E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antidroga kap gjysmë ton hashash në Lazarat

09/03/2009  Droga e destinuar për në Greqi, aksioni u mbajt sekret edhe për policët e Gjirokastrës

Operacioni “Darka jashtë” në orën 5 të mëngjesit kapet 44-vjeçari e nipi

TIRANE- Efektivët e policisë së shtetit më së fundi mundin të hyjnë në fshatin problematik të Lazaratit, ku arrestojnë dy persona si dhe sekuestrojnë një sasi të konsiderueshme droge. Drejtoria kundër krimit të organizuar në bashkëpunim edhe me specialistët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mundën të ndalojnë 500 kilogram marjuanë, e cila ishte e planifikuar të trafikohej nga Lazarati në shtetit helen. Burime zyrtare pranë policisë së shtetit thanë se një pjesë e sasisë së lëndës narkotike ishte fshehur në një magazinë, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në një furgon me targa Gj 73 20 A. Informacionet e mbledhura në rrugë operative si dhe të dhënat e nxjerra nga përgjimi, kanë detyruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda të lëshojë dy urdhër-arreste me masën e sigurisë “arrest në burg”. Menjëherë pas këtij vendimi policia e shtetit ka organizuar operacionin e koduar “Darka jashtë”, ku rreth orës 05:00 të mëngjesit të ditës së djeshme është arrestuar shtetasi Beqir Avduli 44 vjeç nga Lazarati dhe nipi i tij, Hasan Avduli 27 vjeç nga Lazarati. Çdo e dhënë e operacionit në fjalë është mbajtur sekret nga drejtuesit e policisë së shtetit. Madje për këtë goditje nuk janë vënë në dijeni edhe punonjësit e komisariatit të Gjirokastrës, pasi hetuesit e Tiranës dyshonin se mund të kishte rrjedhje informacioni dhe për këtë qëllim operacioni do dështonte. Mësohet se të dy personat (Xhaxha dhe Nip) gjatë një periudhe 3-mujore kanë mundur të grumbullojnë 500 kilogramë marjuanë, e cila pritej të trafikohej në Greqi nëpërmjet kufirit të gjelbër. Aktualisht të dy shtetasit e sipërcituar janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku dhe janë marrë në pyetje nga një grup hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burime pranë kësaj të fundit thanë se Beqir dhe Hasan Avduli, kanë pranuar akuzën e ngritur, por në të njëjtën kohë, ata nuk kanë pranuar të tregojnë emrat e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët ditën e djeshme do të shoqëronin lëndën narkotike në kufi, pasi pikërisht në datën 8 mars të arrestuari kishin planifikuar të trafikonin një pjesë të drogës. Ndërkohë që gjatë operacionit policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale automjetit me targa Gj 73 20 A, sasinë e lëndës narkotike prej 500 Kg si dhe dy telefona. Beqir dhe Hasan Avduli do të akuzohen për konsumimin e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”. Aktualisht të gjitha materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila në ditët në vazhdim pritet të transkriptojë edhe bisedat telefonike të të arrestuarve. Nga ky proces hetimor pritet që organi i akuzës të përcaktojë edhe rolin e disa personave të tjerë, të cilët dyshohen se janë anëtarë të këtij rrjeti kriminal.

500 kg drogë

Policia tha se gjatë zbatimit të operacionit “Darka jashtë” uniformat blu mundën të sekuestrojnë në cilësinë e provës materiale 500 kilogramë marjuanë. Mësohet se një pjesë e lëndës narkotike u ndalua në furgonin me targa Gj 73 20 A, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në një magazinë, e cila ishte pronë e dy shtetasve të arrestuar. Marjuana që ndodhej në furgon ishte planifikuar të trafikohej në Greqi.

Përgjimi

Operacioni ka marrë shkas nga disa sinjale të dyshimta që dy të arrestuarit shfaqnin gjatë bisedave telefonike. Këto të fundit janë përgjuar nga specialistët e Krimeve të Rënda, të cilët pasi kanë pritur datën ekzakte të trafikimit të marjuanës në Greqi, kanë lajmëruar menjëherë policinë e shtetit. Kjo strukturë ka organizuar operacionin, duke e vënë në zbatim atë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Transkriptimi i bisedave telefonike pritet të nxjerr në dritë bashkëpunëtorë të tjerë.

Neni 283 i drogës

Sipas nenit 283 të Kodit të Procedurës Penale, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi si dhe mbajtja të substancave narkotike dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet heqje lirie. Kur kjo vepër penal penale kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ajo dënohet me burgim shtatë deri në 15 vjet heqje lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›