Masat, për shkak të vështirësisë në qarkullim
Lidhur me këtë vendim të ri të këshillit bashkiak, Dashamir Sejdo, shef i zyrës së shërbimeve në bashkinë e qytetit, pohon se sipërfaqja e shtuar e vend-parkimit me pagesë është e destinuar kryesisht për furgonë dhe autobusë që sjellin vizitorë dhe turistë në qytet. Ndonëse masat e mësipërme e vështirësojnë edhe më tej mundësinë e parkimit në këto zonë të qarkulluar gjatë muajve të sezonit turistik, ai pretendon se vendimi është marrë për shkak të “vështirësisë në parkim gjatë sezonit, por edhe nga nevoja e shtimit të të ardhurave në buxhetin e pakët të bashkisë së qytetit”. Por këto masa, jo vetëm që nuk i lehtësojnë aspak autobusët e furgonët që sjellin turistë në qytet, por vend-parkimi i ri me pagesë i miratuar, i largon autobusët dhe turistët edhe 600-700 metra larg qendrës dhe Sheshit të çerçizit, i cili edhe kur është ndërtuar 30-40 vjet më parë, ka pasur për destinacion parkimin e autobusëve turistikë. Sipas tij, bashkia do të tentojë në vijim që vend-parkimi me pagesë të shtrihet edhe në pjesë të tjera të qytetit, me motivin dhe justifikimin se aty ku bashkia ka investuar në infrastrukturën rrugore, duhet edhe të përfitojë të ardhura. Sipas shefit të Zyrës së Tatim-Taksave pranë bashkisë së qytetit, Gentian Themollari, taksa e re do të rrisë të ardhurat. “E ardhura e krijuar nga ky lloj shërbimi shkon në 1,5 milionë lekë. Ajo sigurohet nga të ardhurat e siguruara në vend-parkimet e automjeteve të bankave që operojnë në Gjirokastër, vend-parkimi i taksive dhe vend-parkimet për automjetet e tjera”, ka sqaruar Themollari. Por masat e fundit jo vetëm që nuk e zgjidhin situatën e vështirë të parkimit në zonën muzeore të qytetit, por në kushtet e rritjes së numrit të automjeteve që hyjnë në zonën e vizitueshme të qytetit, shtrojnë si kërkesë urgjente studimin e mundësive për ngritjen e parkimeve të nëndheshme, jo vetëm në zonën e mbrojtur, por edhe në objektet që ndërtohen në zonat më pranë saj.
#