E Diel, 1 Nëntor 2026

Antidroga: Kultivimi i kanabisit ka rënie në 50%

Statistikat

Kultivimi i lëndëve narkotike në Shqipëri ka rënë në masën 50%. Drejtuesit e antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit shprehen se është zvogëluar harta e kultivimit të kanabisit në territorin e Shqipërisë. Statistikat tregojnë se deri më 31 korrik të këtij viti janë asgjësuar gjithsej 20 mijë e 503 bimë narkotike. Kjo shifër tregon më pak se gjysmën e sasisë së asgjësuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, policia mendon se deri tani ka një reduktim në masën 50 për qind. Nëse për vitin e kaluar, deri më 31 korrik ishin asgjësuar 48 mijë e 447 bimë, këtë vit janë asgjësuar 20 mijë e 503 bimë, që do të thotë diku te 50 për qind. Sipas drejtuesve të antidrogës, megjithëse ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës, zonat e kultivimit mbeten ato që kanë qenë, të cilat kanë krijuar një lloj tradite negative. Nuk është se ka ndryshuar shumë problemi i zonave, përveç Gjirokastrës, që sipas policisë, ka një përmirësim të dukshëm në krahasim me vitet e mëparshme. Këtu përmendet edhe zona e Lazaratit, që këtë vit ka një reduktim shumë të madh të kultivimit të bimëve narkotike. Mbetet shqetësuese zona e Shkodrës, e cila ndonëse ka më pak se vitin e kaluar, gjithsesi mbetet zona më problematike. Monitorimi i vazhdueshëm nga ajri me mjete të specializuara ka dhënë rezultate pozitive, sidomos për zbulimin e bimëve të kultivuara në toka pa pronar. Faza operacionale e policisë për asgjësimin e bimëve ka filluar që në datën 1 qershor dhe pritet të mbyllet në mesin e muajit shtator. Lufta antikanabis është ashpërsuar këtë vit, me qëllim për të përmbushur edhe kushtet e Brukselit për liberalizimin e vizave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›