E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC prezanton shërbimin“Zlango”, thuaje me ikona

09/03/2009  Falas deri më 30 prill

AMC duke filluar nga data 9 mars nis shërbimin e ri “Zlango”, komunikimi nëpërmjet ikonave. Kompania e telefonisë së lëvizshme AMC sjell këtë shërbim novator për të rinjtë, shërbim që do të jetë falas deri në fund të prillit. Kjo mënyrë e re komunikimi ofron abonentëve të AMC-së mundësi të reja në komunikimin me mesazhe. Me “Zlango”, vendin e fjalëve në mesazh e zënë ikonat. “Siç dihet tashmë, një pamje vlen sa mijëra fjalë. Ky shërbim i ri u drejtohet kryesisht të rinjve dhe synon të ofrojë një mjet komunikimi, por edhe të argëtojë ata që e përdorin. Fillimisht përdoruesit duhet të instalojnë programin ‘Zlango’ në celularët e tyre”, - theksuan zyrtarë të kompanisë. Për këtë, sipas tyre ka disa mënyra. “Duke dërguar një SMS falas me tekstin “Zlango” te numri 15155. Abonentëve u vjen një mesazh me adresën e internetit ku mund të shkarkojnë programin. Kjo mënyrë kërkon që abonentët të kenë aktivizuar më parë internetin në celularët e tyre. Mënyra tjetër është duke lidhur celularin me kompjuterin. Abonentët hyjnë në faqen zyrtare të AMC dhe aty mund të shkarkojnë programin ‘Zlango’ për celularët përkatës”, theksuan burimet. Ndërsa mënyra tjetër është instalimi falas në dyqanet AMC në të gjithë vendin. Kur hapin për herë të parë programin ‘Zlango’ në celular, abonentët duhet të caktojnë një pseudonim e të regjistrohen. Më pas mund të dërgojnë e të marrin mesazh “Zlango”, ose thënë ndryshe ZMS. Mesazhet Zlango – ZMS – janë falas deri më 30 prill 2009. Pas kësaj date, një ZMS do të kushtojë 15 lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›