E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 15 nëntorit, sfida e radhës për shtetin e ri

Zgjedhjet për pushtet lokal, që do të mbahen më 15 nëntor të këtij viti, janë të parat që mbahen pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës. Këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë, sepse për herë të parë organizohen nga institucionet vendore. Mbarëvajtja e mirë e tyre do të forconte argumentin para botës demokratike, pjekurinë e institucioneve vendore mbi organizimin vetenak të zgjedhjeve edhe në nivel nacional

***

Zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 nëntor të këtij viti në Republikën e Kosovës janë zgjedhjet e katërta me radhë që mbahen që nga përfundimi i luftës, ndërsa të parat nga deklarimi i pavarësisë së saj si shtet më vete.

Këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë, sepse për herë të parë organizohen nga institucionet vendore, por paraqesin sfidën e radhës për demokracinë e këtij shteti të ri. Po ashtu, këto zgjedhje përforcojnë argumentin para bashkësisë ndërkombëtare mbi pjekurinë e institucioneve vendore për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Kurioziteti i këtyre zgjedhjeve është se deri më tani të gjitha këto që janë mbajtur në Kosovë, kanë kaluar të qeta dhe pa ndonjë telash. Mund të thuhet se Kosova tashmë ka krijuar një traditë të mirë të organizimit të zgjedhjeve pa ndonjë problem të theksuar. Kosova mund të konsiderohet si vendi më joproblematik në rajon për sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve dhe pranimit të rezultateve nga spektri politik i tyre.

***

Krejt kjo do të ishte normale dhe pozitive për një shtet vërtet sovran dhe demokratik. Por, pyetja qëndron se a është vërtet ky vend sovran dhe demokratik, apo ka ndonjë bisht pas tij? Përgjigjja është se ky shtet ka një status të kushtëzuar dhe nuk mund të thuhet se është plotësisht sovran dhe demokratik, sepse këto dy postulate kryesore të shtetit sovran i mbajnë ende të huajt. Pra, edhe demokracia e këtij vendi është e cunguar dhe gjysmake, sepse nuk shtrihet në tërë territorin e saj. Në rreth 20 për qind të këtij shteti, këto zgjedhje nuk mbahen. Fjala është për vendbanimet serbe, që nuk i njohin institucionet e Kosovës. Këto vendbanime administrohen nga një strukturë paralele e sponsorizuar nga qeveria e Beogradit. Kjo krijon një situatë paradoksale për demokracinë e këtij vendi.

Kur ky status dhe kjo demokraci janë të kushtëzuar, atëherë si rrjedhojë logjike del se edhe mbajtja e këtyre zgjedhjeve më shumë është një lojë politike, se sa një vullnet i vërtet i shprehur demokratik i një populli. Subjektet politike që marrin pjesë në këto zgjedhje janë më shumë dekor të "qendrave nën hije", se sa i qytetarëve të Kosovës.

Edhe pse qytetari i Kosovës zgjedh një subjekt, apo ndonjë individ të caktuar, në rast se ky nuk është i përshtatshëm i këtyre "qendrave nën hije", do të jetë i parëndësishëm për këtë shoqëri. Mos ma keq, kështu ka shkuar puna deri më tani. Të zgjedhurit e vërtetë të këtij populli që nuk ju janë përmbajtur rregullave të tyre, ose janë anashkaluar, ose janë larguar nga përgjegjësitë publike.

Pra, në këtë lloj "demokracie eksperimentale" në Kosovë, gara e subjekteve politike nuk e ka kuptimin sikur në demokracitë e shteteve sovrane. Këtu, brenda natës bëhen pazare të llojllojshme politike, pa i dhënë llogari askujt. Bëhen koalicione joparimore edhe përkundër vullnetit të elektoratit të tyre. Kjo ka ndodhur në zgjedhjet e fundit nacionale, kur PDK-ja u fut në koalicion me LDK-në pas një trysnie të huaj. Ky vend ka nevojë për zhvillimin e një demokracie të mirëfilltë, e jo të bëhen eksperimente të ndryshme në kurriz të tij. Por, më tragjikja është se deri më tani lidershipi i subjekteve politike të Kosovës nuk ka rezistuar kundër asnjë projekti ndërkombëtar që ka ardhur në Kosovë. Bile, këta janë shtyrë njëri me tjetrin duke treguar se cili është më servil dhe më poltron ndaj të huajve në implementimin e politikave të tyre. Për dhjetë vjet, politika e tyre mund të karakterizohet vetëm si politikë tenderuese dhe profitereske për grupet e caktuara të interesit, por edhe për interesat e tyre familjare dhe personale. Argumenti më i freskët i pafuqisë së tyre dhe roli asnjanës është i këtyre ditëve nënshkrimi i marrëveshjes në mes EULEX-it dhe Serbisë për bashkëpunim policor dhe ndërkufitar për hesape të Serbisë. Këta politikanë, por edhe këto institucione, as që u pyeten për këtë plan të tyre, por as që do të pyeten ndonjëherë. Kjo tregon se në këtë vend nuk është diç në rregull me këtë demokraci.

***

Tani, shtrohet pyetja, çfarë janë këto parti politike dhe cili është programi i tyre vërtet elektoral? A kanë projekte konkrete, në mënyrë që vërtet të jenë në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj, apo janë ende të paorganizuara, të paprofilizuara si deri më tani? Cila është oferta e tyre konkrete për qytetarin e Kosovës? Cilat prej tyre do të kenë në fokus vetëm qytetarin dhe interesin e tij? A kanë këto subjekte politike vizion për të ardhmen që qytetari të krijojë besim dhe të shprehë mbështetjen ndaj tyre? A janë të gatshëm që këto subjekte të zgjidhin problemet e tyre, duke filluar nga punësimi, shkollimi, punët administrative, infrastruktura, shëndetësia, komunikacioni, furnizimi me ujë, ambienti i pastër, nxemja qendrore gjatë dimrit dhe shërbime të tjera në dobi të qytetarit? Për këto dhe shumë pyetje të tjera deri më tani shumica e këtyre subjekteve nuk kanë dhënë argumente të bollshme se vërtet ishin në shërbim të zgjidhjes së këtyre problemeve.

Anketat tregojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur me qeverisjen e këtij vendi. Vetëm në zgjedhjet e fundit nuk kishin dalë rreth 50 për qind e tyre për të votuar. Ky është një sinjal i keq për demokracinë e një shteti, që synon integrime euroatlantike. Të gjitha partitë politike, pa përjashtim, deri më tani nocion themelor kishin propagandimin e pavarësisë. Tani, kur ky nocion ka rënë nga axhenda e tyre dhe kur të merret fakti i joprofilizimit të tyre adekuat, atëherë vërtet më 15 nëntor të këtij viti ato do të përballen me një sfidë të re para votuesve të tyre. Shumica prej tyre nuk do të jenë në gjendje të mbijetojnë në skenën politike kosovare dhe do të shuhen përfundimisht.

Është vërtet e vështirë të përcaktohet se kush nga këto subjekte do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve lokale më 15 nëntor, paqartësinë e tyre e komplikojnë edhe disa anomali të tjera përcjellëse.

Subjektet e mëdha politike si: PDK, LDK, LDD, AAK, AKR, ORA dhe disa të tjera më të vogla, përkundër faktit të deklarimit të tyre si të djathta e të majta nuk e kanë qartësuar plotësisht programin e tyre, si ekonomik, por edhe politik. Edhe pse kanë njerëz të mjaftueshëm, ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm nga lëmitë e ndryshme, këto subjekte nuk kanë arritur të hartojnë program komplet (plane konkrete), se si duhen zgjidhur problemet e këtij vendi dhe të qytetarit të saj. Ta zëmë, asnjë parti nuk ka plan se sa njerëz mund të punësohen brenda periudhës dyvjeçare të pushtetit të tyre. Sipas një sondazhi të huaj, nëse një vend ka mbi 10 për qind të njerëzve të papunë, ai vend patjetër do të ketë trazira sociale, ndërsa nëse kjo shifër kalon mbi 20 për qind të tyre, atëherë mund të rrëshqasë në luftë civile.

***

Çfarë të thuhet për Kosovën, e cila papunësia ka shkuar mbi 40 për qind. A ka kush mendon në këtë vend për këtë problem madhor dhe për pasojat që mund të barten më vonë? Deri më tani, nga asnjë subjekt politik nuk kemi parë një plan të tillë ku thuhet se për dy vite në Kosovë, ky subjekt apo ai subjekt do të punësojë kaq e kaq njerëz. Nëse nuk dinë mund të mësohen nga partitë simotra në rajon dhe më gjerë, kështu p.sh., PD-ja e Sali Berishës gjatë kësaj fushate ka premtuar se do të punësojë rreth 160 mijë njerëz në Shqipëri, ndërsa LSI-ja e Ilir Metës ka plan për punësimin e rreth 100 mijë njerëzve. Pastaj, ekonomia, energjetika, arsimi, shëndetësinë, pensionistët etj. Këto parti deri më tani kanë shpalosur programe të gjeneralizuara dhe jo konkrete se si mund të zgjidhen këto probleme një e nga një.

Qytetarët e këtij vendi janë ngopur nga premtimet e tyre boshe për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ata dëshirojnë të shohin projekte konkrete dhe jo llafe e demagogji politike. Cila nga subjektet politike në Kosovë ka ndonjë projekt ta zëmë për sigurimet shëndetësore, pensionale etj.? Cila prej tyre ka ndonjë projekt për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve nëpër ndërmarrjet shtetërore, të cilat priten të privatizohen së shpejti? Ato nuk kanë hartuar ndonjë projekt për këtë çështje. Nuk kanë plan për rritjen e pagave të arsimtarëve, punëtorëve shëndetësorë, punëtorëve administrativë, policëve, ushtarëve etj. Këto parti krijojnë projekte ad-hoc, sipas nevojës e kërkesës momentale dhe jo me ndonjë plan të hartuar mirë. Kjo dëshmon edhe me gjendjen energjetike në vend, ku për dhjetë vjet të gjitha këto parti nuk kanë qenë në gjendje të japin një projekt serioz për daljen nga kriza energjetike e këtij vendi.

***

Nuk është korrekte vetëm të kritikohet dhe të shikohet me dioptri të zezë, por ka diçka edhe të bardhë, sidomos kohët e fundit në zhvillimin e infrastrukturës rrugore të këtij vendi. Janë ndërtuar dhe po ndërtohen rrugë të shumta dhe mund të thuhet se Kosova në këtë aspekt është shndërruar në punishte të madhe ndërtimi. Po ashtu, me ndërtimin e objekteve shkollore dhe disa reformave të mira në arsim, sidomos në kompjuterizimin e shkollave është arritur progres i mirë.

Nuk mund të mohohet edhe përmirësimi i dukshëm i gjendjes energjetike, por nuk mjafton kjo kur kihen parasysh resurset mjaft të mëdha natyrore dhe njerëzore të këtij vendi. Vetëm me një organizim më të mirëfilltë të këtyre faktorëve ky problem do të ishte zgjidhur kaherë.

Por, këto subjekte politike deri më tani shtyheshin për interesa grupore dhe personale, ndërsa më pastaj të dalë çfarë të dalë nga të tjerat. Shpresojmë se këto zgjedhje do të jenë sfida e fundit për këto subjekte politike, sepse pa programe të qarta, projekte konkrete, vizion të qartë për të ardhmen nuk do të mund të kalojnë testin e verdiktit të popullit. Vetëdija politike e qytetarit të Kosovës ka shënuar ngritje të madhe, andaj më 15 nëntor të këtij viti do të votohen vetëm ata që i plotësojnë këto kritere dhe të cilët janë në shërbim direkt ndaj qytetarit të këtij vendi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›