Rikthehet pas tre muajsh në shtëpi, pranga tutorit të fëmijëve
Rikthehet në shtëpi tre muaj pas arratisjes, ku ruhej me policë, por ka përfunduar në qeli. Bëhet fjalë për të akuzuarin për trafik të fëmijëve të tij, Agim Xhambazi, i cili kur u arratis në muajin mars të këtij viti, solli edhe pezullimin e dy efektivëve të FNSH-së, pavarësisht se më vonë dolën të pafajshëm. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se arrestimi i tij është bërë në banesën, nga e cila u arratis. Sipas të dhënave, ai akuzohet për trafikimin e pesë fëmijëve të tij, që i dërgonte në Greqi dhe i shfrytëzonte për të lypur. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2001, ndërsa më 10 prill të vitit 2008, ai u arrestua në Greqi dhe më pas u ekstradua drejt vendit tonë. Por, kohë më vonë, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi për Xhambazin “arrest shtëpie”. Vetëm pak kohë para se të jepej dënimi për të, ai është arratisur. Menjëherë është njoftuar policia, e cila e ka shpallur në kërkim, për të cilin veç akuzës së trafikut të fëmijëve, i shtohet edhe ajo e largimit nga vendi i izolimit. Arratisja e tij u bë më 6 mars të këtij viti. Ai ruhej nga forcat e FNSH-së me tre turne. Natën e arratisjes, ishin dy efektivë dhe shiu nuk pushoi asnjë moment. Ata ishin me detyrë të ruanin Xhambazin, nga përpara shtëpisë. Mbrapa shtëpisë nuk bënin shërbim, pasi fqinji i tij nuk kishte lejuar policinë të kryente një veprim të tillë. Në këto kushte, Xhambazi ka prerë hekurat e dritares së dhomës së tij dhe është arratisur. Policët e kanë vënë re kohë më vonë, por nuk kanë mundur të bëjnë kapjen e tij. Në këto kushte, ata u pezulluan nga detyra, por apeluan vendimin. Komisioni i apelimit, që u mblodh kohë më vonë, vendosi që ata të rikthehen në punë, pasi punonjësit kishin kryer detyrën, duke zbatuar rregulloren me përpikëri. Ndërkaq, gjykata e dënoi Xhambazin, por ai mbetej në kërkim. Dje, në orët e para të ditës, shërbimet e Komisariatit nr. 4, kanë marrë informacion se Xhambazi do të kthehej në shtëpi, për të takuar familjen. Rreth orë 05:00, është rrethuar e gjithë banesa dhe pas disa orësh është kryer ndërhyrja, duke realizuar arrestimin e 48-vjeçarit. Nga hetimet ka rezultuar se Agim Xhambazi, nga Korça, si dhe pesë fëmijët e tij, në vitin 2001 kanë shkuar në Greqi përmes kalimit të paligjshëm të kufirit, pa u pajisur me dokumente të rregullta. Ata janë vendosur në qytetin e Athinës, ku kanë qëndruar në një banesë me qira të dhënë nga nëna e Agim Xhambazit. Pas disa ditësh qëndrimi në Athinë, i dyshuari ka detyruar bashkëshorten dhe pesë fëmijët të lypnin dhe më pas fitimet e arritura t’ia dorëzonin atij”, shprehet vendimi për Xhambazin. Pas kësaj periudhe të dëmtuarit kanë arritur të largohen nga tutori i tyre dhe janë vendosur në ambientet e një shoqate humanitare, duke bërë më pas edhe denoncimin.
#