Rrëshen, vritet pranë shtëpisë një 45-vjçar
Vritet për hakmarrje pranë shtëpisë një 45-vjeçar nga Rrësheni. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 11:00, në fshatin Ndërfane të Rrëshenit, ndërsa viktima është identifikuar si 45-vjeçari Ndue Llesh Deda. Disa orë më pas, policia ka ndaluar si autorë të dyshuar të ngjarjes Nikoll Cukin, 50 vjeç.
Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës, bën të ditur për “Shqip” se viktima është qëlluar me armë zjarri sapo ka dalë nga shtëpia, me katër plumba. Ai është dërguar me urgjencë për në spitalin e qytetit të Rrëshenit, por me gjithë përpjekjet e bluzave të bardha, 45-vjeçari ka ndërruar jetë. Sipas mjekëve ai kishte marrë disa plagë të rënda në trup, të cilat kanë çuar në vdekjen e tij, ndonëse i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Ndërkaq pas njoftimit për ngjarjen, drejt fshatit Ndërfane ka udhëtuar një grup i gatshëm i policisë, i cili ka bërë rrethimin e zonës. Ekspertët kriminalë kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur dëshmitë e para të familjarëve dhe personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen. Pas një pune intensive, disa orë më pas, policia ka ndaluar 50-vjeçarin Nikoll Cuki, si autor të dyshuar të vrasjes së Ndue Dedës. Në momentin e ndalimit të tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe armën me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
Policia nuk ka dalë ende në një variant zyrtar të ngjarjes, por mendohet se motiv i ngjarjes është gjakmarrja. Bëhet fjalë për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë, kur një i afërm i viktimës ka qëlluar dhe vrarë një bashkëfshatar.
Burimet zyrtare të Policisë së Lezhës deklaruan se po punohet për zbardhjen, dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe motiveve që çuan në vrasjen e 45-vjeçarit Deda.
#