E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishte i dënuar në Durrës, kapet në Tiranë

Adoleshentit të dënuar me burg iu dokumentuan edhe disa vepra të tjera penale

Dënimi me burg nuk e ka penguar Gerald Zenelin të ushtrojë aktivitetin e tij të paligjshëm. Ndërsa ishte në kërkim, për t’u dërguar në vendin e kryerjes së dënimit, sepse Gjykata e Rrethit Durrës, me vendim nr. 959, dt.26.08.2009, e kishte dënuar me 2 muaj burg për veprën penale të vjedhjes, i riu vetëm dy ditë më parë ka rënë në prangat policore. Ka qenë një vjedhje e realizuar prej tij ajo që u dha mundësinë uniformave blu ta shoqërojnë e më pas, kur panë skedën e tij kriminale, ta dërgojnë në qelinë e ftohtë. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se Gerald Zeneli, 19-vjeç, banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim më 11 janar të këtij viti. Ka qenë një akt ekspertimi i inspektorëve antikrim ai që e ka çuar pas hekurave të riun. Sipas policisë, Zeneli dyshohet të jetë autor i vjedhjes së lokalit bar–kafe “Postrubi”, minimarketeve në rrugën “Irfan Tomini” dhe në Selitë, i njësie tregtare ushqimore, tregtores së mishit “Arani”, si dhe një dyqani veshjesh. Gerald Zeneli, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, rezulton të jetë edhe autori i vjedhjes së lokalit “Eurolloto” më datë 5 qershor 2010. Uniformat blu e kishin të skeduar Zenelin si një nga personat më të rrezikshëm, i cili vepronte në zonën pranë rrugës “Irfan Tomini” dhe po hetojnë edhe për të vënë në pranga bashkëpunëtorët e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›