E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antidroga kap heroinë në makinën e policit ushtarak

Operacioni Artur Litës dhe Ndue Lokthit iu sekuestruan 1,158 kg lëndë narkotike në furgonin me targë SH6937E

Ka qenë një informacion i goditur për seksionin e Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ai që ka sjellë edhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme heroine dhe vënien në pranga të dy personave që dyshohet se janë trafikantë. Burimet policore thanë se kanë arrestuar në flagrancë të premten Artur Litën, 23 vjeç, banues në Kamzë dhe Ndue Lokthin, 43 vjeç, banues në Tiranë, me profesion polic ushtarak. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, këta shtetas janë ndaluar te Kthesa e Valiasit dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin lëviznin, u gjetën plot 1,158 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë. Burimet policore thanë për “Shqip” se mjeti tip furgon, me targë SH6937E, drejtohej nga shtetasi Ndue Lokthi, me detyrë polic ushtarak në Sauk, ndërsa Artur Lita ishte pasagjer. Po sipas burimeve, lënda narkotike është gjetur në çantën e 23-vjeçarit, por nuk dihen ende lidhjet mes tyre. Asnjë nga të ndaluarit nuk ka pranuar se posedonte lëndën narkotike, por uniformat blu thanë se janë në proces hetimi për rastin dhe lidhjen mes dy personave. Po sipas tyre, në cilësinë e provave materiale u sekuestruan: sasia e lëndës narkotike e dyshuar heroinë, shuma prej 119000 lekësh, mjeti tip furgon me targë SH6937E, dy telefona celularë, një pistoletë model 54, me nr. 14056657, viti i prodhimit 1967 dhe një karikator me 7 fishekë. Armët dhe municionet i përkasin Lokthit, ato janë me leje, pasi ai është efektiv i batalionit të Policisë Ushtarake, që ndodhet në Sauk.

Inspektorët e Antidrogës prisnin sasi më të madhe të lëndës narkotike në këtë aksion, pasi informacioni ishte tepër i saktë dhe i goditur. Por edhe për sasinë e kapur, ata mendojnë se kanë prerë një nga linjat e trafikut dhe do të duhet tashmë të hetojnë edhe persona të tjerë të përfshirë në të.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›