E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anti-korrupsioni, Berisha: Dixhitalizimi, përgjigjja më e mirë



Përgjigja më e mirë kundër korrupsionit është dixhitalizimi i çdo procedure, prandaj dixhitalizimi i procedurave dhe i shërbimeve do të zërë një vend kryesor në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u kërkoi ministrave ta konsiderojnë teknologjinë e informacionit si projekt primar në punën e tyre dhe të marrin këshilltarë specialistë IT dhe jo filozofë.

"Do të luftosh korrupsionin në shëndetësi, fut dixhitalizimin, ku njerëzit regjistrohen dhe të kenë radhë me kompjuter dhe jo me ryshfet e me mik. Në drejtim të moshës dixhitale mediat janë në avangardë", - u shpreh z. Berisha. Sipas tij, ky dixhitalizim është një hap madhor i rritjes së transparencës dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Z. Berisha bëri të qartë: “Qytetari duhet të paraqitet vetëm në një sportel në qytetin e tij, që të komunikojë me të gjitha qelizat e shtetit. Nuk ka mënyrë më efiçente për përdorimin e taksave sesa konvertimi i tyre në shërbimet e duhura”. Duke vlerësuar se vendosja e procedurave dixhitale do të rrisë transparencën dhe cilësinë e shërbimit, Kryeministri tha se dixhitalizimi duhet të shtrihet në të gjitha aspektet, duke nisur nga ndihma ekonomike, arkivi i trashëgimisë kulturore, e-learning në çdo qelizë të arsimit, zyrat e regjistrimit të pasurive, agjencinë e kthimit dhe kompensimit të pronave, në sistemin gjyqësor, regjistrimin e tokave etj. “Bota dixhitale, - tha Kryeministri, - është një univers i tërë. Kjo kërkon të mendojmë çdo ditë për të. Nëse do të luftosh korrupsionin në shëndetësi, fut dixhitalizimin, ku njerëzit regjistrohen dhe ta kenë radhën të përcaktuar në kompjuter dhe jo me ryshfet e me mik”. “Ne, - u shpreh Kryeministri, - do ta menaxhojmë këtë qeverisje në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe nuk ka interes më të madh se ai të ketë shërbime të dixhitalizuara; nuk ka interes më të madh për qytetarin shqiptar të shkojë në një sportel të vetëm dhe të marrë përgjigje për çdo gjë aty, të mos vijë aspak në dyert e ministrive, por të ketë një sportel në qytetin e tij, me të cilin ai komunikon me të gjithë qelizat e shtetit, merr çdo dokument, përgjigje a sqarim që i duhet. Nuk ka mënyrë më efiçente të përdorimit të taksave të qytetarëve shqiptarë sesa t’ia konvertojmë ato në një shërbim të tillë”. Z. Berisha shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin që mediat janë në avangardë për sa i përket moshës dixhitale. “Dua të shpreh respektin tim më të madh për investimet dhe teknologjitë që mediat kanë adaptuar dhe adaptojnë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›