“Antigona kërkon të atin” sërish në Teatrin Kombëtar
Petrika GROSI
Pas disa deklarimeve të paqarta mbi shfaqjen që do të çelë sezonin artistik të ri për Teatrin Kombëtar, dje ka ardhur lajmërimi zyrtar se do të jetë drama “Antigona kërkon të atin” e regjisorit Mihallaq Luarasi, pjesa e parë që do të startojë sezonin “vjeshtë-dimër” në TK. Ndërkaq sot pritet që stafi drejtues i këtij institucioni të sqarojë në një konferencë për mediat programin kalendarik që do të pasojë gjatë këtyre muajve dhe shfaqjet e premierat, të cilat janë vendosur të realizohen si prodhime të Teatrit Kombëtar apo bashkëprodhime me institucione të tjera homologe në rajon e më gjerë. Sa i takon pjesës së regjisorit dhe dramaturgut Luarasi, ajo është shfaqja që mbylli sezonin e kaluar dhe që në qendër të vëmendjes pozicionon një vajzë, e cila niset në kërkim të eshtrave të të atit, të pushkatuar gjatë regjimit komunist. Si për ironi të fatit, orientimi dhe ndihma e vetme e kësaj vajze është njëri nga ushtarët e skuadronit që ekzekutoi babain e saj. Në fakt, ish-ushtari është i vetmi person që ndien faj për ngjarjen që ka ndodhur para shumë vitesh edhe pse ai thjesht sa kishte zbatuar urdhërat. E veçanta e shfaqjes është se përveç aktorëve të njohur si Edi Luarasi, Fatos Sea dhe Ahmet Pasha, regjisori Mihallaq Luarasi ka përzgjedhur si pjesë të stafit edhe aktorët të rinj; Ina Gjonçi, Gjergji Mena etj. Për këtë dramë, Luarasi u frymëzua nga ekspozita që u hap para disa muajsh në Muzeun Historik Kombëtar në nderim të viktimave të komunizmit. Fotografitë, filmimet dhe dokumentat e statistikat e mijëra viktimave të pafajshme të internuara dhe të vdekura më pas nëpër burgje apo të pushkatuara, shumë prej të cilëve ende nuk u dihet varri, e bënë Mihallaq Luarasin që të gjente ngacmimin e duhur për të krijuar dramën që sot e shohim të inskenuar. Në një intervistë, regjisori Luarasi do të shprehej se “Të gjithë këta njerëz nuk e kanë një varr sepse janë të groposur në vende të ndryshme të fshehta. Pra janë shumë të paktë ata që i kanë gjetur të dashurit e tyre, që t’i varrosin. Një varr, ku pasardhësit e tyre të qajnë apo të meditojnë mbi të, këtë ata nuk e kanë...”
Në të njëjtën kohë, drama trajton edhe një problem tjetër të rëndësishëm social dhe shpirtëror, siç është ai i kërkimit të faljes për krimet e komunizmit dhe distancimit nga e kaluara e errët e diktaturës. Kjo ide lidhet më së miri edhe me aktualitetin, sidomos kur kemi parasysh se disa figura që kanë qenë në krye të shtetit komunist, apo mjaft pranë liderëve të tij, as sot e kësaj dite nuk kërkojnë të falur për krimet e tyre por justifikohen se ashtu ishte sistemi dhe se besonin verbërisht në të. Luarasi synon pikërisht këtë gjë me anë të mesazhit të kësaj drame, pra, t’i bëjë thirrje të gjithëve që të distancohen nga diktatura dhe nga udhëheqësi i saj, Enver Hoxha. Sipas tij, deri tani kjo gjë fatkeqësisht nuk ka ndodhur dhe shqiptarët vazhdojnë të mbeten peng i së kaluarës. Një shembull që jep Luarasi lidhur me këtë është se edhe në dramë përmendet fakti që Enver Hoxha vazhdon të mbajë pas vdekjes titujt që i mori në atë kohë. Sot diktatori vazhdon të jetë tre herë “Hero i Popullit” megjithëse kjo gjë është thjesht një formalitet. As emri i protagonistes së dramës, Antigona, nuk është një rastësi. Luarasi shpjegon se këtu kemi të bëjmë me një aludim mbi Antigonën e antikitetit dhe tragjedinë e saj në kërkim të varrosjes të vëllait të vdekur, të cilin mbreti e ka dënuar që t’ia hanë trupin shpendët dhe kafshët e egra. Megjithatë Antigona e sfidon mbretin (sistemin) ndonëse me një çmim të lartë për t’u paguar...
23 Shtator 2009