për Festivalin Folklorik

Mjediset e Kalasë së Gjirokastrës, ku në shtator pritet të zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar, i janë nënshtruar restaurimit, me synim prezantimin sa më të mirë të këtij evenimenti të rëndësishëm të artit dhe kulturës popullore.

Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, Olsi Lafe, është shprehur se përgatitjet për Festivalin e Gjirokastrës janë drejt përfundimit dhe aktualisht është duke u punuar mbi sistemimin e skenës dhe mjedisit përreth. "Ndërhyrjet që po bëhen në zonën e Kalasë së qytetit muze kanë si qëllim t‘i ofrojnë spektatorëve dhe njëkohësisht turistëve disa prej shërbimeve bazë më të nevojshme. Aktualisht është drejt përfundimit dhe hidroizolimi i tarracës kryesore të kalasë dhe galerive kryesore në të. Sipas Lafes, "kjo ndërhyrje do të ndikojë në izolimin e ujit që rridhte në këtë monument. Restaurimi i kësaj pjese është shumë i nevojshëm jo vetëm për vizitueshmërinë, por dhe për vetë monumentin, për të siguruar jetëgjatësinë e tij". Ndërkohë, ka përfunduar restaurimi i një numri të madh ndërtesash, të financuara nga qeveria shqiptare. Një pjesë e këtyre restaurimeve do përurohen gjatë zhvillimit të festivalit, ndërsa pjesët e tjera në muajt në vijim. "Ndërhyrje të rëndësishme janë realizuar dhe në pazarin karakteristik të qytetit muze, i cili konsiderohet si pjesë kryesore e jetës së Gjirokastrës", shtoi Lafe.

Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës janë në fazën e dytë përzgjedhëse, prezantimin e materialeve para komisionit përzgjedhës. Ndërkohë, këtë vit MTKRS ka vendosur që në këtë festival grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, nga 50 që kanë qenë në festivalet e tjera dhe koha e konkurrimit të jetë 30 minuta nga 20 që ka qenë më parë.

Edicioni i sivjetshëm i këtij festivali do të nisë në datën 24 shtator për të përfunduar në datën 29 shtator, të shpallur dhe si Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›